Vance: Trump dhe Orban kanë arritur së bashku gjëra të jashtëzakonshme
Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance e ka përshkruar Viktor Orban si një “burrështetas” gjatë vizitës së tij në Budapest, e cila kishte për qëllim të forconte mbështetjen për kryeministrin hungarez disa ditë para një zgjedhjeje të rëndësishme që mund ta largojë atë nga pushteti pas më shumë se një dekade në detyrë.
“Së bashku, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kryeministri i Hungarisë kanë arritur gjëra të jashtëzakonshme”, tha Vance gjatë një konference të përbashkët për shtyp sot pasdite.
Zëvendëspresidenti amerikan mbërriti në kryeqytetin hungarez sot nën masa të rrepta sigurie.
”Kufizimet e vendosura detyruan udhëtarët të ecin rreth 35-40 minuta me valixhet e tyre për të arritur në aeroportin ndërkombëtar të Budapestit, pasi rrugët ishin bllokuar”, raportuan mediat lokale.
Orban, një populist i djathtë ekstrem që udhëheq Hungarinë që nga viti 2010, pas një periudhe të mëparshme në pushtet midis 1998 dhe 2002, përballet me një sfidë të vështirë në zgjedhjet parlamentare të së dielës, të cilat sondazhet parashikojnë se mund t’i sjellin humbje.
Orban promovon atë që e quan “demokraci joliberale”, mban marrëdhënie të mira me administratën e Trumpit dhe konsiderohet si lideri më miqësor ndaj Rusisë brenda Bashkimit Europian.
Ai është takuar disa herë me presidentin rus Vladimir Putin që nga pushtimi i plotë i Ukrainës dhe ka tentuar vazhdimisht të minojë përpjekjet e BE-së për të mbështetur Kievin duke vënë veto ndaj sanksioneve dhe ndihmës.
Ndërkohë, në vend Orban përballet me kritika për dobësimin e demokracisë dhe forcës të ligjit, kufizimin e lirisë së medias dhe ngushtimin e të drejtave të komunitetit LGBTQ, në përpjekje për të mbrojtur atë që ai e konsideron vlerat tradicionale të familjes.
Sondazhet parazgjedhore kanë sugjeruar për muaj me radhë se Orban mund të mposhtet nga Peter Magyar, një kandidat i Partisë për Respekt dhe Liri (”Tisza”)./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.