Trudeau, Kryeministri i ri kanadez, i vetmi lider me tatuazh?
Ndërsa shumë kanadezë po gëzohen ende nga përmasat e fitores elektorale të liberalëve në vendin e tyre, të tjerë janë përqendruar te trupi atletik dhe një tatuazh i madh i kreut të ri 43-vjeçar të ekzekutivit.
Tatuazhi i Kryeministrit të sapozgjedhur të Kanadasë, ka tërhequr shumë vëmendje në median sociale së fundmi. Por a është ai i vetmi lider perëndimor me një tatuazh?
Tatuazhi i një korbi në shpatullën e majtë, është një simbol nga njerëzit indigjenë Haida të Paqësorit veriperëndimor në Kanada. Lideri i Partisë Liberale komentoi për tatuazhin e tij në vitin 2012, duke shpjeguar: “Tatuazhi im është planeti Tokë brenda një korbi Haida.
Globin e bëra kur isha 23 vjeç, korbin nga Robert Davidson ( njëri ndër artistët më të shquar bashkëkohorë kanadezë), e bëra për ditëlindjen e 40″.
Tatuazhi ishte në vëmendjen e publikut kur politikani liberal bëri një ndeshje boksi për bamirësi me politikan rival, Patrick Brazeau, dhe fitoi për çudi të të gjithëve.
Duket se ekziston një logjikë e matur pas zgjedhjes së një simboli Haida. Familja Trudeau u bë anëtare nderi e fisit Haida në vitin 1976, gjatë mandatit të dytë kryeministror të babait të Trudeau, Pierre. Justin Trudeau ndoqi Universitetin e Kolumbisë Britanike (një nga provincat kanadeze).
Por, sa e pazakontë është për një lider botëror të ketë një tatuazh?
Është e vështirë të thuhet se asnjë nga liderët shtetërorë aktualë nuk ka tatuazhe. Nëse kanë, ata i mbajnë mbuluar. Historiania e tatuazheve, Anna Felicity Friedman, thotë se ajo nuk ka njohuri për ndonjë lider të njohur botërisht me tatuazhe. Po ashtu, as profesori i tatuazheve, Kevin Gannon.
Megjithatë, në të shkuarën ka pasur shumë liderë botërorë me tatuazhe.
Cari rus, Nikolas II, bëri një dragua në krah gjatë vizitës së tij në Japoni në vitin 1891, ndërsa mbreti Aleksandër i Jugosllavisë kishte një tatuazh të madh të një shqiponje në të gjithë kraharorin. Mbreti Frederiku IX i Danimarkës, bëri disa tatuazhe me motive detare kur ishte në marinë.
Monarkët britanikë, si Xhorxhi V dhe Eduardi VII, kishin një kryq Jerusalemi në krahun e tyre për të shënuar pelegrinazhin e tyre në qytet, ndërsa shpesh është raportuar se ish-kryeministri britanik, Uinston Çërçill, kishte një spirancë – megjithëse qendra “Çërçill” thotë se nuk ka gjetur prova që e mbështesin këtë.
Në SHBA, Presidenti Tedi Ruzvelt kishte stemën e familjes së tij në kraharor, ndërsa Xhejms Polk mendohet se ka pasur një simbol kinez që përkthehej në “i etur” dhe Andru Xhekson thuhet se ka pasur një sëpatë në kofshë.
“Gjëja interesante rreth Trudeau, është se ai ka qenë shumë i gatshëm ta nxjerrë tatuazhin e tij në publik”, thotë Friedman. “Trudeau gjithashtu duket se nuk ka frikë të jetë paksa sfidues.”
Profesori i tatuazheve, Kevin Gannon, është dakord. “Të qenët kryeministër mendohet si një rol shumë serioz. Por rinia e tij, qasja e re që ai solli, ishte freskuese, dhe një tatuazh mund t’i vërë kapak imazhit të tij”, thotë profesori.
Kjo ishte një dilemë që ish-kryeministri suedez, Frederik Reinfeldt, pati përballë në vitin 2008, kur një artist i sugjeroi atij të bënte një tatuazh në kraharor me një anije të stilit viking dhe një patkua në zjarr, ku poshtë shkruhej emri i gruas së tij Filippa.
Reinfeldt e refuzoi ofertën. “Megjithëse kryeministri mendon se është e rëndësishme t’u qaset të rinjve, ai nuk ka plane të bëjë një tatuazh”, tha zëdhënësi i tij.
Michael Atkinson, profesor sociologjie nga Universiteti i Torontos dhe autor i librit “Tatuazhet: sociogjeneza e artit të trupit”, thotë se kanadezët konservatorë do ta marrin tatuazhin e Trudeau-së si provë se ai nuk është gati për vendin e punës.
“Do të ketë gjithashtu një polemikë rreth faktit që një person që nuk është nga fiset vendase në Kanada, të përdorë simbolet e tyre. Por të tjerë mund ta interpretojnë këtë si një simbol të përfshirjes”, sugjeron ai.
“Ai i flet një gjenerate njerëzish që kërkojnë për një lloj tjetër lidershipi dhe një tjetër lloj stili, qasje dhe imazhi, në kuptimin e angazhimit civil. Tatuazhi i tij është një tregues i mirë i njeriut që ai përfaqëson.”
Justin Trudeau është lideri i Partisë Liberale në Kanada dhe gjithashtu Kryeministri i ri i Kanadasë.
Burimi: BBC