TVSH-ja, ‘përplasen’ Tatimet me biznesin, Shehaj: Do rimbursojmë vetëm faturat e 2014-ës
Nga: Ornela Manjani*
Rimbursimi i TVSH-së rikthen përplasjen mes Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe përfaqësuesve të biznesit. Sipërmarrësit kanë ngritur problemin e mosrimbursimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në takimin e zhvilluar dje me drejtoren e Përgjithshme të Tatimeve, Briseida Shehaj.
Përfaqësues të biznesit pretendojnë se nuk janë rimbursuar prej pesë vitesh, por Shehaj ka qenë e prerë në përgjigjen e saj, duke siguruar operatorët për rimbursimin e TVSH-së për vitin e shkuar. Ndërsa në lidhje me pretendimet e biznesit për mospagesat e periudhave të mëparshme, drejtorja e Tatimeve është shprehur se ligji përjashton institucionin që ajo drejton nga ky detyrim. Ndërkohë, Shehaj bëri të ditur se do të rimbursohet TVSH-ja e vitit 2014, e cila arrin vlerën 9.8 miliardë lekë.
Rimbursimi
Drejtorja e Përgjithshme të Tatimeve, Briseida Shehaj i është përgjigjur negativisht në formë të prerë kërkesës së biznesit për rimbursimin e TVSH-së, fatura të cilat janë akumuluar për vite me radhë si detyrim i Tatimeve ndaj biznesit. Sipas saj, ligjërisht askush nuk do të rimbursohet për periudhën para 1 janarit 2014. Sipas Shehajt, aktualisht biznesit po i shërbehet në kohë më të shkurtuar për rimbursimin e TVSH-së dhe nënvizoi se është abuzuar shumë me rimbursimin e TVSH-së vitet e kaluara, ku firma fantazmë kanë marrë para nga shteti. Drejtorja e Tatimeve ka qartësuar biznesin në lidhje me pagesat që janë kryer nga Thesari për gjatë këtij viti. “Për muajin janar sistemi i migrimit të të dhënave ka bërë diku në datën 28, dhe unë jo më vonë se data 31 kam firmosur dhe pagesat e fundit për kompanitë, sidomos për drejtorinë e VIP-ave, që besoj duhet të jenë para të paguara në datën 2 ose 3 shkurt të kaluara nga Thesari. Qeveria shqiptare ka marrë përsipër të gjitha detyrimet e prapambetura që nuk u paguan nga qeveria e mëparshme”. Ndërsa në lidhje me pagesat e prapambetura, Shehaj u shpreh se ka një Vendim të Këshillit të Ministrave, që është shumë sqarues se çfarë do të ndodhë. Administrata tatimore rimburson TVSH-në e krijuar nga data 1 janar 2014. Që do të thotë që ne kemi rimbursuar 9.8 miliardë lekë TVSH të krijuara në vitin 2014.
TVSH-ja
Sipas legjislacionit në fuqi, fusha e zbatimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar përfshin furnizimin e mallrave dhe të shërbimeve që kryhen nga personat e tatueshëm, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë si dhe importet. Në mënyrë të përgjithshme, kur TVSH-ja e paguar në blerje (e zbritshme )është më e madhe se TVSH-ja e zbatuar në shitje (e mbledhshme), nënvlerë dhe në një kohë të caktuar, personit të tatueshëm i lind e drejta e rimbursimit të shumës së TVSH-së. Kjo shumë është e barabartë me diferencën e TVSH-së së paguar në blerje, me atë të zbatuar në shitje. Rimbursimi është një ndër aspektet më të rëndësishme të mekanizmit të TVSH.