Topi mbështet kandidatin e ASHE në Lezhë: Kam bindjen që Tushaj do të jetë në vazhdimësi të mandatit të tij
Kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Lezhës, Viktor Tushaj zhvilloi një takim me qytetarët e Lezhës. Në këtë takim Tushaj ishte i shoqëruar nga Kryetari i Partisë Fryma e Re Demokratike, Bamir Topi dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i FRD-së, Gazmend Oketa.
Gjithashtu, FRD-ja, pjesë e koalicionit të majtë në zgjedhjet vendore të 21 qershorit, prezantoi edhe kandidatët për anëtarë të Këshillit Bashkiak të Lehës, duke i cilësuar si njerëz me vlera të veçanta intelektuale dhe profesionale, të cilët do të japin edhe kontributin e tyre në këshillin e ardhshëm bashkiak.
Gjatë fjalës së tij përpara banorëve të qytetit të Lezhës, Viktor Tushaj theksoi se, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe me qytetarët e Lezhës do të bëjë të mundur vijimin e zhvillimit bashkisë së madhe.
“Duke pasur mbështetjen tuaj si një bonus shtesë në këto zgjedhje, në zgjedhjet e 21 qershorit, por duke pasur si garanci edhe mbështetjen e qeverisë shqiptare, e gjitha aleancës ‘Aleanca për Shqipërinë Europiane’ garantoj 120 mijë banorët e Lezhës se do të vazhdojmë së bashku rrugën e transformimet rrënjësore që ka nevojë bashkia e Lezhës. Do të dimë të ndërtojmë raportin e duhur, jo vetëm me qeverinë, pasi do të vijë një moment që do t’i mungojnë parat që të mbështesin investimet tona, por do të dimë të trokasim në çdo derë, në çdo partner, në çdo donator për t’i siguruar bashkisë së ardhshme një zhvillim ekonomik të garantuar”, tha Tushaj.
Ndërsa, Kryetari i FRD-së, Bamir Topi, tha se lista e kandidatëve, e propozuar nga kjo forcë politike, përfshin njerëz seriozë dhe të përzgjedhur me kujdes. Topi bëri thirrje për të mbështetur kandidatin e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, për Lezhën, Viktor Tushaj, si alternativën më të mirë.
“Kam besim tek kjo aleancë e cila mund të sigurojë zhvillimin që i mungoi vendit. Qytetet nuk duhet të mbeten peng i militantistëve, por qytetarët duhet të shohin të ardhmen e qytetit në mënyrë realiste”, tha më tej Topi.
Në fjalën e tij përpara banorëve të Lezhës, Bamir Topi shprehu besimin te koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Europiane se me strategjinë dhe vizionin do të mund të arrijë zhvillimin e sigurt të Lezhës. Sipas tij, Lezha ka garancinë e një zhvillimi të sigurt ekonomik.
“Zgjidhjen më inteligjente që ka bërë politika shqiptare në 2 vitet e fundit ka qenë reforma administrative-territoriale, e cila përbën një domosdoshmëri, jo thjeshtë si një reformë politike, por për nevojat konkrete për zhvillimin e zonave të Shqipërisë. Kjo që u bë me ndarjen e re, ku Shqipëria ndahet në 61 bashki. Praktikisht, ka bërë që ata që do të drejtojnë bashkinë, dhe unë kam bindje që z. Viktor do të jetë në vazhdimësi të mandatit të tij, po me përgjegjësi shumë më të mëdha, do të ketë jo thjeshtë administrimin e jetës së banorëve në zonën urbane, por do të ketë një përgjegjësi shumë më të madhe. Kështu që ne do të jemi sot këtu për të bërë këtë promovim elektoral, duke thënë votoni për z. Viktor Tushaj që të jetë në vazhdimësinë e detyrës së tij, por me një cilësi akoma më të rritur për të qenë kryetar i ri i bashkisë së madhe të Lezhës”, tha Topi.