Ekonomia

Turizmi, më në fund miratohen aktet nënligjore; U hapet rruga “yjeve” në hotele

U desh pak më shumë se një vit që të miratoheshin aktet nënligjore të domosdoshme për të zbatuar ligjin e ri të turizmit që u miratua në korrikun e vitit 2015.
Edhe pse Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes kishte kohë që i kishte gati, ato mundën vetëm një ditë më parë të merrnin miratimin e Këshillit të Ministrave. Më saktësisht, qeveria miratoi aktet nënligjore për agjencitë e udhëtimit, kërkesat dhe kriteret për ushtrimin e veprimtarisë; për operatorët turistikë, si dhe kushtet për kriteret dhe projektimin e ndërtimit të strukturave akomoduese.

Një javë më parë, qeveria miratoi edhe aktet nënligjore për certifikimin dhe operimin e guidave turistike. Këto akte vlerësohen si të domosdoshme për zbatimin e ligjit të ri të turizmit. Me anë të tyre do të mund të nisë më në fund procesi i klasifikimit dhe standardizimit të hoteleve sipas yjeve, gjithashtu do të mund të zbatohet edhe taksa për fjetjen në hotel sipas kësaj ndarjeje.

Në bazë të ligjit të ri, strukturave akomoduese do t’u lihet një periudhë 18-mujore për të aplikuar për klasifikimin sipas yjeve.

Skema përmban 270 kritere nga struktura fizike te stafi dhe kontrolli do të kryhet nga një institucion i pavarur nga ministria për t’u monitoruar më pas nga Inspektorati i Turizmit. Klasifikimi vlen katër vite sepse kjo është periudha maksimale që mund ruhet pa bërë investime. Pas kësaj periudhe, asnjë strukturë akomoduese nuk do të lejohet të ushtrojë veprimtarinë pa marrë certifikatën e klasifikimit. I gjithë procesi i klasifikimit do të udhëhiqet nga Komisioni i Standardizimit të Veprimtarive Turistike, ngritja e të cilit parashikohet në këtë ligj.

Më herët, ekspertë dhe përfaqësues të ndryshëm të fushës së turizmit, patën deklaruar se mosdlja e akteve nënligjore po mbante peng sektorin, i cili për sezonin e ardhshëm do të duhet të jetë gati për të operuar me rregullat e reja.
Kjo nuk do të vlejë vetëm për hotelet, por edhe për agjencitë e udhëtimit, e guidat që tashmë do të jenë të certifikuara.

Disa nga risitë e ligjit të turizmit

-Ngritja pranë prefekturave të Komiteteve Rajonale të Zhvillimit të Turizmit, që synojnë koordinimin e punës për çështjet e turizmit mes institucioneve qendrore dhe atyre vendore. Kjo do t’i paraprijë krijimit të modelit të Organizatës së Menaxhimit të Destinacionit (DMO).

-Ngritja e degëve territoriale të shërbimit të turizmit, me bazë qarku, si strukturë administrative e Ministrisë përgjegjëse për Turizmin, të cilat do të koordinojnë punën në terren, në bashkëpunimin me autoritetet vendore dhe me sektorin privat për zbatimin e politikave në fushën e turizmit.

-Është parashikuar në projektligj, ngritja e inspektoratit që mbulon fushën e turizmit, i cili ka për qëllim të sigurojë zbatimin e kuadrit ligjor të turizmit nga sipërmarrjet turistike.

-Ndërkohë që para këtij ligji, e gjithë veprimtaria për zhvillimin e turizmit fokusohej te promocioni turistik, tashmë ligji i ri i jep rëndësi primare zhvillimit të produktit turistik, standardizimit, certifikimit dhe nxitjes së investimeve serioze në turizëm.

-Ministria përgjegjëse për Turizmin mbështet financiarisht projekte në fushën e turizmit. Në këto projekte përfshihen projekte edukimi, promovimi dhe studime apo modele produktesh turistike në ndihmë të zhvillimit të turizmit, të paraqitura nga persona fizikë dhe juridikë, vendas dhe të huaj.

-Në dallim nga ligji i mëparshëm, risi për këtë projektligj është kreu për investimet në fushën e turizmit. Turizmi është përcaktuar sektor strategjik dhe për rrjedhojë janë përcaktuar lehtësitë që përfitojnë investimet me status “Investime strategjike”. Në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, shteti merr rolin e zhvilluesit si dhe përfshihet në forma të ndryshme partneriteti. Duke luajtur një rol qendror në zhvillimin e turizmit në këto zona, Ministria monitoron zbatimin e standardeve të ndërtimit të miratuara si edhe të shërbimeve të ofruara nga strukturat turistike.

-Për investimet në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, parashikohet vënia në dispozicion e pasurisë së paluajtshme, duke krijuar hapësira për investime në struktura të mëdha akomoduese, resorte (brand names). Kohëzgjatja e vënies në dispozicion të kësaj pasurie është deri në 99 vjet.

-Për të gjitha investimet strategjike pranë brigjeve të detit dhe liqenit vihet në dispozicion një hapësirë e plazhit në raport me kapacitetin e strukturës akomoduese.

-Shpallja e portit turistik në funksion të strukturës turistike (investimit strategjik).

-Krijimi i sistemit kombëtar të klasifikimit sipas kategorive përkatëse të strukturave akomoduese. Klasifikimi dhe kategorizimi i strukturave akomoduese është kusht detyrues për ushtrimin e veprimtarisë akomoduese.

-Veprimtaria e sipërmarrjeve turistike, si agjenci turistike dhe operator turistik do të licencohet pranë QKL, sipas grupit të dytë të licencave. Janë vendosur kritere dhe rregulla të detyrueshme për t’u zbatuar.

-Është parashikuar certifikimi profesional i veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik. Procesi i certifikimit përfshin organizimin e një kursi trajnimi, me provim në përfundim të tij, sipas një programi të miratuar nga Ministria përgjegjëse për Turizmin. Udhërrëfyesit janë kategorizuar në tri kategori: udhërrëfyes kombëtarë, lokalë dhe të specialitetit të veçantë.

-Pranë Ministrisë përgjegjëse për Turizmin ngrihet komisioni i standardizimit të veprimtarive turistike, i cili do të ushtrojë funksionet e veta për certifikimin e veprimtarive turistike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button