Te ndryshme

Tri tipologji “të paautorizuara” të kandidatëve demokratë për Shtëpinë e Bardhë

Me hyrjen e mundshme të nënpresidentit Joe Biden, në garë për kandidaturën demokrate, ajo po kthehet gjithnjë e më shumë në një kazan ku ziejnë intrigat e pallatit. Senatori Bernie Sanders po bën që kjo garë e brendshme mes demokratëve të fuqizohet me tre tipa, që po u japin në fakt fytyrën demokratëve qysh nga vitet 1960

zgjedhjeNë vitin 2008, demokratët duke nominuar afro-amerikanin Barak Obama si kandidatin e tyre për garën presidenciale, përveç risive të tjera, sollën për herë të parë njeriun më të ri në histori në këtë garë. Gjithkush besonte se zgjedhja e Barak Obamës do të sillte një fillim të ri, një erë të re.

Shtatë vite më vonë, sidoqoftë, gara për kandidaturat presidenciale është kthyer gjithnjë e më shumë në një garë të të bardhëve të moshuar nga brezi i “Baby Boom”-it, që i përkasin një organizate të plakur tashmë, duke kërkuar me dëshpërim identitet të ri, ide të reja, personalitet udhëheqës për t’ua ofruar zgjedhësve (e këtu zonja Hillary Clinton do të ishte sërish pra një risi më vete: si e para kandidate femër me shanse të mëdha për fitore).

Demokratëve u pëlqen të ledhatohen, nga fakti se partia e tyre ekziston tashmë prej më shumë se 200 vjetësh – e kësisoj ajo është edhe më e vjetër se cilado parti tjetër politike sot në botë.

Pikërisht, këtë imazh po përcjellin dhe ata. Me hyrjen e mundshme (e ndoshta me shumë gjasa) të nënpresidentit Joe Biden, 72-vjeçar, në garë për kandidaturën demokrate, tashmë ajo po kthehet gjithnjë e më shumë në një kazan ku ziejnë intrigat e pallatit, në të cilin Hillary Rodham Clinton dhe Joe Biden po luftojnë për skeptrin e presidentit.

A mos vallë tani edhe senatori Bernie Sanders po bën që kjo garë e brendshme mes demokratëve të fuqizohet me tre tipa, që po u japin në fakt fytyrën demokratëve qysh nga vitet 1960. Këtu janë ata në një renditje kronologjike:

Tipi i Kennedy-t: Rrjedh nga një familje e madhe me shumë lidhje dhe e pasur, e cila ka kaluar së fundmi shumë telashe. Biden është një ish-nxënës konvikti dhe atlet kolegji me sharmin miqësor të një punëtori, që bashkon në një, instinktin politik dhe besimin në vlerat katolike. Me fjalë të tjera, një demokrat tip Kennedy dhe një tifoz futbolli.

Si një gur themeli i demokratëve, Biden i njeh mirë linjat tradicionale të partisë në qytetet e mëdha: sindikatat, kryebashkiakët me ngjyrë, irlandezët, hebrenjtë, italianët, grekët dhe plot njerëz të tjerë nga bota e biznesit.

Nëse ai do të hyjë përfundimisht në garë, siç bënte të ditur së fundmi dhe “Huffington Post”, duke cituar këshilltarët e tij më të ngushtë, ai do të sjellë në tavolinë e do të kujtojë për shumë amerikanë përgjegjësinë morale të demokratëve për të sheshuar diferencat gjithnjë e më të mëdha mes të pasurve e pjesës së mbetur të vendit.

Botës ai do t’i prezantohet si një bërës marrëveshjesh antiideologjike në mënyrat që operonte dhe Kennedy. Ai njihet si sinonim i besueshmërisë, e tek e fundit për shumë vite ka punuar në Komisionin për Politikën e Jashtme të Senatit në SHBA dhe prej dy mandatesh është edhe bashkëpunëtori më i ngushtë i Presidentit Obama.

Intelektuali i “së majtës së re“: Senatori Bernie Sanders, 73 vjeç, lindur në kohët e marrëveshjeve të reja, të reformave ekonomike e sociale të Presidentit Roosevelt, në Bruklin, Nju Jork, dhe i rritur në të ashtuquajturën erën e “New Left” (të majtës së re) në vitet ’60. Një socialist demokrat, që në synimet e tij ka dhe vendosjen e taksave më të larta për të pasurit, vendosjen në shina të koncerneve të mëdha ndërkombëtare, bllokimin e marrëveshjeve të tregtisë së lirë, futjen e ligjeve më të forta antiemigracion (për të arritur synimin, për të ruajtur e krijuar sa më shumë vende pune për klasën punëtore), vendosjen e favoreve për studentët dhe shtresat e tjera të të varfërve, e gjithashtu, edhe reduktimin e shpenzimeve të larta ushtarake apo refuzimin e masave për të cilat nuk gjen miratim të gjerë e kompromise.

