Kosova

Thaçi ua vë drynin këshillave të Jahjagës

Që nga marrja zyrtare e pozitës së presidentit nga ish-kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, më 8 prill të këtij viti, janë mbushur plot 3 muaj dhe, sipas vlerësimeve të analistëve politikë, për këtë tremujor të parë të Thaçit në krye të vendit nuk është parë të ketë pasur asnjë ndryshim për të mirë, në ushtrimin e pozitës së presidentit.

Minusi që e ka karakterizuar funksionimin e pozitës së presidentit të vendit për këtë tremujor të parë, sipas analistëve politikë, është mosinteresimi i presidentit për të riaktivizuar këshillat, të cilat i pati themeluar ish-presidentja Jahjaga.

Deri më tani, presidenti i ri akoma nuk e ka ftuar asnjë takim të Këshillit Kundër Korrupsionit, që e pati themeluar ish-presidentja Atifete Jahjaga, pavarësisht që ky këshill nuk pati arritur në të kaluarën të prodhojë ndonjë efekt të dukshëm pozitiv në luftimin dhe parandalimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend, por së paku ishte si një shprehje e vullnetit për një shtet ligjor, përçimin e mesazhit institucional për domosdoshmërinë e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend nga kreu i lartë i shtetit.

Analisti politik, Arsim Haziri, ka pohuar se periudha mbi dyvjeçare e themelimit të Këshillit Kombëtar për Antikorrupsion, edhe pse ishte në rolin e koordinimit të mekanizmave të sundimit të ligjit pranë zyrës së ishpresidentes, nuk e dha rezultatin e pritur, por së paku ishte aktiv në adresimin serioz të problemit që vazhdon të jetë akoma sfidë për shtetin e Kosovës.

Neglizhimin e tanishëm të këtij Këshilli nga presidenti Thaçi e cilëson si dëshmi për mungesën e vullnetit të tij për t’u ballafaquar seriozisht me këtë problem, të cilit edhe nga pozita e presidentit i ka shpallur luftë deklarative.

“Kosova sfidën më të madhe e ka luftën kundër korrupsionit, dhe kjo vjen edhe më paradoksale, kur kemi në agjendë shtetërore mekanizma të shumtë, me qëllim të zhbërjes së këtij fenomeni. Sidoqoftë, presidenti Hashim Thaçi, përveçqë përbën dëshminë e mosfunksionimit të shtetit ligjor e kushtetues, ai në mënyrën më të vrazhdë, edhe nga pozita e ish-kryeministrit, ka ndikuar negativisht në këtë proces. Ndryshe, qysh me zgjedhjen e tij në një atmosferë aspak normale në pozitën e presidentit, edhe në rritjen e tensioneve politike, duke mos përjashtuar edhe krizën e sotshme që vendi pashmangshëm po e vuan, shihet se ai nuk ka ndonjë interesim për funksionalizimin dhe stabilizimin e shtetit ligjor”, theksoi ai.

“Konsideroj se Thaçi as nuk njihet dhe shquhet për respektim të normave e ligjeve ekzistuese, shtetit ligjor, prandaj duke qëndruar nën këtë pozitë, aspak nuk mund të shprehë gatishmëri të plotë për takim më atë Këshill, për të përcaktuar edhe më saktë prioritetet ndaj kësaj sfide të rëndë për Kosovën dhe institucionet e saja. Kjo do të thotë që neglizhimi i thirrjes dhe riaktivizimit të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit nuk është i rastë- sishëm, por i qëllimshëm”, potencoi Haziri për Kosova Sot.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button