Ekonomia

Urdhri i Farmacistëve: Kreditet e blera në këmbim të barnave nuk njihen

Farmacistët duhet të jenë të kujdesshëm në sigurimin e krediteve që nevojiten për mbrojtjen e vendit të punës dhe licencës profesionale. Kjo pasi gjatë kohëve të fundit po vërehen fenomene abuzive, ku shpërndarës të ndryshëm farmaceutik, në këmbim të shitjes së barnave të tyre, u ofrojnë farmacistëve kredite, të cilat nuk janë të njohura nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim (QKEV).

Urdhri i Farmacistëve bën me dije se ka pasur sinjalizime që disa shpërndarës farmaceutikë, duke abuzuar edhe me emrin dhe kompetencat e Urdhrit, ofrojnë kredite fiktive në këmbim të furnizimit më një sasi të caktuar barnash.

“Çdo tentativë për shitje kreditesh në këmbim të blerjes së barnave nga shpërndarës farmaceutikë është e paligjshme dhe si e tillë duhet të refuzohet nga farmacistët.

Në lidhje me këtë fenomen, Urdhri i Farmacistëve kërkon nga QKEV që të marrë masat ndëshkuese që parashikon ligji për të gjitha këto subjekte farmaceutike”, bëjnë me dije autoritetet e këtij Urdhri. Sipas tyre, farmacistët mund të sigurojnë kreditet e nevojshme nga zbatimi i programit të certifikimit, duke ndjekur vetëm aktivitetet e akredituara nga QKEV, shpallja e të cilave bëhet periodikisht online edhe në faqen zyrtare të këtij institucioni.

“Nga aktivitetet që janë organizuar gjatë vitit 2016, farmacistët kanë pasur mundësinë të përfitojnë 37 kredite pa pagesë. Ndërkohë që numri optimal i krediteve që nevojitet për një vit është 15”, sqarohet nga Urdhri i Farmacistëve.

Po sipas këtyre burimeve, brenda një harku të shkurtër kohor do të bëhet publik edhe programi i aktiviteteve të edukimit në vazhdim që do të zhvillohen përgjatë 2017-ës, ku farmacistët duhet të fitojnë kreditet e duhura.

Deri në mbyllje të vitit të ardhshëm, (mbarimi i programit 4-vjeçar), farmacistët dhe ndihmës-farmacistët, duhet të sigurojnë detyrimisht 60 kredite. Në të kundërt duhet të paraqiten për të dhënë provim shteti për të mos humbur licencën e punës.

Vlefshmëria e krediteve të fituara

Kreditet e përfituara nga aktivitete të edukimit në vazhdim të lidhura drejtpërdrejt me specialitetin e profesionistit duhet të përbëjnë të paktën 50 për qind të numrit të përgjithshëm të krediteve të raportuara nga profesionisti.

Ndërsa kreditet e siguruara nga aktivitete të edukimit në distancë duhet të përbëjnë jo më shumë se 50 për qind të numrit të përgjithshëm të krediteve të raportuara. Lidhur me kreditet e përfituara nga aktivitete të vetëraportuara, sqarohet se do të përllogariten deri në 20 për qind të numrit të përgjithshëm të krediteve të raportuara nga profesionisti.

Numri vjetor minimal i detyrueshëm i krediteve të edukimit në vazhdim për farmacistët dhe ndihmësfarmacistët është 5 kredite. Pjesa tjetër e krediteve të nevojshme përcaktohet nga zgjedhja e lirë e profesionistit, në bazë të nevojave individuale.

Në fund të ciklit 4­vjeçar të certifikimit, përveç numrit të krediteve të kërkuara, profesionistët duhet të marrin 10 kredite përmes një testi vetëvlerësimi. Ky test do të zhvillohet online dhe lidhet me specialitetin e profesionistit.

Në këtë formë veprohet edhe për të gjitha profesionet e tjera mjekësore, specialistët e të cilëve duhet të ndjekin të gjitha aktivitetet e duhura të edukimit në vazhdim për të siguruar kreditet e nevojshme që do të shërbejnë në mbrojtje të vendit të punës.

Kategoritë që përjashtohen nga skema e krediteve

Janë një sërë kategorish që janë të përjashtuara nga programi i sigurimit të krediteve. Konkretisht profesionistët që dalin në pension brenda periudhës 4 vjeçare të ciklit dhe që nuk do të vazhdojnë ta ushtrojnë profesionin e tyre në sektorin privat, përjashtohen nga detyrimet e programit të certifikimit për këtë cikël.

