Valdet Rama hedh sytë nga Seria A
Xhenoa, Atalanta dhe Sasuolo nisin bisedime me përfaqësues të mesfushorit
Klubet e Serisë A kanë filluar të interesohen për mesfushorin shqiptar, Valdet Rama, i cili është i gatshëm të transferohet drejt Italisë. Lojtari 26-vjeçar është pa ekip prej rreth një muaji, pas ndërprerjes me marrëveshje të kontratës së tij me Real Vajadolid, si pasojë e rënies nga kategoria të ekipit spanjoll. Emra të njohur si Xhenoa e Atalanta, por edhe klubi surprizë i sezonit të kaluar në elitën e futbollit italian, Sasuolo, kanë filluar bisedimet me përfaqësuesit e mesfushorit me tipare ofensive.
Paraqitjet e Ramës në pjesën e parë të sezonit 2013-2014 te Real Vajadolid dhe përfaqësuesja shqiptare lanë të mendohej se futbollisti, më në fund, kishte gjetur formën më të mirë dhe do t’u jepte fund zhvendosjeve të vazhdueshme. Por pjesa e dytë zhgënjyese e sezonit, e kaluar më shumë në stol dhe në tribunë, si dhe rënia e Real Vajadolid, bënë që Rama të bënte përsëri gati valixhen dhe të vihej në kërkim të një skuadre tjetër. Megjithatë, pas ndarjes zyrtare me klubin, më 15 korrik, ofertat në adresë të tij munguan dhe emri i vetëm i njohur që u interesua për mesfushorin me tipare ofensive ishte ekipi turk i Beshiktashit, një pistë që u shua shumë shpejt.
Pas disa javësh heshtjeje, mes të cilave nuk mungoi edhe një “tërheqje veshi” nga ana e trajnerit të kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, që kritikoi lojtarin për mungesën e qëndrueshmërisë në karrierë, Rama u shfaq përsëri në radarin e merkatos. Pas eksperiencave jo shumë fatlume në Gjermani me Hanover dhe Spanjë me Vajadolid, futbollisti tani kërkon që të provojë emocionet e kampionatit italian. Avokati torinez Frani, i cili shërben si negociator për Italinë, ka filluar bisedimet me disa klube të cilat mund të krijonin hapësirat e duhura për Ramën.
Zgjedhja e parë është padyshim Xhenoa, një skuadër që promovon vazhdimisht lojtarë thuajse të panjohur në futbollin italian, duke shërbyer si urë për të kaluar në radhët e klubeve të mëdha. Megjithatë, kjo skuadër aktualisht vuan nga mbipopullimi dhe po mendon më shumë të largojë lojtarët e tepërt që ka në përbërje, sesa të afrojë të tjerë. Për këtë arsye, Frani ka nisur bisedimet edhe me Atalantën dhe Sasuolon, dy skuadra që kanë si qëllim kryesor mbijetesën në Serinë A. Por pikërisht në radhët e këtyre dy skuadrave, Rama do të kishte më shumë hapësira aktivizimi, ndaj diskutimet janë të hapura për secilin nga këto variante. Në favor të transferimit të mundshëm të mesfushorit drejt Serisë A është fakti se ai vjen me parametër zero, ka pasaportë gjermane dhe kësisoj nuk zë një vend ekstrakomunitari, si dhe ka marrë vlerësime pozitive nga trajneri Xhani De Biazi. Ky i fundit, pavarësisht kritikave të fundit në shtypin shqiptar, në mediat italiane ka vlerësuar gjithmonë Ramën, duke promovuar një transferim të tij drejt Italisë, që tashmë duket se mund të bëhet realitet.
Mesfushori
Sabien Lilaj prezantohet te Ruç Çorzov
Mesfushori i kombëtares shqiptare, Sabien Lilaj, që nga dita e djeshme është bërë pjesë e skuadrës polake të Ruç Çorzov. Lojtari kishte filluar bisedimet me këtë klub prej disa ditësh, ndërsa të hënën ka kryer të gjitha vizitat e detyrueshme mjekësore. Nëpërmjet një komunikate për shtyp, skuadra që u rendit e treta në Poloni në sezonin e kaluar, ka bërë të ditur se ka nënshkruar një kontratë njëvjeçare me futbollistin, me të drejtë rinovimi edhe për një tjetër sezon. Për 25-vjeçarin Lilaj, kjo është eksperienca e dytë jashtë Shqipërisë, pasi në vitin 2011 ai u transferua te Lokomotiv Zagrebi, për t’u kthyer përsëri pas një viti në kampionatin tonë.
Shqipëria U-19
Ikën Strakosha, emërohet Lala
Altin Lala është trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit U-19. Vendimi është bërë publik dje nga FSHF, e cila ka bërë këtë zgjedhje të shpejtë pas largimit të papritur të Foto Strakoshës nga drejtimi i kësaj përfaqësueseje. Ish-portieri i kombëtares shqiptare ka marrë një ofertë për t’u bërë pjesë e stafit teknik te klubi i Olimpiakos, të cilën nuk e ka refuzuar. Kësisoj, FSHF është dashur të improvizojë me Lalën, që ka ndjekur shpesh stërvitjet e U-19, pasi kjo kombëtare pas vetëm 3 muajsh do të marrë pjesë në kualifikueset e Europianit. Ish-mesfushori do të vazhdojë të jetë asistenti i De Biazit në kombëtaren e madhe.
Ilir Azemi
Tjetër operacion për sulmuesin
Ilir Azemi do t’i nënshtrohet një tjetër operacioni të gjatë në spitalin e specializuar në Murnau si pasojë e aksidentit të pësuar të enjten e kaluar. Ndërhyrja kirurgjikale bëhet për shkak të një hematome në pjesën e legenit, për të pastruar gjakun e mbledhur si pasojë e frakturave të brendshme. Ndërkohë, klubi i Grojter Fyrth ka gjetur mënyrën më të mirë për t’i uruar një kthim të shpejtë në fushë futbollistit. Para derbit kundër Nyremnbergut, që Fyrth e ka fituar me rezultatin 5-1, lojtarët dhe stafi kanë zbritur në fushë me fanellën me numrin 33 të Azemit, në të cilën shkruhej shqip “Shërim të shpejtë Ilir”.
Besart Berisha
“Shqipëria është shumë larg”
Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Besart Berisha, ka përforcuar publikisht vendimin e tij për të qëndruar larg fanellës kuqezi për sa kohë që aktivizohet në Australi. “Kam folur me trajnerin, Xhani De Biazi dhe kemi arritur në përfundimin se nuk mundem t’i bashkohem kombëtares përderisa jam në Australi, për shkak të largësisë”, ka shpjeguar Berisha për të përditshmen kosovare “Zëri”. “Shpresoj që sa më shpejt të bëhem pjesë e ndonjë klubi europian dhe të bëhem pjesë e kombëtares shqiptare. Dëshira ekziston, por janë disa vështirësi që tani për tani nuk ma bëjnë të mundur një gjë të tillë”, tha futbollisti i Melburn Viktori.