Ekonomia

Toptanët me konflikt me “Lalzi Villas” për 25 ha tokë, kompania braktis investimin dhe zhduket pa lënë adresë

Si u shfry flluska e investimit të një prej komplekseve të pretenduar më luksozë të vilave në Gjirin e Lalëzit. Aksioneri i “Lalzit Bay Group” ishte një offshore nga Ishujt Virxhin, që në janar 2016 braktisi investimin për pamundësi financiare, duke krijuar konflikte me pronarët dhe duke lënë fatura të papaguara ndaj të tretëve…

Një konflikt mes disa pjesëtarëve të familjes Toptani dhe kompanive Lalzi Villas dhe Lalzi Partnership, që kanë pasur në plan ndërtimin e kompleksi vilash në Gjirin e Lalëzit ka përfunduar në dyert e Gjykatës.

Rea Toptani dhe Hektor Bregasi kanë paditur kompanitë Lalzi Villas sh.p.k. dhe Lalzi Partnership, që të lirojnë dhe dorëzojnë pasurinë. Ata kërkojnë lirimin dhe dorëzimin e një pasurie me sipërfaqe 100 mijë m2 (10 ha) dhe 150 mijë m2 (15), pra gjithsej 25 ha, të regjistruara në zonën kadastrale 1925, në ZRPP Durrës (volumi 6, faqe 138-139).

Nga objekti i gjyqit mësohet se krahas kërkesës për lirim dhe dorëzim pasurie, paditësit duan dhe shpërblimin për zgjidhjen e njëanshme të kontratave, që ishin lidhur që në qershor 2009 me shoqëritë Lalzi Partnership dhe Lalzi Villas si dhe marrjen e masës së sigurimit të padisë, duke hequr inskriptet hipotekore të vendosura në favor të Lalzi Villas mbi pasuritë e paditësit deri në përfundim të procesit gjyqësor.

Të dy shoqëritë rezulton se nuk kanë përmbushur detyrimin e tyre të përcaktuar sipas kontratave respektive, pasi nuk kanë paguar çmimin e plotë të shitblerjes së truallit sipas afateve të rëna dakord nga palët. Pagesa e fundit e bërë nga Lalëzi Partnership i përket gushtit 2011.

Ndërsa kompania Lalzi Villas kishte filluar ndërtimin e një kompleksi vilash në truallin brenda pasurisë 150 mijë m2 në Hamall dhe fillimisht ka bërë një pagesë të pjesshme të çmimit të kontratës, por ka qenë gjithnjë me vonesë. Më 20 janar 2016, kjo palë u është drejtuar pronarëve të truallit, duke u njoftuar në mënyrë përfundimtare për zgjidhjen e marrëdhënies kontraktore në mënyrë të njëanshme, për shkaqe pamundësie financiare.

Ndërtimi i kompleksit të vilave nuk u realizua kurrë nga palët, të cilat nuk paguan gjithashtu as pronarët e tokës.

Gjykata ka vendosur që toka të lirohet dhe dorëzohet në favor të pronarëve.

Kompania duket se është zhdukur pa lënë gjurmë. Ndërsa fletëthirrja është dërguar që në tetor në adresë të kompanisë në Kullën Green Park Tower, fletëthirrja është kthyer me shënimin se kompania nuk u gjet në adresën e deklaruar, ndërkohë që nuk ka lënë adresë tjetër dhe as ka caktuar përfaqësues ligjorë.

Edhe një tjetër shoqëri, “Murati sh.p.k.”, ka paditur dy shoqëritë në fjalë për përmbushje të detyrimit kontraktor, por shoqëritë e Lalëzit rezultojnë se kanë ndryshuar adresë.

Sipas ekstraktit në QKR, Lalzi Villas është krijuar në qershor 2009, kur rezulton të ketë lidhur edhe kontratën me pronarët e tokës në një nga zonat më të lakmuara, atë të Gjirit të Lalëzit. Aksioneri i saj është Lalzit Bay Group, i cili i bleu aksionet në vitin 2013 nga CSS Property Partners, që ishte në pronësi të një britaniku. Lalzit Bay është një kompani offshore, e regjistruar në Ishujt Virxhin. Çmimi me të cilin Lalzit Bay bleu aksionet, sipas kontratës së depozituar në QKB ishte vetëm 100 lekë.

Për vite me radhë, kompania reklamoi ndërtimin e vilave luksoze në Gjirin e Lalzit, duke pasur si target kryesor të huajt. Në faqen e saj të internetit ajo vazhdon të reklamojë se po ndërton një nga komplekset më luksoze të vilave në bregdetin e Adriatikut, në një vend mahnitës, vetëm 20 minuta nga aeroporti ndërkombëtar (foto kryesore ilustron një nga vilat e projektit).

Në janar 2016, menjëherë sapo kompania njoftoi pronarët për zgjidhje të njëanshme të kontratës, kanë filluar dhe sekuestrot mbi pasurinë e debitorit. T & G Alba sh.p.k. ka kërkuar pagimin e faturës titull ekzekutiv.

Edhe Shoqëria Mane TCI ka paditur në mars 2016 të dy kompanitë (Lalzi Villas dhe Lalzi Partnership) për të përmbushur detyrimet kontraktuale përkatëse. Por, kompania nuk gjendet në adresën e deklaruar. Mane TCI ka kërkuar më pas në dhjetor zgjidhjen e marrëveshjes së nënshkruar në gusht 2012, si rrjedhojë e mospërmbushjes kontraktore të palës së paditur.

Kompania tjetër Lalzi Partnership është krijuar edhe ajo në qershor 2009 dhe si objekt kryesor kishte në veçanti blerjen e tokave/trojeve të ndodhura në Gjirin e Lalëzit, Durrës, të regjistruara në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës, me qëllim investimi, ndërtimi e zhvillimi i ndërtesave rezidenciale, zonave tregtare, turistike (hotele e facilitete të tjera) mbi këto toka/troje. Ortakë janë NRG Europe (me 30%) dhe CSS CAPITAL MANAGERS (me 70%). Kompania ka deklaruar aktivitet minimal në bilancin e 2014-s.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button