☁️
Tiranë 27°C · Vranët 02 June 2026
S&P 500 7,600 ▲0.26%
DOW 51,079 ▲0.09%
NASDAQ 27,087 ▲0.42%
NAFTA 91.33 ▼0.9%
ARI 4,546 ▲0.89%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1634 EUR/GBP 0.8648 EUR/CHF 0.9144 EUR/ALL 95.3912 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3884 EUR/TRY 53.4468 EUR/JPY 185.72 EUR/CAD 1.6097 EUR/USD 1.1634 EUR/GBP 0.8648 EUR/CHF 0.9144 EUR/ALL 95.3912 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3884 EUR/TRY 53.4468 EUR/JPY 185.72 EUR/CAD 1.6097
₿ CRYPTO
BTC $69,024 ▼ -3.97% ETH $1,977 ▲ +0.04% XRP $1.2650 ▼ -2.57% SOL $79.0000 ▼ -1.73%
S&P 500 7,600 ▲0.26 % DOW 51,079 ▲0.09 % NASDAQ 27,087 ▲0.42 % NAFTA 91.33 ▼0.9 % ARI 4,546 ▲0.89 % S&P 500 7,600 ▲0.26 % DOW 51,079 ▲0.09 % NASDAQ 27,087 ▲0.42 % NAFTA 91.33 ▼0.9 % ARI 4,546 ▲0.89 %
EUR/USD 1.1634 EUR/GBP 0.8648 EUR/CHF 0.9144 EUR/ALL 95.3912 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3884 EUR/TRY 53.4468 EUR/JPY 185.72 EUR/CAD 1.6097 EUR/USD 1.1634 EUR/GBP 0.8648 EUR/CHF 0.9144 EUR/ALL 95.3912 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3884 EUR/TRY 53.4468 EUR/JPY 185.72 EUR/CAD 1.6097
02 Jun 2026
Breaking
Ekonomia

Turizmi shqiptar 2015–2025: Një dekadë transformimi mes bumit dhe qëndrueshmërisë

Lajmet Kryesore Nga Vendi Turizëm

Turizmi shqiptar 2015–2025: Një dekadë transformimi mes bumit dhe qëndrueshmërisë

Share Share Icon

Nga Prof.Dr. Klodiana Gorica

Eksperte turizmi 

Në historinë ekonomike të Shqipërisë post-socialiste, pak sektorë kanë pasur një rritje aq galopante dhe transformuese sa turizmi në dhjetëvjeçarin e fundit.

Nga një destinacion pothuajse i panjohur dhe “sekret” i Mesdheut në vitin 2015, vendi është shndërruar në një fenomen global që dominon titujt e mediave ndërkombëtare. Por, ndërsa shifrat e mbylljes së vitit 2025 flasin për një triumf statistikor, pas tyre fshihet një realitet kompleks që kërkon një analizë të ftohtë: A është ky model rritjeje i qëndrueshëm për të ardhmen, apo po ecim drejt një saturimi që rrezikon vetë asetet tona?

Paradoksi i shifrave: Rritje sasiore vs. vlerë afatgjatë

Trajektorja e rritjes shqiptare midis viteve 2015 dhe 2025 mund të cilësohet si “shpërthyese”. Në vitin 2015, Shqipëria priti rreth 4 milionë vizitorë ndërkombëtarë, ndërsa deri në vitin 2025 kjo shifër kapërceu pragun rekord prej 12.44 milionë turistësh. Ky fluks e ka shndërruar turizmin në motorin kryesor të rritjes së PBB-së dhe një magnet për investimet e huaja. Megjithatë, kjo rritje nuk ka ardhur pa kosto.

Analiza kritike e burimeve tregon se modeli shqiptar vuan ende sezonalitetin, ku flukset përqendrohen në një dritare relativisht të ngushtë kohore, duke krijuar një presion të papërballueshëm mbi infrastrukturën dhe burimet natyrore. Mbi të gjitha, shpenzimi mesatar për turist mbetet relativisht i ulët, gjë që sugjeron se ne po importojmë volum njerëzish, por nuk po maksimizojmë vlerën e shtuar që mbetet në ekonominë lokale.

“Rritja pa qeverisje” dhe kurthi i diskursit Deklarativ

Një nga kritikat më të mprehta që buron nga literatura e specializuar është ajo e “rritjes pa qeverisje”. Ky term përshkruan një situatë ku zgjerimi i sektorit ka ndodhur me një shpejtësi që ka lënë pas mekanizmat rregullatorë dhe kapacitetet menaxhuese të shtetit. Edhe pse Shqipëria ka përqafuar formalisht Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs) të OKB-së, zbatimi i tyre në terren duket se mbetet në një nivel “deklarativ”.

Në dokumentet strategjike, qëndrueshmëria përmendet shpesh si prioritet, por kur vjen puna te vendimmarrja, prioritet absolut marrin treguesit sasiorë: numri i shtretërve, lejet e ndërtimitdhënë pë struktura akomoduese dhe numri i hyrjeve në kufi. Kjo qasje krijon një “ekologji menaxheriale” ku mbrojtja e mjedisit dhe mirëqenia e komunitetit lokal shihen si dytësore përballë rritjes së menjëhershme ekonomike. Kritikët dhe ekspertë të fushës argumentojnë se kjo logjikë neoliberale, që e sheh rritjen e pafundme si të pajtueshme me qëndrueshmërinë, është një paradoks që në afatgjatë mund të dëmtojë atraktivitetin e destinacionit.

