“Vajza e vogël” (91-vjeçare) me shkrepëse!
Nga Iris Sojli
Na ishte një herë një vajzë e vogël, 91 vjeçe, që rritej tërësisht e vetme, në fshatin Fan të Mirditës, mes limonësh që rriteshin po aq vetë sa dhe Barbulla. Ashtu e quanin vajzën.
Ishte prag Krishtlindjesh. Në anën tjetër të botës, që quhej Shqipëri, njerëz me kravata, kostume, fustane dhe pallto të buta e të ngrohta vazhdonin punët e tyre nëpër salla të ngrohura me kondicioner, nëpër makina me sedilje lëkure që mbulonin kaloriferët, të cilët ishin instaluar për të ngrohur prapanicat e të zotëve, nëpër restorante me flakën bubulake që ngrihej krenare në oxhakun prej guri dhe nëpër dhoma gjumi të dekoruara me perde stofi të trashë.
Rrugët e kësaj ane të botës që quhej Shqipëri, ishin të ndriçuara me llamba shumëngjyrëshe, të cilat habisnin të mëdhenj dhe të vegjël dhe ndriçonin aq shumë, sa verbonin sytë e të gjithë banorëve.
Si ndriçimi i rrugëve, ashtu edhe ngrohja e duarve, këmbëve, prapanicave të të gjithë këtyre njerëzve që jetonin në këtë botë të quajtur Shqipëri, mundësohej përmes kabllove të gjatë, të pafundmë e të ngatërruar, që nisnin që prej disa turbinave, të cilat ndodheshin pranë burimeve ujore dhe kthenin ujin e tyre në energji elektrike.
Patjetër që kabllot ishin aq të gjatë sa mbërrinin deri te fshati i largët i Barbullës. Ata që ngrohnin prapanicat e tyre në sediljet me kalorifer të makinave shtetërore, ia kishin bërë këtë nder “vajzës” 91-vjeçare dhe bashkëfshatarëve të saj. Dikur, edhe foleja e saj ndriçohej nga një llambë, drita e së cilës ishte e vetmja mikeshë me të cilën Barbulla mund të këmbente dy fjalë, dy shpresa, dy ëndrra. Në fakt ëndrra nuk i kishin mbetur dhe shumë, dhe kjo, jo sepse i kishte realizuar të gjitha.
Një ditë të bukur, tek po thithte kafenë e ngrohtë të mëngjesit, njërës prej atyre prapanicave që ngroheshin mbi sediljet me kalorifer të makinave, pjesërisht të paguara nga Barbulla, iu kujtua se po vinin festat e fundvitit dhe arka ishte pak si bosh. Kohët e fundit ishte dashur të bëheshin disa udhëtime jashtë botës që quhej Shqipëri, për të bërë disa ekspozita pikture. Po ashtu, ishte dashur të paguheshin edhe disa gazeta dhe revista, për t’u thënë banorëve jashtë botës që quhej Shqipëri sesa mirë jetojnë tashmë Barbullat e saj, e për më tepër, perdet e stofit sikur ishin bërë pak demode. Vjollca e errët, aq shumë në modë vitin e kaluar, ishte zëvendësuar tashmë në katalogët e arredimeve, nga një e kaltër në jeshile, që si në botën që quhej Shqipëri, ashtu dhe në botën jashtë saj, e quanin ngjyrë petrol. Po, po! Duheshin blerë patjetër ato perde. “Po ku t’i gjej paratë?” pyeti prapanica e ngrohtë tek gëlltiste gllënjkën e fundit të kafesë së shtatë të asaj dite.
