AmerikaBota

Trump urdhëron rishikim të ndihmës federale për ‘juridiksionet anarkiste’

Presidenti Donald Trump ka hapur një front të ri në konfliktin e tij me qytete të drejtuara nga demokratët, duke urdhëruar zyrtarët e lartë të përcaktojnë nëse qeveria kombëtare mund të shkurtojë ndihmën federale për bashki të caktuara që ai i përshkruan si “juridiksione anarkiste”.

Në një memorandum të mërkurën, Presidenti Trump iu drejtua Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit të Shtëpisë së Bardhë për të ofruar udhëzime për agjencitë federale për pakësimin e fondeve për qytetet që “shkurtuan buxhetin” e departamenteve të tyre të policisë pas disa javë protestash urbane që kanë në shënjestër Presidentin Trump dhe politikat abuzuese ndaj pakicave.

“Administrata ime nuk do të lejojë që fondet federale të taksave të financojnë qytete që lejojnë vetë të përkeqësohet situata duke degraduar në zona të paligjshme”, thuhet në memorandumin e presidentit. “Është e domosdoshme që qeveria federale të rishikojë përdorimin e fondeve federale nga juridiksionet që lejojnë anarkinë, dhunën dhe shkatërrimin në qytetet e Amerikës.”

Përveç kësaj, Presidenti Trump urdhëroi Prokurorin e Përgjithshëm William Barr të përpilojë një listë të lokaliteteve që Departamenti i Drejtësisë i konsideron si “juridiksione anarkiste” dhe ta bëjë atë publike.

Presidenti Trump ka pohuar se ekziston një përpjekje e gjerë nga kryetarët demokratë të bashkive të disa prej qyteteve më të mëdha të Amerikës për të shkurtuar fondet e departamenteve të tyre të policisë, por shumica e kanë hedhur poshtë këtë ide. Disa kanë thënë se duan të ridrejtojnë disa fonde të policisë në programe sociale në komunitet me shpresë se kjo do të jetë një strategji më efektive për të frenuar krimin.

Veprimi i presidentit, dy muaj para garës për rizgjedhje në nëntor kundër kundërshtarit të tij demokrat, ish nënpresidentit Joe Biden, është pjesë e përpjekjes së fushatës së tij për ta portretizuar Donald Trumpin si një kandidat të “rendit dhe ligjit” dhe të pretendojë se Biden-i, nëse zgjidhet, do të mbështesë trazirat urbane.

Zoti Biden ka hedhur poshtë prerazi pohimet e presidentit për të dhe thotë se ai dëshiron të rrisë fondet për të trajnuar oficerët e policisë për rolet e ndryshme që ata luajnë në marrëdhëniet me publikun.

Në një fjalim më parë këtë javë, zoti Biden tha, “A dukem si një socialist radikal që i kam dobësi shkatërruesit? Vërtetë? Unë dua ta shpëtoj Amerikën.”

Presidenti Trump bëri thirrje posaçërisht për një rishikim të fondeve federale për qytetin Portland, të shtetit Oregon, qytetin e tij të lindjes Nju Jorkun, Siatëllin dhe Uashington, D.C – të gjitha qytete ku protestat kanë shpërthyer këtë verë kundër Presidentit Trump dhe trajtimit policor të pakicave.

Drejtori i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit Russell Vought tha në një deklaratë: “Ne po ndërmarrim veprime duke shqyrtuar të gjitha opsionet për të siguruar që burimet federale që shkojnë në qytete ku nuk zbatohet ligji nuk do të harxhohen kot. Mungesa e ligjit dhe rendit pas këtyre trazirave dhe reagimi nga udhëheqja lokale, është shkelje e detyrës”.

Demonstratat u nxitën për herë të parë nga vdekja në 25 maj e afrikano-amerikanit, George Floyd, ndërsa ishte në paraburgim policor në qytetin Mineapolis, të shtetit të Minesotës. Por protestat evoluan në një shqetësim më të gjerë rreth padrejtësisë racore në Shtetet e Bashkuara.

Qeveria amerikane u dërgon miliarda dollarë çdo vit qeverive lokale, përfshirë ndihma për projektet e transportit, strehimin, zbatimin e ligjit dhe shumë programe të tjera.

Çdo përpjekje për shkurtimin e një ndihme të tillë mund të sjellë një sfidë ligjore nga qytetet e prekura. Kongresi është ai që miraton një financim të tillë, por zyrtarët e administratës mund të përpiqen të anulojnë projekte të caktuara.

Në konferencën e së enjtes, gazetarët pyetën Sekretaren e Shtypit të Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany se çfarë financimesh janë duke u shqyrtuar dhe për kohën e hartimit të memorandumit, që vjen ndërsa qytetet luftojnë pandeminë e koronavirusit.

“Unë nuk mund t’ju jap me saktësi se cilat fonde po shqyrtohen derisa të kryhet ai rishikim. Po pse tani? Pse tani? Sepse në qytetin e Nju Jorkut keni parë një rritje prej 177% të të shtënave me armë në korrik. Ndërkohë, ju keni qeverinë e paefektshme të kryetarit të bashkisë (Bill) de Blasio dhe guvernatorit (Andrew) Cuomo që kanë shkurtuar buxhetin e policisë së Nju Jorkut me 1 miliardë dollarë”, tha zonja McEnany.

Të katër kryebashkiakët demokratë që presidenti Trump ka vënë në shënjestër – Bill de Blasio i Nju Jorkut, Ted Wheeler i Portlandit, Jenny Durkan e Siatëllit dhe Muriel Bowser e Uashingtonit – të enjten sulmuan direktivën e presidentit për rishikimin e ndihmës federale.

“Qytetet tona dhe miliona amerikanë që ne përfaqësojmë, nuk janë vegla politike të Presidentit Trump”, thanë ata në një deklaratë të përbashkët. “Ne po përballemi me sfida të papara – duke luftuar një shkatërrim pandemik dhe ekonomik pa një paketë tjetër stimuluese. Tani, në vend të udhëheqjes nga Shtëpia e Bardhë, ne po përballemi me sulme të reja që janë të paligjshme, antikushtetuese dhe padyshim do të sfidohen në gjyq.

“Presidenti Trump duhet të zgjohet me realitetin me të cilin përballen qytetet tona – dhe i gjithë vendi ynë – dhe të kuptojë se ai nuk është mbi ligjin”.

Gjatë presidencës së tij tre vjet e gjysmë, presidenti Trump, gjithashtu është përpjekur të frenojë fondet federale për ato që ai i përshkruan si “qytete strehë” – bashki ku zyrtarët janë zotuar të mos bashkëpunojnë me agjencitë federale të zbatimit të ligjeve për emigracionin në përpjekjet për të ndaluar dhe dëbuar përfundimisht emigrantë pa dokumenta, shumica e të cilëve kalojnë kufirin nga Meksika.

Një gjykatë e apelit vendosi që administrata Trump ishte brenda të drejtave të saj për të mbajtur disa fonde, por tre gjykata të tjera të apelit vendosën kundër administratës, duke thënë se ajo nuk kishte një autoritet të tillë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button