Rajoni

Tsipras kthehet pa marrëveshje, por ulen tensionet

Grekët e kanë pritur me pozitivitet takimin tepër të rëndësishëm të Kryeministrit Tsipras me Kancelaren gjermane Merkel, në vizitën e tij të parë zyrtare në kryeqytetin gjerman, megjithëse praktikisht nuk është arritur asnjë zgjidhje thelbësore për problemin akut të Greqisë, atë të boshllëkut financiar.

alexis-tsipras-gi-blogPor duket se ky takim ia ka arritur qëllimit për përmirësimin e marrëdhënieve të tensionuara në javët e fundit midis Berlinit dhe Athinës.

Prioriteti ynë për të thyer stereotipet që janë krijuar gjatë viteve të fundit është dialogu. As grekët nuk janë dembelë, por as edhe gjermanët nuk janë shkaktarët e çdo gjëje të keqe që ndodh në Greqi, ka thënë Tsipras.

“Besoj se është tepër e rëndësishme të kuptojmë njëri-tjetrin dhe teë shkëmbejmë mendime. Nuk ka mënyrë dhe rrugë më të mirë se dialogu”, tha kryeministri grek.

Pas retorikës së nxehtë në javët e fundit në qarqet politike dhe mediatike të të dy vendeve, Merkel dhe Tsipras janë përpjekur të shkrijnë akullin, por çështja e borxhit dhe ajo e reparacioneve të luftës që kryeministri grek ka hedhur në tryezë nuk mund të ndihmonin situatën në konferencën e peërbashkët për shtyp dhe janë diskutuar midis dy udhëheqësve në darkën e tyre të punës, që ka zgjatur më shumë se pesë orë dhe hollësitë pas dyerve të mbyllura ende nuk janë publikuar.

Tsipras ka vënë në dukje se pesë vitet që Greqia ka zbatuar reformat e imponuara nga huadhënësit nuk kanë qenë një histori suksesi, por dështimi, pasi është reduktuar me 25% PPB dhe papunësia është rritur në shifra rekord. Nga ana e saj, znj. Merkel ka theksuar nevojën që të shfrytëzohet sa më mirë zgjatja e afatit të programit që mori Greqia për katër muaj, duke synuar në ekzistencën e elementëve financiarë dhe duke parë se cilat reforma mund të zbatohen, ndërsa ka sqaruar se nuk është Gjermania që vendos për financimin, por Eurozona.

“Qeveria greke, së bashku me institucionet do të flasin për llojin e reformave që do të zbatohen. Dhe unë gjithashtu dua të bëjë të qartë se Gjermania nuk është institucioni që vendos nëse programi i reformave është i drejtë ose nëse ai është i mjaftueshëm. Programi i reformave do të vlerësohet nga tre institucionet (BE,BQE,FMN) dhe vendimet do të merren nga Eurogrupi”, tha Merkel.

Tsipras, i cili është pritur me nderimet e një udhëheqësi shteti, ka shtruar hapur për herë të parë çështjen e dëmshpërblimeve të luftës, duke theksuar se ajo është për Greqinë më shumë një çështje morale se sa materiale. Gjithashtu, ai ka shtruar çështjen e skandaleve të ryshfeteve të kompanisë gjermane ‘Siemens’ në Greqi, duke kërkuar ndihmën e Gjermanisë për luftën ndaj korrupsionit.

Sipas gazetave greke të së martës, hapi i rëndësishëm i shkrirjes së akullit midis dy vendeve u bë, por shqetësim kryesor në vend mbetet ende çështja e financimit të Greqisë, që thuhet se ka para vetëm për disa javë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button