Divergjenca territoriale: Modeli i masës vs. Autenticiteti Lokal

Nëse analizojmë territorin, Shqipëria po zhvillohet me dy shpejtësi. Nga njëra anë kemi Rivierën Durrësindhe Shëngjinin, të cilët janë kthyer në laboratorë të turizmit masiv. Këtu, urbanizimi i shpejtë, shpesh i pakoordinuar, ka krijuar presione të forta mbi ekosistemet bregdetare dhe menaxhimin e mbetjeve.

Pjesëmarrja e komunitetit në këto zona është shpesh minimale, duke çuar në një shpërndarje asimetrike të përfitimeve ekonomike.

Nga ana tjetër, zonat e brendshme si Berati, Gjirokastra dhe Korça po dëshmojnë lindjen e një modeli më premtues: agro-turizmin dhe turizmin kulturor. Këto iniciativa, edhe pse aktualisht mbeten “margjinale” në krahasim me volumin e bregdetit, tregojnë një rrugë tjetër drejt qëndrueshmërisë.

Ato fokusohen te ruajtja e trashëgimisë, punësimi lokal dhe përdorimi i produkteve të zonës, duke krijuar një lidhje më organike midis vizitorit dhe territorit. Sfida e madhe e viteve të ardhshme është se si këto modele suksesi  të integrohen në politikat kombëtare për të transformuar modelin dominues të masës.

Gjithpërfshirja e aktorëve

Për të siguruar një zhvillim të balancuar, studiuesit dhe institucionet akademike duhet të ndërmarrin analiza të thelluara që e trajtojne destinacionin Shqipëri si një sistem kompleks, duke u fokusuar në treguesit e mirëqenies njerëzore dhe jo vetëm në performancën e shifrave.

Është e rëndësishme që kërkimi shkencor të ofrojë zgjidhje për kapërcimin e konfuzionit midis suksesit të sektorit si aktivitet ekonomik dhe integritetit mjedisor të territorit. Universitetet dhe institucionet e prodhimit të dijes dhe kërkimit duhet të shërbejnë si ura lidhëse për të shndërruar parimet e përgjithshme ndërkombëtare në udhëzues praktikë dhe të zbatueshëm, duke krijuar një bazë njohurish që ndihmon në menaxhimin e rreziqeve që vijnë nga flukset e pakontrolluara.

Në anën tjetër, sipërmarrja private duhet të diversifikojë portofolin e saj duke investuar në modele që vlerësojnë autenticitetin dhe trashëgiminë, duke u larguar nga përqendrimi  vetëm në zonat bregdetare të mbingarkuara.

Ky ndryshim kërkon që biznesi të adoptojë kritere strikte të mbrojtjes së burimeve, duke u siguruar që zgjerimi i tyre të mos vijë në dëm të pasurive natyrore që i bëjnë ato tërheqëse në radhë të parë. Njëkohësisht, popullsia lokale duhet të jetë protagoniste në hartimin e planeve të zhvillimit, duke garantuar një gjithëpërfshirje sociale që siguron shpërndarjen e drejtë të fitimeve dhe mbron jetesën e përditshme nga efektet anësore të zgjerimit të shpejtë të industrisë

Shoqëria civile, përmes shoqatave dhe organizatave lokale, luan një rol kritik si urë lidhëse për të adresuar nivelet e ulëta të pjesëmarrjes së komunitetit, duke sfiduar modelin e “rritjes pa qeverisje” që aktualisht karakterizon zonat bregdetare. Ajo është motori kryesor i iniciativave “nga poshtë-lart”, si agroturizmi, të cilat dëshmojnë një përputhshmëri më të lartë me mbrojtjen e trashëgimisë dhe burimeve natyrore sesa strategjitë kombëtare të orientuara drejt rritjes sasiore.

Për më tepër, shoqëria civile duhet të veprojë si një vëzhgues kritik për të siguruar që integrimi i kornizave ndërkombëtare, si SDGs, të mos mbetet thjesht në nivel “deklarativ”, por të shërbejë si një mjet për të garantuar mirëqenien e popullsisë vendase dhe shpërndarjen e drejtë të përfitimeve ekonomike

Drejt vitit 2030: Nga volumi te vlera

Për sipërmarrësit dhe investitorët në Shqipëri, periudha 2015–2025 ka shërbyer si një provë force. Tashmë është e qartë se Shqipëria ka “emër” në hartën botërore. Megjithatë, mbështetja vetëm te rritja sasiore është një strategji e rrezikshme. Për të ruajtur suksesin, sektori duhet të lëvizë drejt indikatorëve të matshëm të cilësisë.

Qëndrueshmëria nuk duhet të jetë më thjesht një fjalë në broshura, por një kriter operacional: si të ulim presionin mjedisor, si të zgjasim sezonin përtej  muajve të verës dhe si të sigurojmë që turizmi të përmirësojë vërtet jetën e qytetarit shqiptar. E ardhmja e biznesit të turizmit në Shqipëri qëndron te aftësia për të mbrojtur ato asete natyrore dhe kulturore që në radhë të parë e bënë këtë vend të dëshirueshëm. Nëse vazhdojmë me modelin e “rritjes me çdo kusht”, rrezikojmë që “boom-i” i kësaj dekade të kthehet në një kujtim të largët të një mundësie të humbur.

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.