Harrova të përmend se, i gjithë ky shërbimi me kabllo dhe energji që vinte nga burimet ujore ishte me pagesë, të cilën disa e kryenin e disa jo. Nga ana tjetër, disave mund t’ia prinin dritat nëse nuk paguanin, e disave as që bëhej fjalë. Lekët e atyre faturave ata i kishin dhënë parapagesë, për të blerë vota për një konkurs që shpallte kryeprapanicën e ngrohur, një konkurs, i cili në botën që quhej Shqipëri, mbante emrin “Zgjedhje të lira”. Sa herë që e tregoj këtë përrallë, del një i çmendur që pyet: “Sa të shtrenjta ishin këto zgjedhjet e lira në botën që quhej Shqipëri?”. Fatmirësisht, këtë herë përrallën po e shkruaj, ndaj pyetjeve të tilla nuk do të më duhet t’u kthej përgjigje. E në fakt nuk është se e kam një të tillë.
“Ku t’i gjej? Ku t’i gjej?” – po vriste mendjen tek po udhëtonte drejt zgjidhjes së halleve të kombit, prapanica e ngrohtë tashmë mbi sediljen e makinës, pjesërisht të paguar nga Barbulla, vajza e vogël, 91-vjeçare. “E gjeta!” kërceu përpjetë prapanica, që tashmë ishte tejnxehur. “Shkoni prijani dritat të gjithëve, domethënë … të gjithë atyre që mund t’ia prisni, që të detyrohen të paguajnë. Dhe ma çoni për riparim këtë sedilje të shpifur. I punon kaloriferi pak si shumë, ne jemi të parët që duhet të japim shembullin e ekonomizimit të energjisë. Pak më pak ngrohje për prapanicën time, ju lutem.”
Kështu, një zotëri nga Mirdita, mori një ditë mundimin të ngjitej deri në fshatin Fang, për të prerë dritat në folenë e Barbullës, meqë ajo ishte treguar qytetare jokorrekte, le ta themi troç, qytetare hajdute, që vidhte dhe jetonte në kurriz të kombit dhe nuk kishte paguar faturën e korrentit. Patjetër që kishte një arsye të fortë. Nuk kishte pasur para për ta bërë këtë pagesë. Barbulla nuk kishte para as për të ngrënë në restorante me oxhaqe, as për të blerë perde stofi ngjyrë petrol. Po ky nuk ishte problemi i prapanicës së djegur, mbi sediljen e mbuluar me lëkurë ngjyrë bezhë (ishte modeli më i lirë gjatë blerjes meleasing të makinave shtetërore – se çfarë është leasing e kishte shpjeguar vetë një prapanicë, në sallën ku mblidheshin të gjitha prapanicat e shquara të botës që quhej Shqipëri, të cilat kishin dalë të parat në konkursin “Zgjedhje të lira”).
Barbulla duhet të kishte ditur ta kullandriste më mirë jetën e saj 91-vjeçare. Nuk bëhet kështu. Rri tjetra pa paguar dhe nuk jep asnjë shpjegim. (Jo, jo, shpjegimet dhe thirrjet e dëshpëruara në media nuk quhen. Nuk mund t’u kërkohet prapanicave kaq të zëna me hallet e kombit, të merren me reportazhe klienteliste, të kryera nga gazetarë klientelistë, për llogari të kanaleve klienteliste). Ja për shembull, vërtet ai boti nuk e ka paguar faturën e tij disa milionëshe, por u tregua i përpiktë; erdhi dhe deklaroi: “Nuk dua ta paguaj faturën. Kur të më japësh lejen e ndërtimit për të cilën t’i kam dhënë paratë parapagesë që në 2013-n, atëherë flasim për dritat”.
