MaqedoniaRajoni

Tusk në Maqedoni: Ndjej vullnet politik për integrimin euroatlantik të vendit tuaj

 Presidenti i Këshillit Evropian (KE), Donald Tusk, i cili qëndron për vizitë në Maqedoni në kuadër të takimit të liderëve të vendeve të Procesit Brdo-Brioni, pas takimit me kryeministrin e vendit, Zoran Zaev, deklaroi se “në kohët e vështira ju qëndruat me ne dhe tani ne do të qëndrojmë me ju”.

“Këtu në Shkup ndjej një ndryshim të mentalitetit politik, ndjej vullnet të vërtetë politik për integrimin euroatlantik të vendit tuaj. Njëkohësisht shoh edhe udhëheqësi të guximshme tek kryeministri Zaev drejtuar drejt së ardhmes”, u shpreh Tusk, në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Zaev.

Samiti i ardhshëm i Bashkimit Evropian (BE) që do të mbahet më 17 maj në Sofje të Bullgarisë, sipas presidentit të KE-së duhet të riafirmojë perspektivën evropiane të rajonit, ndërsa shtoi se samiti duhet edhe t’i përmirësojë lidhjet me dhe brenda rajonit, pa marrë parasysh lidhjet njerëzore, digjitale apo infrastrukturore.

“Të gjithë duhet në të njëjtën kohë bashkërisht të biem dakord për t’u ballafaquar me sfidat e përbashkëta të sigurisë, të tilla si kontrabandimi i emigrantëve, terrorizmi dhe krimi i organizuar”, tha Tusk.

Kreu i KE-së shprehu mirënjohje ndaj Maqedonisë për solidaritetin e dhënë me vendet evropiane në ballafaqimin me sfidat politike, të tilla si çështjet gjeopolitike dhe sulmet terroriste nëpër vendet evropiane.

“Ju qëndruat me ne, edhe ne do të qëndrojmë me ju. BE do të mbetet partneri më i mirë i të gjithë rajonit. BE-ja është investitori më i madh, donator më i madh, si dhe partneri më i madh tregtar i tërë rajonit”, tha ai.

Tusk poashtu falënderoi Maqedoninë, vend i cili gjatë fluksit të refugjatëve në ‘Rrugën Ballkanike’, sipas kreut të KE-së, ka qenë mjaftë e angazhuar dhe me një “zgjim të vazhdueshëm” ka ndjekur këtë çështje.

“Shumë gjëra kanë ndryshuar nga viti 2015 kur rregullisht punohej këtu me partnerët për të parandaluar fluksin e emigrantëve ilegal drejt Evropës. Që atëherë e ashtuquajtura ‘Rruga Ballkanike e emigrimi ilegal’ është e mbyllur dhe ashtu duhet të mbetet”, theksoi Tusk.

Ndërkaq, kryeministri Zaev, nga ana e tij, tha se pas KE-së Maqedonia dëshiron t’i bind edhe vendet anëtare se meriton të marrë datën dhe të fillojë negociatat për anëtarësim. Sipas tij, për këtë Maqedonia kurrë nuk ka qenë më afër.

“Dolëm nga kriza e thellë politike dhe nga një shtet i robëruar, u kthyem në rrugën në të cilën hapërojnë të gjitha vendet demokratike evropiane. Përpunuam dhe zbatuam planet e para të reformave, si Plani 3-6-9, dhe morëm rekomandim të pakushtëzuar për fillim të bisedimeve. Kemi dhënë maksimumin në këto 10 muajt e fundit”, deklaroi kryeministri Zaev.

Tusk qëndron në vizitë pune në Maqedoni, ku do të marrë pjesë si mysafir nderi në takimin e liderëve të vendeve në Procesin Brdo-Brioni, i cili këtë vit mbahet në Shkup.

Procesi Brdo-Brioni për herë të parë u mbajt në vitin 2013 me iniciativën e presidentëve të Sllovenisë dhe Kroacisë. Iniciativa u emërua “Procesi Brdo-Brioni” për shkak të idesë së përbashkët të të dy presidentëve për organizimin e saj.

Vendet anëtare të Procesit Brdo-Brioni janë Kroacia, Sllovenia, Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi, të përfaqësuara nga presidentet e vendeve.

Brdo rrjedh nga Brdo pranë qytetit Kranj, ku edhe u mbajt takimi i parë i liderëve rajonalë dhe Brijuni në nder të bashkëorganizatorit dhe partnerit të krijimit të kësaj nisme, Kroacisë. Qëllimi i iniciatorëve është integrimi evropian i vendeve të rajonit dhe stabilizimi i situatës në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe tejkalimit të çështjeve të pazgjidhura.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button