Teater

TKOB s’mund të jetë qendër votimi, duhet standard i ri

Drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit, kundër dhënies së ambienteve të TKOB për numërimin e votave të 21 qershorit

Drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit, Ilir Kerni, është kundër kthimit të institucionit që drejton në një ambient numërimi votash gjatë zgjedhjeve të 21 qershorit. Ndërsa sot, në skenën e TKOB, pritet të ngjitet në skenë violinisti i njohur, Shkëlzen Doli, me të parin koncert recital në Shqipëri, njëkohësisht gjatë provave për këtë shfaqje në ambientet e TKOB kanë hyrë dhe tavolina, apo materiale të tjera që duhen për një qendër numërimi votash. Në asnjë vend në botë, Opera si institucioni më i lartë i ndjeshmërisë artistike të një vendi nuk mund të mbyllë aktivitetin e saj normal, për t’u kthyer në një qendër votimi. “Kur më thanë që Teatri i Operës dhe Baletit është caktuar për numërim votash, mendova se ishte një shaka e madhe dhe jo e vërtetë. Më informuan se kjo paska qenë praktikë dhe vitet e kaluara”, thotë Kerni. Menjëherë pas kësaj kërkese, TKOB i është drejtuar me një shkresë ankimimi të kësaj kërkese KQZ-së ku arsyetonte arsyet përse nuk duhej të liroheshin hapësirat e TKOB për zgjedhje. “Ne kemi një kalendar artistik të përditshëm dhe e gjejmë pa vend edhe teknikisht realizimin e numërimit të votave në TKOB”, thotë Kerni i cili ende nuk ka marrë një shkresë përgjigje për ankimimin e dërguar. “Unë si qytetar mendoj se TKOB nuk mund të jetë ambient i tillë për t’u bllokuar për ditë me radhë për numërim votash. Në asnjë vend të botës nuk përdoret teatri për një veprim të tillë. Është koha për të kthyer standarde normale në opera. Unë nuk kam forcë të kundërshtoj, por e kam detyrim qytetar që pas kësaj TKOB të mos përdoret më si i tillë, aq më tepër kur jemi në valën e madhe të punës. Kudo përdoren ambiente të caktuara si shkollat, e aq më tepër tashmë kur shkollat janë me pushime….”, thotë Kerni. Kthimi i standardit në funksionimin e këtij institucioni është një sfidë, që sipas Kernit duhet të ndërtohet për një të ardhme më të shëndoshë. Përgjatë një viti e gjysmë në krye të këtij institucioni, një nga figurat më të njohura të baletit shqiptar, i cili la karrierën në Teatrin e Zagrebit, për t’iu përkushtuar teatrit të vendit të tij, aty ku kishte nisur hapat e para të karrierës, ka ecur drejt vendosjes të disa standardeve. Vendosja e sistemit të kontratave, një nga nismat më të vështira e nisur dhe e lënë në gjysmë që në diskutime kohë më parë, padyshim që do të mbajë emrin e Kernit. Por ndërsa një vit e gjysmë është ende pak për të gjykuar një punë, që është ende në proces, repertori i kësaj periudhe bëri që në TKOB të vijnë emra të njohur të artit shqiptar që janë të suksesshëm jashtë. Kerni i solli të gjithë në shtëpi, përmes një thirrje të sinqertë që e bëri në faqen e tij të Facebook-ut sapo mori detyrën e re. Ai i ftoi të kontribuonin për shtëpinë e përbashkët, i bindur se askush nuk mund t’i thotë jo kthimit në shtëpi. Dhe kështu ndodhi. Inva Mula, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, Angjelin Prelocaj, etj., u duartrokitën nga publiku shqiptar duke sjellë emocion. Por tashmë që kanë mbetur pak shfaqje për t’ia lënë radhën pushimeve deri në sezonin e ri, Kerni thotë se një sfidë mbetet kthimi i teatrit me ritmet e një repertori të përhershëm. Pasi skena nuk duhet të jetë e mbyllur asnjëherë. Një repertor që të përmbajë 365 ditët e vitit. Por ndërsa perdet e TKOB do të mbyllen, ato do të hapen në ambiente të tjera në sezonin e ri. Pas kaq vitesh, Teatri i Operës dhe Baletit do t’i nënshtrohet restaurimit. Kaq shumë i përfolur si proces pritet të vihet në jetë në muajin dhjetor. I gjithë procesi do të zgjasë më shumë se një vit, dhe gjatë kësaj periudhe, TKOB do të përdorë skena alternative për të vijuar punën, siç është Pallati i Kongreseve apo hapësira e teatrit të ri që pritet të ndërtohet. “Më në fund teatër me dinjitet, një gjë e mirë bëhet për artin. E shoh si një shenjë të mirë të gjithçkaje që ndodh në Shqipëri”, thotë Kerni. Ndërkohë sot në skenën e TKOB, violinisti Shkëlzen Doli vjen me koncertin e tij të parë recital.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button