Bota

The Economist: Të tjera arrestime në Turqi, mirupafshim “Republika”

E mbushur me informacione të tilla si procedurat më të fundit të provimeve për inspektorët e ushqimit, gazeta zyrtare e Turqisë, gazeta e cila arkivonte biznesin e përditshëm të shtetit, përdorej si një kurë e mirë kundër pagjumësisë. Por, jo më. Në prag të tentativës së grushtit të shtetit kundër qeverisë së Rexhep Tajjip Erdogan, asnjë gazetë në Turqi nuk lexohet më me ankth se ajo.

Duke botuar listat e akademikëve, mediave dhe spitaleve të mbyllura që nga tentativa e grushtit të shtetit, dhe ato të rreth 100 mijë zyrtarëve dhe nëpunësve të shkarkuar nga institucionet shtetërore, gazeta është mbushur me kronika të spastrimeve në dukje të pangopura. Në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila i lejon Erdogan që të sundojë përmes dekreteve, ajo shumë shpejt mund të shndërrohet në gazetën më të lexuar në vend.

Pjesa më e madhe e mediave tashmë kontrollohet nga besnikët e qeverisë. Pothuajse të gjitha mediat dhe gazetarët heshtin ose ndihen të frikësuar. Autoritetet kanë burgosur më shumë se 100 gazetarë. Më 31 tetor, masat e autoriteteve për të nënshtruar çdo media kritika, nuk kursyen as të përditshmen kryesore majtiste, laiken “Cumhuriyet” (“Republika”), një gazetë po aq e vjetër sa vetë Turqia moderne. Policia arrestoi redaktorin e gazetës, Murat Sabunxhu, një nga karikaturistët kryesorë të saj dhe pjesën më të madhe të opinionistëve dhe drejtuesve të saj.

Ndërkohë, autoritetet më herët kanë lëshuar një urdhër arresti për ish-kryeredaktorin e kësaj gazetare, Xhan Dyndar, i cili tashmë përballet me akuza për publikimin e artikujve mbi dërgesat e armëve në Siri nga shërbimet sekrete turke. Zoti Dyndar u largua nga Turqia në fillim të këtij viti.

Prokurorët akuzojnë “Cumhuriyet” për lidhje me Lëvizjen Gylen, një grup fetar islamik i akuzuar nga autoritetet për organizimin e grushtit të shtetit të 15 korrikut të këtij vitit dhe për lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, (PKK), grup të cilin Turqia dhe vendet perëndimore e kanë shpallur organizatë terroriste. Për shumicën e vëzhguesve, akuza të tilla tingëllojnë si lajthitje.

Gazeta “Cumhuriyet” më herët ka mbajtur një pozicion tejet kritik ndaj gylenistëve, shumë kohë para se Partia për Drejtësi dhe Zhvillim [AKP] të vinte në pushtet, e cila për gati një dekadë ka qenë në aleancë me lëvizjen, një aleancë e prishur në vitin 2013.

Arrestimet tregojnë se disa prej kritikëve të qeverisë janë të sigurtë. Rreth 40 mijë njerëz, gjeneralë të përfshirë drejtpërdrejtë në tentativën e grushtit të shtetit, burokratë gulenistë, aktivistë kurdë dhe shkrimtarë të majtë, janë arrestuar që nga vera e këtij viti. “[Erdogan] ka në plan të krijojë një shtet të ri nën autoritetin e tij”, shprehet Ozgyr Mumxhu, një nga analistët e gazetës “Cumhuriyet”, dhe “çdo gjë që përfaqëson Turqinë e vjetër, do të zhduket herët a vonë”.

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim [AKP] insiston se ajo është duke mbrojtur Turqinë nga armiqtë e saj të brendshëm dhe të jashtëm. “Ne, thjesht kemi shpëtuar vendin nga një wordpress përpjekje për grusht shteti të përgjakshëm”, thotë Taha Ëz’han, një deputet me influencë në rradhët e partisë në pushtet. Zyra e tij ndodhet vetëm pak hapa larg nga zona e parlamentit e bombarduar nga avionët gjatë tentativës së grushtit të shtetit. “Kjo është e gjitha”.

Kritikët thonë se qeveria po zhduk çdo gjë nga ajo që ka mbetur nga demokracia e Turqisë. Vetëm një ditë para arrestimeve në gazetën “Cumhuriyet”, gazeta zyrtare njoftoi mbylljen e 15 mediave të tjera, shumica prej tyre në gjuhën kurde. I njëjti dekret njoftonte shkarkimin e 10131 zyrtarëve të tjerë publikë dhe 1267 akademikëve. Një tjetër dekret ka pezulluar të drejtën e të ndaluarve për t’u përfaqësuar nga avokatët dhe privilegjin avokat-klient. Ky dekret shfuqizoi sistemin e vjetër, sipas të cilit akademikët kishin një rol të rëndësishëm në zgjedhjen e drejtuesve të universiteteve të tyre. Ndërsa tani rektorët e universiteteve do të emërohen direkt nga z. Erdogan.

Ndërkohë, i forti i Turqisë po përpiqet të rrisë mbështetjen në rradhët e nacionalistëve dhe islamistëve, një aleancë nga e cila ai pret që do t’i mundësojnë kompetenca shtesë në një referendum që pritet të organizohet në vitin 2017. Ai ka ringjallur planet për rivendosjen e dënimit me vdekje, një veprim që do të shënonte fundin e negociatave për anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian. Në juglindje të vendit, të shkatërruar nga një vit përleshjesh vdekjeprurëse mes PKK-së dhe ushtrisë, qeveria e tij ka shkarkuar dhjetëra zyrtarëve kurdë të zgjedhur me votë.

Arrestimet e bashkë-kryetarëve të bashkisë së Dijarbakër, qyteti më i madh i rajonit, me akuza për terrorizëm, u pasua nga një ndërprerje e internetit në më shumë se 15 provinca. Z. Erdogan tani thotë se ai do të luftojë PKK-në në veri të Sirisë, për të mbrojtur territoret e kontrolluara nga trupat turke gjatë inkursionit ushtarak të muajit gusht. Ai ka kërkuar një rol më të madh në ofensivën e Irakut kundër forcave Shtetit Islamik në Mosul.

Partia Popullore Republikane [CHP], opozita kryesore laike, fillimisht u përfshi nga dehja nacionaliste që pasoi tentativën e dështaur të grushtit të shtetit, tashmë është shndërruar në një soditës të shokuar. Dekretet e gjendjes së jashtëzakonshme e kanë katandisur parlamentin në një institucion të padobishëm”, thotë Selin Sajek Boke, nënkryetare e Partisë Popullore Republikane. Kjo është “një premierë”, shton ajo, e asaj se si do të duket Turqia nëse z. Erdogan merr kopetencat shtesë, shumë të dëshiruara prej tij.

Dhe kur premiera të ketë mbaruar, nuk ndoshta nuk do të ketë mbetur asnjë media kritike që të raportojë për këto zhvillime. Gazeta zyrtare për fat të mirë do të arrijë majat e lexueshmërisë.

*http://www.economist.com/news/europe/21709586-flagship-secular-newspaper-hit-purges-spread-goodbye-republic

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button