Barbulla e gjorë mbeti në errësirë. Në cepin e folesë së saj kishte një kuti shkrepësesh, të njomur nga lagështia. Kishte dëgjuar dikur, kur i tregonin edhe asaj përralla (nga ato të vërtetat, se përralla të rëndomta vazhdonin i tregonin përditë) se një vajzë e vogël si ajo, e mbetur e vetme në rrugë, kishte kaluar natën e Krishtlindjeve duke shitur shkrepëse. Por Barbulla jonë, vetëm një kuti kishte dhe atë të njomur nga lagështia. Kush do ia blinte? Pastaj, edhe sikur t’ia blinte dikush, a mjaftonin paratë për faturën e saj të energjisë, në gjithë atë fole, pa kondicioner, pa televizor, pa lavatriçe, pa frigorifer, pa mikrovalë, pa bolier, pa zile? “Jo, jo!” mendoi Barbulla tek po pinte ujë nga pusi i saj, i cili nuk ishte i lidhur me kabllo për ta kthyer ujin në elektricitet. “Më mirë po i ruaj ato shkrepëse për t’u ngrohur.” Kur kalimtarët ishin futur nëpër shtëpitë e tyre, tek përralla me vajzën dhe shkrepëset, vajza e vogël ishte ngrohur me to gjithë natën. Ashtu do të bënte dhe Barbulla, deri sa t’i lidhnin dritat sërish. Patjetër që dikush do e dëgjonte thirrjen e saj për pakëz dritë, në televizionet e botës që quhej Shqipëri.
Pasi shoi etjen me ujët e pusit, Barbulla u fut në folenë e saj dhe ndezi një shkrepëse për të ngrohur duart e njoma, plot rrudha dhe kallo. “Ja, m’u ngrohën duart”, tha me vete vajza 91-vjeçare. “Paska qenë e zgjuar ajo picirrukja. Me siguri përralla mbaronte me vajzën të futur në një shtëpi të ngrohtë, plot dritë. Nuk më kujtohet fundi i saj, po ashtu duhet të ketë qenë. Sa vite kam pa dëgjuar përralla …”
E kështu, dritat në anën tjetër të botës që quhej Shqipëri vazhdonin të fikendizeshin për të verbuar kalimtarët e mahnitur. Kaloriferët vazhdonin të ngrohnin prapanica që rendin nëpër makinat e paguara pjesërisht nga Barbulla, për të zgjidhur hallet e kombit. Perdet e stofit nëpër dhoma gjumi nga vjollcë u bënë petrol dhe shkrepëset e Barbullës mbaruan.
Barbulla u shtri një natë të flinte, ndërkohë që paratë e faturave të mbledhura nga hajdutët e kombit, si Barbulla, që tashmë po ndëshkoheshin një nga një, po ngrohnin portofolin e prapanicës së djegur. Me ato para do të ngriheshin shkolla, kopshte, rrugë të reja, do të ngroheshin breza e breza të rinj që do të përcillnin krenarinë e të qenët qytetar i botës që quhej Shqipëri. Ja e kishte vënë edhe Barbulla gurin e saj në ndërtimin e Rilindjes së një kombi, që e vrisnin dhe e rilindnin çdo tetë vjet. Këto bindje të kontributit të saj për një botë që quhej Shqipëri, më të mirë e të begatë, ishin të vetmit dëshmitarë të gjakut të Barbullës që ngrinte brenda venave 91-vjeçare. Disa ditë më parë, gishtat, tashmë të ngrira dhe të pajeta, kishin bërë kryqin e besimit. Kishin prekur ballin, tashmë të pajetë, kraharorin, tashmë të pajetë, supin e djathtë, tashmë të pajetë dhe supin e majtë, gjithashtu të pajetë tashmë. Në fund të fundit po vinin Krishtlindjet. Krishti do të lindte virgjërisht dhe do të ndriçonte gjithë botën. Edhe atë që quhej Shqipëri, edhe atë jashtë saj. Do të sillte kondicionerë të rinj në vila të reja. Kaloriferë të rinj në makina të reja. Oxhaqe të rinj (të ndërtuar si të vjetër se bënin më shumë efekt) në restorante të reja ku do të haheshin dreka e darka të reja me miq të vjetër, në pritje të pallateve të reja. E të gjitha këto begati kushtonin vetëm një Barbullë. E ç’ishte një Barbullë? Thjesht një personazh përrallash në botën që quhej Shqipëri, ku të gjitha prapanicat e ngrohura, jetojnë njësoj të lumtur. Madje, pa Barbullën edhe më shumë.