Vangjush Dako: 0 taksë vendore për 3 vjet për investimet mbi 1 mln euro në bujqësi
Kush investon mbi 1 milion euro në bujqësi me projekte serioze dhe punëson mbi 30 punonjës do të ketë zero taksën vendore për tre vjet, ka qenë zotimi që ka marrë kryebashkiaku Vangjush Dako gjatë vizitës që ai ka zhvilluar në një fermë të rritjes e mbarështimit të lopëve në zonën e Manzës. Kreu i Bashkisë së Durrësit iu ka bërë thirrje sipërmarrësve të kthejnë vëmendjen dhe të investojnë në bujqësi, pasi në sipërmarrje të tilla mund t’i vjelin shpejt frytet e investimit, duke u bërë gjithashtu, nismëtarët dhe nxitësit e një zhvillimi të shpejtë të bujqësisë.
Po kështu, në një takim me fermerët në një nga fermat e zonës së Sukthit z. Dako u angazhua për të vënë në funksion rezervuarin e Tarinit, duke siguruar një fond prej 10 milion lekësh në mënyrë që të marrë zgjidhje problemi i vaditjes së këtyre tokave bujqësore. Dako kërkoi nga bujqit e zonës Rrushkull, Perlat, Kullë e Ishëm, që ta drejtojnë vëmendjen tek vreshtaria dhe ullinjtë, të cilat janë kulturat që janë kultivuar tradicionalisht në këtë zonë.
Gjithashtu, Dako deklaroi se në sajë të punës që po bëhet nga ana e Qeverisë, në fillim të vitit të ardhshëm do të kryhet edhe regjistrimi hipotekor i tokave bujqësore, që është edhe një nga kërkesat kryesore të këtyre banorëve.
Kështu, brenda periudhës Janar-Shkurt 2016, z. Dako garantoi fermerët se do të shpërndahen çertifikatat e pronësisë së tokës pas një mungese 20-vjeçare. Kryebashkiaku Dako deklaroi, gjithashtu, se për të garantuar tregun e produkteve bujqësore do të hapet një pikë qëndrore grumbullimi për të gjithë këtë zonë që do të lehtësojë ndjeshëm nxjerrjen të treg të produkteve bujqësore për fermerët.
Së fundi, z. Dako u angazhua edhe për krijimin e Inspektoratit të Arave, si një kërkesë e kahershme e fermerëve të kësaj zone.