Trafiku në Ngushticën e Hormuzit mbetet i kufizuar, pavarësisht armëpushimit
Që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit, trafiku në Ngushticën e Hormuzit vazhdon të mbetet shumë i kufizuar.
Vetëm 16 anije që transportojnë lëndë të para kanë kaluar nëpër këtë korridor strategjik, sipas të dhënave të kompanisë “Kpler”.
Prej tyre, 10 kishin lidhje me Iranin ose vinin prej tij, ose drejtoheshin atje duke ruajtur të njëjtin raport si para armëpushimit, rreth 60%.
Me një ritëm prej rreth tetë anijesh në ditë, numri i kalimeve mbetet në nivele të ngjashme me periudhën para armëpushimit.
Megjithatë, sipas analizave të “Lloyd’s List Intelligence”, trafiku është ende rreth 90% më i ulët se nivelet normale dhe mbështetet pothuajse tërësisht nga tregtia iraniane.
Analistja Bridget Diakun thekson se situata mbetet e brishtë, ndërsa Ana Subasic nga “Kpler” parashikon që kalimet mund të qëndrojnë në një maksimum prej 10–15 anijesh në ditë, nëse armëpushimi respektohet.
Të dhënat tregojnë se nga 1 marsi deri më 9 prill janë regjistruar 328 kalime të anijeve që transportojnë lëndë të para, ku 208 prej tyre ishin cisterna nafte ose transportues gazi, kryesisht të drejtuara drejt lindjes, në drejtim të Gjirit të Omanit.
Ndërkohë, situata në rajon mbetet e tensionuar; rreth 800 anije janë bllokuar në Gji që nga fundi i shkurtit, sipas “Lloyd’s List,” prej të cilave rreth 600 janë anije mallrash të përmasave mesatare dhe të mëdha.
Në total, sipas “Kpler”, rreth 172 milionë fuçi naftë bruto dhe produkte të rafinuara ndodheshin në det në Gji më 7 prill, të shpërndara në rreth 187 cisterna. Në të njëjtën zonë ndodhen gjithashtu rreth 40 anije që transportojnë plehra kimike dhe 15 anije me gaz natyror të lëngshëm (GNL).
Një prej tyre, anija “Prix”, e cila transporton 25 mijë tonë pleh të ngurtë drejt Tanzanisë, pritet të kalojë ngushticën. Nëse kjo ndodh, do të jetë vetëm ngarkesa e shtatë e plehrave që largohet nga Gjiri përmes detit që nga fillimi i konfliktit./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.