Von der Leyen zotohet të sigurojë kredinë për Kievin pavarësisht bllokadës së Hungarisë
Një kredi prej 90 miliardë eurosh është bllokuar nga rezistenca e kryeministrit hungarez Viktor Orban, ndersa negociatorët amerikanë dhe ukrainas pritet të takohen nesër për bisedime, sipas “The Guardian”.
“Bashkimi Evropian do të gjejë mënyra për të shpërndarë kredinë e premtuar prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, pavarësisht rezistencës së vazhdueshme të Hungarisë”, tha sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Do ta realizojmë, në një mënyrë apo në një tjetër”, u tha ajo gazetarëve pas një samiti në Bruksel, ku liderët e BE-së dështuan të bindnin kryeministrin hungarez Viktor Orban të heqë bllokadën ndaj kësaj kredie jetike për Ukrainën.
Gjatë bisedimeve të djeshme, liderët e BE-së nuk arritën ta bindnin Orban të tërhiqte bllokimin e kredisë për të mbështetur përpjekjet e luftës së Ukrainës.
I konsideruar si partneri më i afërt i Moskës brenda bllokut, kryeministri nacionalist ka kundërshtuar prej kohësh ndihmën ndaj Kievit për të përballuar pushtimin rus, duke penguar ndihmat e BE-së dhe raunde të përsëritura sanksionesh.
Kremlini deklaroi dje se bisedimet midis Uashingtonit, Moskës dhe Kievit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë ishin në një “pauzë” pas fillimit të luftës me Iranin, por presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se priteshin diskutime të reja këtë fundjavë.
“Negociatorët ukrainas dhe amerikanë do të takohen nesër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – në një përpjekje për të rifilluar bisedimet e bllokuara për luften në Ukrainë”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
Presidenti autoritar i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, urdhëroi dje lirimin e 250 të burgosurve politikë si pjesë e një marrëveshjeje me Uashingtonin – që çoi në heqjen e disa sanksioneve amerikane – një hap i fundit në përpjekjet e tij për të përmirësuar marrëdhëniet me Perëndimin.
Lukashenko i fali të burgosurit pas një takimi në Minsk me të dërguarin special të presidentit amerikan, Donald Trump për Bjellorusinë, John Coale.
“Stafi i “Fondit Monetar Ndërkombëtar” ndodhet këtë javë në Kiev për të diskutuar me autoritetet ukrainase mbi mënyrën se si të përmbushin angazhimet në kuadër të një programi të ri të kredisë prej 8,1 miliardë dollarësh, i miratuar muajin e kaluar”, tha zëdhënësja e FMN-së, Julie Kozack.
Ajo shtoi se stafi do të takohej edhe me anëtarë të parlamentit ukrainas për të diskutuar reformat fiskale dhe ndryshimet tatimore të kërkuara nga programi.
Ndërkohë që lufta e Rusisë në Ukrainë vazhdon, Kryqi i Kuq njoftoi dje se po lehtëson shkëmbimin e rreth 1 000 trupave çdo muaj midis palëve, ndërsa “mijëra e mijëra” të vdekur mbeten të paidentifikuar. //a.i/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.