Ulja e çmimit të internetit ‘Roaming’ mes Europës dhe Ballkanit Perëndimor, Rama: Hyri në fuqi më 1 tetor, e konkretizuam në samitin historik në Tiranë
“Mirmëngjes, dhe me lajmin e mirë se prej 1 tetorit, çmimet e “Internetit Roaming” mes Europës dhe Ballkanit Perëndimor janë ulur mesatarisht deri 99%, të konkretizuar pas firmosjes së marrëveshjes në samitin historik të dhjetorit në Tiranë, ju uroj një ditë të mbarë“- shkruan Rama në Facebook.
Duke nisur nga ky tetor, kufiri i çmimit për 1 GB Roaming në kuadër të ofertave dhe paketave speciale, nuk duhet t’i kalojë 18 euro, duke e bërë kështu udhëtimin dhe komunikimin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor më ekonomik. Në shumë raste, kufiri i çmimit prej 18 euro brenda ofertave dhe paketave speciale shkon edhe shumë pak, deri në 1.6 euro për 1 GB. Por kompanitë celulare që operojnë në Shqipëri do të duhet që paraprakisht të kenë marrëveshje me operatorët e telekomunikacionit të BE-së për tarifat e reja.
Në samitin e BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt më 6 dhjetor 2022 në Tiranë operatorët e telekomunikacionit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dolën në një deklaratë të përbashkët, e cila do të bënte të mundur uljen e parë të kostove të roaming-ut midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në vitin 2023, me synimin për t’i hequr ato plotësisht më pas.