Tregu i telefonisë, AKEP: Kompanitë do kompensojnë qytetarët kur nuk ofrojnë shërbimin e premtuar
Tregu i telefonisë celulare dhe ai i ofrimit të shërbimit të internetit, jo në pak raste është bërë pjesë e debateve mbi cilësinë apo paketat e ofruara. Një ndër shërbimet që ka pasur edhe më shumë rezerva ka qenë ai i portabilitetit të numrit, ku vonesat dhe procedurat kanë qenë evidente, ndërkaq tek shërbimi i internetit, cilësia është vënë në diskutim.
Por deri më sot, konsumatorët shqiptarë nuk janë kompensuar për dëmin që mund t’iu jetë shkaktuar apo kur kanë paguar një shërbim dhe nuk e kanë marrë atë sikurse ju është premtuar. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, në planin e veprimit të këtij viti, ka vendosur në objektivat e tij edhe përfshirjen e dispozitave të kompensimit.
“Gjatë vitit 2018, AKEP do të ndjekë nga afër punën e BEREC mbi modelin standard të kontratave të konsumatorëve për shërbimet e komunikimeve elektronike. Në veçanti, AKEP do të studiojë mundësinë për të kërkuar përfshirjen e dispozitave për kompensimin e konsumatorëve nëse shërbimi i ofruar nuk përputhet me kushtet dhe afatet e miratuara. Këto dispozita do të zbatohen edhe për vonesat në portimin e numrit, dhe në një afat më të gjatë, edhe në situata të tjera kur cilësia e shërbimit është nën nivelin e rënë dakord në kontratë”, – thuhet në dokumentin e AKEP.
Një tjetër ndryshim që pritet të bëhet lidhet me rritjen e saktësisë së të dhënave të pajtimtarëve dhe numrave që ata regjistrojnë. Sipas AKEP, për të eliminuar gabimet në emër apo mbiemër, regjistrimi do të bëhet sipas numrit unik të identifikimit. Këto ndryshime pritet që të reduktojnë edhe procedurat e portabilitetit të numrit.
“Gjatë pranverës së vitit 2018, AKEP do të hartojë ndryshimet në rregulloret dhe procedurat aktuale lidhur me portabilitetin e numrit, me qëllim mundësimin e një procesi portimi krejtësisht efektiv brenda 24 orëve. Për të lehtësuar procesin, informacioni lidhur me numrin që i është dhënë një pajtimtari do të lidhet me numrin unik personal të identifikimit të pajtimtarit dhe jo me të dhënat e emrit/mbiemrit të tij që shpesh shkruhen gabimisht dhe si pasojë vonojnë ose pezullojnë procesin e portimit” nënvizon AKEP.