Ekonomia

Urdhri i Ministrisë së Financave për emergjencën në Durrës, Tiranë e Lezhë

Ky është urdhri i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë i nxjerrë më 2 dhjetor nga titullari i këtij institucioni, ministrja Anila Denaj mbi prioritetin e pagesave në Kushtet e gjendjes së shpallur të fatkeqësisë natyrore në tre qarqet më të prekura nga tërmeti.

Sipas këtij urdhri faturat e këtij viti do të paraqiten pranë degëve të Thesarit deri në datë 15 dhjetor dhe më pas nuk do të pranohet asnjë faturë që futet në buxhetin e 2019.

Ndërkohë që ndalohen autoritetet kontraktore të nënshkruajnë kontrata të reja që janë në proces prokurimi apo të ndërmarrin procedura të reja prokurimi me fondet publike (përveç fondeve të emergjencës/fatkeqësisë).

URDHRI I PLOTË

Drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Degës së Thesarit

Në vijim të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.750, datë 27.11.2019 “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në qarqet Durrës dhe Tiranë” dhe vendimeve të lidhura (Lezhë, etj) për sigurimin e fondeve të nevojshme për emergjencën, pagesat e transaksioneve të shpenzimeve të njësive të qeverisjes së përgjithshme do të kryhen si më poshtë:
1. Faturat e datuara brenda vitit 2019 do të paraqiten pranë degëve të Thesarit deri më datë 15 dhjetor 2019. Përtej kësaj date nuk pranohet më asnjë faturë për llogari të buxhetit të vitit 2019.

  1. Autoritetet kontraktore ndalohen menjëherë të nënshkruajnë kontrata të reja që janë në proces prokurimi apo të ndërmarrin procedura të reja prokurimi me fondet publike (përveç fondeve të emergjencës/fatkeqësisë).

  2. Prioriteti i radhës së pagesave për transaksionet e shpenzimeve të njësive të qeverisjes së përgjithshme, përcaktohet në rend shterues si më poshtë:
    a) Pagesat për shërbimin e borxhit;

b) Pagesat për shpenzime emergjente spitalore me funksion jetësor (blerje oksigjen, gjak, ushqim, etj);
c) Pagat e punonjësve të qeverisjes së përgjithshme dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore;
d) Transfertat në Institucionin e Sigurimeve Shoqërore për pagesat e pensioneve;
e) Ndihma ekonomike/pagesë papunësie;
f) Pagesat për ujin dhe energjinë elektrike;

g) Çdo pagesë tjetër nga fondet publike në zbatim të një Vendimi të Këshillit të Ministrave për përballimin e situatave emergjente apo katastrofave natyrore në rastet e pagesës së punëve, mallrave dhe shërbimeve, të shkaktuara prej tyre, ose që konsiderohen prioritet kombëtar;
h) Pagesat në valutë nga llogaria e unifikuar e Thesarit “Depozitë e Qeverisë” (TSA) në lekë në Bankën e Shqipërisë.

  1. Faturat që nuk parashikohen në pikën 3, do të regjistrohen në SIFQ nga degët e Thesarit në llogarinë ekonomike “4865100-Shpenzime të periudhave të ardhshme-Detyrime që rrjedhin nga prioriteti i emergjencave” dhe do të paguhen në vijim sipas rendit kronologjik hyrje e parë-dalje e parë (FIFO).
    Urdhri mban firmën e ministres së Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj. /e.s/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button