Thaçi pritet që sot ose nesër të thërras seancën konstituive të Kuvendit
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pritet sot ose nesër ta thërras seancën e parë konstituive të Kuvendit të Kosovës, kështu bëjnë të ditura burimet e Telegrafit brenda Kuvendit.
Sipas këtyre burimeve, mbajtja e kësaj seance pritet të mbahet javën e ardhshme përkatësisht të martën.
Kjo vonesë sipas burimeve të Telegrafit është bërë për shkak se shumica e deputetëve të zgjedhur kanë shkuar nëpër pushime verore.
Ndërkaq, sipas rregullores së punës të Kuvendit të Kosovës, kjo seancë e parë legjislative bëhet nga Kadri Veseli si kryetar i Kuvendit në legjislaturën e kaluar dhe Kryesia e Kuvendit e po asaj legjislature.
Më pas kryetari dhe Kryesia e Kuvendit e kaluar ftojnë kryetarët e partive që kanë hyrë në Kuvend për të biseduar mbi rendin e ditës së seancës konstituive.
E deri sa të zgjidhen strukturat e Kuvendit, kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, punimet e seancës së Kuvendit i udhëheq deputeti më i vjetër i Kuvendit të Kosovës, i cili do të ndihmohet në drejtim të seancës nga deputeti më i ri i kësaj legjislature.
Ndërsa, për regjistrimin e deputetëve, neni 9 i rregullores së Kuvendit përcakton Kryesuesin e mbledhjes konstituive të legjislaturës së Kuvendit, i cili pas hapjes së mbledhjes dhe paraqitjes së rendit të ditës, kërkon nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvend ta caktojnë nga një përfaqësues në Komisionin e përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve.
Po ashtu, Komisioni i përkohshëm e shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve, ia paraqet Kuvendit raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit dhe e verifikon kuorumin në mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit.
Ndërkaq, në nenin 10 përcaktohet ‘Betimi i deputetëve’, ku pas verifikimit të mandateve, deputetët betohen solemnisht.
“Teksti i deklaratës është: ‘Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit dhe me standardet evropiane.’ Betohem!”, thuhet në rregulloren e Kuvendit të Kosovës.