Studentja shembullore: Hillary Rodham Clinton, 67-vjeçare, personifikim i establishmentit neoliberal demokrat. Një kritike sistematike, në kohën që kryente studimet në universitet, e cila për shkak të rezultateve të saj të shkëlqyera dhe sepse nuk bëri kurrë një grevë ulur para ndonjë ndërtese administrative, gëzonte besimin e fakultetit.

zgjedhje1Religjioze dhe një ish-republikane, e cila u formësua nëpërmjet lëvizjeve “të djathta”: raca, seksi, fëmijët dhe orientimi seksual. I ka ndenjur në krah të shoqit, ish-presidentit Bill Clinton, i cili shihte potenciale të mëdha zhvillimi në centrizmin neoliberal.

Përballë “Wall Street”-it, ajo paraqitet me qëndrime miqësore, mbron dënimin me vdekje, është një zëdhënëse e marrëveshjeve për tregtinë e lirë dhe mban lidhje korrekte, por jo të ngushta me sindikatat. Veç kësaj, ajo ka bërë thirrje për një politikë të jashtme dhe atë ushtarake më të fortë.

Kaq të qarta janë këto karakteristika, saqë nuk bëhet e qartë se sa bindëse mund të jenë.

Sanders tërheq masat dhe besimin e atyre që në 2008-n kishin idhull të tyre Barak Obamën. Por Sanders ka tërhequr edhe ata që pëlqejnë tiparet e lëvizjes “Black Lives Matter”. Ajo argumenton se modeli i socializimit skandinav të Sandersit, e lë jashtë problemin e racizmit dhe të intolerancës. Probleme të cilat janë dhe arsyeja kryesore për pabarazinë ekonomike sot në rang global.

Klintonizmi dhe bindja apo rruga e tij, sipas së cilës gjithkush do të përfitonte nga fuqia e një tregu të rregulluar, shumë demokratëve u duket si e vjetruar tashmë. I ashtuquajturi “Konsensus nga Uashingtoni” i erës Clinton, mbahet në parimin se investimi nuk sjell vetëm përfitime, por edhe forcon demokracinë në vendet e dikurshme socialiste. Rezultati bazë, sidoqoftë, është ai se të pasurit thjesht do të bëheshin edhe më të pasur.

Sa i përket Biden-it, ngrihet pyetja nëse modeli Kennedy vijon të mbetet edhe sot një hit për t’u shitur në publik. Dhe nëse është akoma, në këtë rast, pyetja e radhës do të ishte, nëse Biden pas kaq shumë viteve në shërbim, do të vijonte të ishte njeriu që mund ta përfaqësonte modelin Kennedy?

Këshilltarët e tij thonë se ai posedon akoma zellin ndër deje dhe i ka akoma ato idetë e ashtuquajtura “bëje diçka tamam, jo me gjysmë zemre!”, për të ndërtuar një shoqëri të drejtë.

Askush nuk dyshon në synimet dhe objektivat e tij. Ai është një politikan i përjetshëm, që si askush tjetër në vathën e tij është më pak i prekur apo i ndikuar politikisht në idetë dhe veprimet e tij.

Gjatë karrierës së tij 43-vjeçare në Uashington, ai ka ndërmarrë disa vendime të gabuara. Dëmin më të madh e bëri, duke e trajtuar sipas kontekstit të sotëm politik, me një amendament të vitit 1994. Ky amendament sot cilësohet si shkaktar kryesor për arrestimet masive në radhët e minoriteteve (e prej tij, besohet se është rritur edhe numri i të burgosurve në burgjet amerikane në dyfishin e tyre).

Nëse do të kishte një shans, atëherë ai do të duhej të merrej me minoritetet, prej të cilave kanë marrë distancë Sanders dhe Clinton.

Ai duhet që të jetë i hapur shpesh edhe për një version të ri të partisë, që pret të lindë. Është një miks nga lëvizja “Black Lives Matter”, aktivizmi pro emigracionit, një ndërgjegjeje kulturore joeuropiane dhe një tolerance ndaj të gjitha religjioneve, llojeve të gjallesave dhe sekseve, çka duhet definuar edhe më saktë.

Veç tyre, duhet dhe një veprim më i shpejtë, që mund të vendoste mbi fatin e planetit tonë, besimi në teknologji, mediat sociale dhe të ashtuquajturën “Share Economy”, si dhe skepticizmin në lidhje me drejtësinë amerikane, fuqinë dhe detyrën, në të cilën bota duhet të marrë rolin e një lideri.

Të formosh dhe të drejtosh këtë koalicion të ri, nuk do të jetë e lehtë, pak rëndësi ka se sa i vjetër në moshë është kandidati presidencial.

