Turqia: Fundi i bumit ekonomik
Lajmet e këqia kanë zëvendësuar lajmet e zakonshme pozitive të viteve të fundit për ekonominë turke. Ekspertët akuzojnë qeverinë se ka humbur shansin për të kryer reforma.
Shtetet evropiane mund të gëzoheshin për një rritje prej 1,7% në katërmujorin e tretë dhe për një total prej 2,8% në nëntë muajt e parë. Por në Turqi shifrat, që publikoi së fundi zyra e statistikave në Ankara, janë pritur me zhgënjim, ata janë shumë më poshtë nga pritjet e tregut. Vendi, që deri vitin e kaluar bëri bujë me një rritje mesatare prej deri nëntë përqind në vit, duhet të kënaqet sot me shumë më pak. Plani i sivjetshëm për një rritje ekonomike prej 3,3% është në rrezik. Fillimisht qeveria kishte shpresuar madje për katër përqind.
Turqit konfrontohen me lajme të pakëndshme jo vetëm përsa i përket rritjes ekonomike. Papunësia arriti në shtator me 10,7% kufirin më të lartë që prej katër vjetësh. Papunësia e të rinjve është 20 përqind. Konsumatorët turq me sa duket nuk kanë më aq shumë para sa më parë. Shitja e automobilave ra në nëntë muajt e parë të vitit rreth 19% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Probleme të bëra vetë
Një pjesë e problemeve kanë të bëjnë me terrenin ndërkombëtar. Kështu reduktimi i blerjes së bonove nga Banka Qendrore amerikane ndikon edhe në Turqi si në vende të tjera në zhvillim: Investorët i tërheqin paratë nga Stambolli dhe investojnë në SHBA me shpresë për rritjen e interesit. Bumi i viteve të kaluara në një pjesë të madhe i dedikohej investitorëve nga jashtë. Nëse këto largohen nga Turqia, mund të ketë pasoja shumë të rënda.
Sipas ekspertëve një pjesë e vështirësive të Turqisë është e bërë vetë prej saj. Sidomos për sa i përket makinerive kanë rënë shumë investimet e sipërmarrjeve turke, thotë për DW Hanife Çetin nga instituti i studime Türksam në Ankara. Vendi ka nevojë mbi të gjitha për një bazë të fortë prodhimi dhe që të fokusohet tek kërkimi dhe zhvillimi.
FMN paralajmëron reforma strukturore
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i bëri thirrje Turqisë për reforma strukturore. Ankaraja duhet të reduktojë varësinë nga investitorët e huaj. Në periudhën pas 2008, kur paratë e investitorëve të huaj i dhanë krahë ekonomisë turke, është humbur shansi për reforma, shkruan kolumnisti Ugur Gürses në gazetën e internetit “Radikal”. Gürses theksoi se edhe trazirat politike dhe dyshimet për korrupsion kundër qeverisë ndikojnë negativisht mbi ekonominë. Pas valës së fundit të arrestimeve të gazetarëve fundjavën e kaluar kursi i lirës turke ra.
Në periudhë afatgjatë te investitorët mund të dominojë skepticizëm në lidhje me Turqinë, paralajmëron ekspertja Cetin. Megjithë periudhat afatshkurtra të rritjes për shkak të rënies së çmimit të naftës, apo për shkak të shpenzimeve më të mëdha shtetërore para zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm, mund të pritet inflacion i lartë dhe papunësi, si dhe një “brishtësi ekonomike”.
Arsimimi është çelësi
Ai që nevojitet, është një model i ri i rritjes për Turqinë, mendon Emre Deliveli, kolumnist për çështjet ekonomike në gazetën “Hürriyet Daily News”. Modeli, që bazohet në kërkesën brenda vendit, duhet të braktiset në favor të një politike në favor të një teknologjie të lartë, që orientohet nga eksporti, tha Deliveli për DW. Deri tani Turqia nuk ka arritur të prodhojë automjete, apo prodhime të teknologjisë së lartë. Parakusht për këtë janë reformat në sistemin arsimor, që mund ta çojnë vendin për shembull përpara në kërkimin dhe zhvillimin.
Por nuk është e sigurtë, që këto reforma do të kryhen në një të ardhme të afërt. Qeveria premton ndryshime, por këtë e ka bërë edhe para disa vitesh dhe nuk ka ndodhur gjë, thotë Deliveli. Para zgjedhjeve parlamentare në mesin e vitit të ardhshëm nuk mund të priten zhvillime në këtë drejtim.