UEFA shkruan për Kosovën në prag të ndeshjes me Sllovakinë
Federata Europiane e Futbollit (UEFA) ka publikuar një analizë për ndeshjet gjysmëfinale të “play-off”-it evropian për Kupën e Botës 2026, ku në fokus është edhe Kombëtarja e Kosovës.
Sipas UEFA-s, Kosova është një nga skuadrat që synon të bëjë hapin historik drejt kualifikimit në Botëror, pasi ka siguruar pjesëmarrjen në këtë fazë falë vendit të dytë në grupin kualifikues.
Në analizën e tyre për gjysmëfinalet, UEFA thekson se Kombëtarja e Kosovës do të përballet me Sllovakinë në një duel shumë të rëndësishëm, ku çdo gabim mund të jetë vendimtar, pasi ndeshjet zhvillohen me eliminim direkt.
“Qëllimi i Kosovës është një finale e parë e madhe në histori, dhe trajneri i tyre gjerman, Franco Foda, po merr guxim nga seria e tyre prej pesë ndeshjesh pa humbje (3 fitore, 2 barazime)”- bënë të ditur UEFA.
Artikulli vë në pah se kjo fazë përfshin 16 kombëtare që luftojnë për vetëm katër vende në Kupën e Botës, duke e bërë konkurrencën jashtëzakonisht të fortë dhe presionin shumë të madh për të gjitha ekipet.
Nëse arrin të kalojë Sllovakinë, Kosova do të përballet në finale me fituesin e çiftit Turqi kundër Rumani, në përpjekje për një vend në Kupën e Botës 2026.
Në përmbledhje, UEFA e konsideron Kosovën si një nga skuadrat që mund të befasojë në këtë fazë, ndërsa ndeshja ndaj Sllovakisë shihet si moment kyç për ëndrrën historike të kualifikimit.
/KosovaPress/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.