Nuk duket se këta tre musketierë të erës së “Baby Boom” në SHBA do të mund ta përballonin. Ose për të cituar “Rolling Stones” në vitin 1964: Time isn’t on their side (Koha nuk është në anën e tyre).

Burimi: “Huffington Post”: Titulli në origjinal: Tri problemet e mëdha të kandidatëve demokratë në luftën për Shtëpinë e Bardhë

 

Kritiku më i ashpër, Ramons:

Katër arsye përse Donald Trump është një rrezik për SHBA

zgjedhje2Ramons ka dashur t’i bëjë një pyetje kandidatit Donald Trump, në një konferencë për shtyp rreth planeve për emigracionin. Mirëpo Trump ia ndërpreu atij fjalën dhe i tha se nuk ishte ftuar në këtë konferencë e kësisoj duhej të ulej në vend. Kur moderatori përkundrazi, protestoi mbi planet e Trump, një njeri nga sektori i sigurisë e përcolli atë më pas jashtë sallës. Pas pak, Ramos u desh të hynte sërish në sallë.

Trump, i cili kryeson garën brenda kampit republikan, ndër të tjera është shprehur se duhet ngritur një mur në kufi me Meksikën, për të mos inkurajuar emigrantët e tjerë ilegalë të bëjnë të njëjtën gjë.

E në këtë kontekst, ai tashmë prej shumë kundërshtarëve ka nisur të kritikohet aq ashpër, saqë kanë nisur ta cilësojnë “një rrezik për vetë SHBA-në”. Ramons vetë ka nisur një sulm masiv kundër planeve të Trump. Ja cilët janë më konkretisht katër rreziqet që vijnë nga kandidati presidencial që mbart mbi vete miliarda – nga pikëpamja e kritikut të tij më të ashpër.

  1. “Ai e ka shndërruar racizmin dhe armiqësinë ndaj të huajve në SHBA sërish një temë sallonesh”, thotë Ramons. Trump ka sulmuar një pakicë në SHBA dhe ka thënë se do të përzërë rreth njëmbëdhjetë milionë emigrantë pa dokumente që ndodhen në tokën amerikane.

E megjithatë, ai po shënon rritje në anketime publike e në gjirin e republikanëve kryeson. Por një gjysmë viti, para se të niste kjo fushatë, sondazhet e deriatëhershme nuk flisnin shumë për të. Nëse ndodh që t’i vërë në jetë ato që thotë, shumë republikanë do ia heqin përkrahjen, mendojnë disa.

  1. Rrethi i mbështetësve të Trump, ndërkaq, është zmadhuar, argumenton Ramons. Dhe në fakt ai është njeriu me modelin e veçantë të flokëve, që po kthehet në një fenomen për mediat. “Trump zëlartë sigurisht se po i shton kuotat e tyre të audicionit”, siç mendon edhe një vëzhgues në Uashington. Askush nuk tërheq kaq shumë spektatorë pas vetes sa Trump.

Amerikanët duan pra të ashtuquajturit “Outsiders”, të cilët mund ta vënë në pikëpyetje establishmentin aktual. Dhe për mediat vlen thënia: Sa më i zhurmshëm, aq më i mirë – të paktën në fazën fillestare, për sa kohë që nuk mendohet seriozisht.

  1. Trump u ngjit në skenën e fushatës presidenciale si një njeri antipolitik, antiestablishment. Ai u shmanget pyetjeve dhe nuk i pëlqen të hyjë në detaje, thotë Ramons. “Ne do ta bëjmë sërish të madh vendin tonë”, premton ai. E këtu ai nuk ka kurrfarë droje të premtojë edhe mrekullinë nga qielli. Disa njerëz besojnë se 69-vjeçari vetë as që e merr fare seriozisht gjithë këtë histori.

“Trump e bën këtë, pasi kështu mendon se është mirë për biznesin e tij – dhe për egon e tij”, thotë nga ana tjetër një ekspert gjerman, që është i angazhuar pranë një instituti në Uashington.

  1. “Trump është rezultat i platformave të mendimit republikan”, thotë Ramons. Idetë e tij në këtë mënyrë, nuk janë të reja. Trump, i cili kryeson në renditjen e republikanëve, ndër të tjera dëshiron që të ngrejë një mur në kufi me Meksikën për të trembur apo dekurajuar emigrantët ilegalë.

Kur manjati i ndërtimeve nga Nju Jorku në qershor hodhi në ring kapelën e tij, shumë komentatorë politikë reaguan me një nënqeshje, sikur kandidatura e tij t’i kishte prekur ato personalisht dhe sjellë keqardhje. Një njeri nga bota e parave me “gojë të madhe” dhe pa nivel. Trump ishte pikëpyetja më e madhe. Mirëpo tani ai po kryeson në sondazhe.

Burimi: Huffington Post

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button