Po ashtu edhe profesionistët, të cilët gjatë një viti kalendarik të ciklit të programit, ndërpresin punën për një periudhë 4-mujore, ose edhe më gjatë, përjashtohen nga kërkesat dhe detyrimet për sigurimin e krediteve vetëm përgjatë këtij viti.

Shpëtojnë nga këto detyrime edhe farmacistët që janë në pension dhe ushtrojnë profesionin. Ndërsa farmacistët që punojnë me kohë të pjesshme, duhet të plotësojnë të njëjtat kritere të programit si ata që ushtrojnë profesionin me kohë të plotë. Nuk përfshihen në program profesionistët që punojnë në administratë.

Transferimi i krediteve

Sipas rregullores lejohet edhe transferimi i krediteve. Çka do të thotë se kur një profesionist shëndeti siguron gjatë një viti më shumë kredite se sa niveli i përcaktuar, lejohet transferimi i tyre për vitin pasardhës.

“Kreditet shtesë të mbledhura gjatë një viti mund të transferohen në vitet e tjera të ciklit 4-vjeçar të certifikimit. Pra, nëse ju jeni farmacist dhe gjatë vitit të parë mblidhni 25 kredite, atëherë 10 kreditet shtesë mund transferohen për vitin pasardhës”, sqarohet në rregulloren e udhëzimit mbi kreditet e nevojshme.

Gjithashtu, edhe nëse keni përfunduar një kurs pasuniversitar, një program të nivelit “Master” ose “Doktoraturë”, që janë të akredituar, brenda ose jashtë vendit, kreditet përkatëse njihen nga Programi i Certifikimit sipas kriterit 1 kredit akademik që është sa 25 kredite të edukimit në vazhdim.

 

Dokumentet për farmacistët që do punojnë për herë të parë gjatë 2017

Farmacistët që kaluan me sukses provimin e shtetit, sezoni janar 2017, duhet të dorëzojnë dosjen e dokumenteve të kërkuara për të fituar anëtarësimin, nëpërmjet të cilit mund të aplikojnë për të vijuar punë si ndihmës farmacist dhe farmacistë.

Çdo farmacist që do ushtrojë për herë të parë gjatë këtij viti profesionin duhet të paraqitet personalisht në Këshillin Rajonal përkatës me dosjen përkatëse të dokumenteve ku duhet të përfshini:

  • Kërkesë për anëtarësim në Urdhrin e Farmacistëve të Shqipërisë sipas formatit të miratuar nga Këshilli Kombëtar.
  • Fotokopje e Diplomës Universitare dhe listës së notave të noterizuara (Farmacistët të cilët diplomohen jashtë Republikës së Shqipërisë dhe shtetasit e huaj duhet të paraqesin njësimin e diplomës së tyre në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, fotokopje të përkthyer dhe të noterizuar të diplomës dhe listës së notave dhe/ose fotokopje të përkthyer dhe noterizuar të vërtetimit të kryerjes së provimit të shtetit)
  • Të jenë shpallur fitues në provimin e shtetit në dokumentin zyrtar të ardhur nga Agjencia Kombëtare e provimeve.
  • Fotokopje e kartës së identitetit ose pasaportës, si dhe 3 fotografi.
  • Mandat pagesa për tarifën e regjistrimit 1500 lekë.
  • Certifikatë të gjendjes civile nëse ka ndryshime të të dhënave personale.

 

Në rastin e aplikimit për certifikatë si i punësuar,duhen edhe:

  • Fotokopje të kartës së anëtarësisë (nëse ka qenë më parë anëtar i këtij Urdhri).
  • Vetëdeklarim sipas formatit të miratuar nga Këshilli Kombëtar.
  • Kontratë pune me punëdhënësin.
  • Fotokopje e ekstraktit historik të QKR të subjektit farmaceutik të 3 muajve të fundit.
  • Fotokopje e QKL.
  • Fotokopje e Certifikatës së Urdhrit të drejtuesit teknik të subjektit farmaceutik ku do të punësohet.
  • Gentplan dhe planvendosje të objektit ku do të ushtrohet profesioni.
  • Deklarata e pronarit të subjektit farmaceutik sipas nenit 19 të Statutit të UFSH (nëse pronari është jofarmacist).
  • Mandatpagesën për lejen e ushtrimit të profesionit 5000 lekë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button