“Thesari ishte me rregullore, gjejini!”
Pyetet në burg Dorian Çollaku, përgjigje të shkurtra dhe mohuese
Nga Sokol Çobo
Ish-drejtori i Thesarit të Shtetit, Dorian Çollaku, i arrestuar me vendim gjykate si një nga dhjetë përgjegjësit e supervjedhjes në institucionin që drejtonte, ka refuzuar sërish të flasë gjerësisht për skandalin. Prokurori i çështjes, Ramadan Troci, e ka vizituar dje në qelinë e paraburgimit 313, ku i ka drejtuar rreth 60 pyetje, që nga funksionimi i Departamentit të Emisionit në Bankën e Shqipërisë, marrja në punë e njerëzve, e deri tek udhëtimet jashtë vendit. Për rreth 90 minuta, prokurori e ka ngacmuar Çollakun edhe për përgjegjësitë e tij ligjore, duke ia kujtuar shpeshherë, por Çollaku ka qenë i vendosur për të mos folur, duke iu përgjigjur shumë shkurt pyetjeve. Madje, përgjigjet e tij kanë qenë shumë mohuese, duke mos pranuar në asnjë rast implikimin e tij në këtë supervjedhje.
Seanca e pyetjeve
Prokurori i çështjes i ka bërë dje paradite një vizitë në qeli Dorian Çollakut, ndërsa në fokus të tij ka qenë përse Thesari i Shtetit ka funksionuar për 16 muaj pa asnjë rregullore dhe udhëzim, duke i hapur rrugën vjedhjes të mbi 700 milionë lekëve nga kasaforta nga ana e punonjësve të saj, për një periudhë prej katër vitesh.
“Çollaku është pyetur në lidhje me mungesën e rregulloreve dhe urdhrave. Ai ka shpjeguar se urdhrat dhe këto rregulloret kanë qenë, duke u kërkuar hetuesve të çështjes që t’i gjejnë. Përgjigjet e tij kanë qenë të shkurtra dhe ai nuk ka bashkëpunuar për të zbardhur këtë skandal, që ka ndodhur në një institucion që Çollaku e ka drejtuar për gati 20 muaj, derisa u zbulua edhe supervjedhja”, pohojnë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas tyre, prokurori e ka pyetur edhe për marrjen në punë të personelit, ndërsa ai është përgjigjur se të gjitha emërimet bëheshin me konkurs. Për rreth 90 minuta, Çollaku ka treguar mungesë bashkëpunimi, ndërsa shpjegoi se ka qenë një gabim njerëzor dhe jo i drejtuesve kjo vjedhje.
Aktakuza ndaj Çollakut
Prokuroria e akuzon Dorian Çollakun për shpërdorim detyre, ndërsa ai mund të dënohet deri në 10 vite heqje lirie, nëse konstatohet se ka neglizhuar me detyrën, apo ka bashkëpunuar me Ardian Bitrajn. Mësohet se prokuroria ka verifikuar edhe hyrje-daljet e këtij personi nga Shqipëria, ku ka rezultuar se ai ka udhëtuar disa herë jashtë vendit. Hetuesit dyshojnë se Çollaku mund të ketë bashkëpunuar me Bitrajn, ndërsa ndaj tij kanë filluar edhe një hetim pasuror. Mësohet se më parë Bitraj ka qenë sërish me një detyrë të rëndësishme në Bankën e Shqipërisë, ku kontrollonte bankat e nivelit të dytë në vend.
Në lidhje me aktakuzën ndaj Dorian Çollakut, prokuroria thotë se ka rezultuar e provuar se Departamenti i Emisionit është zhvendosur në repartin “X” Linzë në janar 2013. Por, pavarësisht se kanë vazhduar funksionimin si arka për veprim, arka stok dhe dhoma transit, organizimi i punës në këto tri arka nuk është shoqëruar me miratimin e akteve nënligjore, si udhëzime apo rregullore, por ka vazhduar me rregulloret e vjetra. Këto akte nënligjore nuk e kanë rregulluar funksionimin e Departamentit të Emisionit, e si rezultat i mungesës së këtyre akteve është mundësuar edhe kryerja e veprimeve kriminale, vjedhjes së shumave të mëdha në Bankën e Shqipërisë. “Personi nën hetim, i arrestuari Dorian Çollaku, duhej të përgatiste aktet nënligjore të funksionimit të arkave me vlera monetare pranë këtij Departamenti”, thotë akuza. Sipas saj, si në arkën stok, ashtu dhe në arkën për veprim, janë kryer vjedhje në vazhdimësi të shumave të mëdha monetare, vjedhje këto që kanë ardhur si rezultat i mosfunksionimit të organizimit të brendshëm të Departamentit të Emisionit që drejtohej nga shtetasi nën hetim Dorian Çollaku. Madje, mungonte e gjithë infrastruktura për mirëfunksionimin e këtyre arkave me vlera monetare, gjë e cila ka sjellë edhe vjedhjen në të dyja arkat në fjalë shuma të mëdha monetare që kapin vlerën e mbi 700 milionë lekëve.
Somario
Hetuesit dyshojnë se Çollaku mund të ketë bashkëpunuar me Bitrajn, ndërsa ndaj tij kanë filluar edhe një hetim pasuror
Ardian Bitraj
Organizatori i supervjedhjes në Thesarin e Shtetit, Ardian Bitraj, ka pranuar të flasë, ndërsa nuk ka apeluar masën e sigurisë
Mimoza Bruzia
Edhe kjo e arrestuar ka thënë se ka qenë në dijeni se Ardian Bitraj kryente vjedhje, por nuk e ka denoncuar në polici