Meta: Dorëhiqem nga çdo funksion drejtues në LSI, drejtimin e merr Vasili
Një ditë pasi u zgjodh si President i Shqipërisë nga Kuvendi, Ilir Meta heq dorë nga të gjitha funksionet në LSI, duke ia lënë drejtimin e partisë Petrit Vasilit.
“Kam vendosur që sot në mbrëmje pas përfundimt të listave të kandidatëve për deputet nga kryesia e LSI të heq dorë nga ky funksion dhe nga të gjitha funksionet drejtuese në LSI. Do të jetë emri i Petrit Vasilit si zv. Kryetar deri tani i LSI i cili sipas statutit të LSI merr drejtimin e kësaj force politike për të cilën natyrisht do të shprehet dhe KDK në ditët që vijnë, dhe do të shprehet me votim dhe Konventa Kombëtare e LSI brenda javës së ardhshme. Mendoj që nga ana etike dhe morale, duke patur në konsideratë situatën aktuale nuk është detyra dhe obligimi im që të bëj premtime për 4 vitet e ardhshme në emër të LSI, duke qënë se më 24 korrik do të betohem si president i ardhshëm i vendit për 5 vitet që do të vijojnë. Po kështu nga dita e sotme, unë çlirohem nga çdo lloj raporti partiak me PS dhe drejtuesit e saj lidhur me raportet midis koalicionit, pasi të gjitha këto kompetenca do i kalojnë zotit Vasili dhe forumeve drejtuese të LSI. Natyrisht që këto veprime janë në respekt të postit të Presidentit të Republikës të cilin do të kem nderin të përfaqësoj nga 24 korriku në të ardhmen, por sigurisht që bëhen dhe për të rritur angazhimin tim brenda të gjitha mundësive që unë kam, në bashkëpunim me presidentin Nishani dhe me opozitën do të dëshiroja, me kryeministrin, me drejtues të tjerë për të kontribuar që vendi sa më shpejt të ketë një proces tërësisht normal dhe gjithëpërfshirës zgjedhor. Besoj se është koha që të gjithë të investohemi në këtë drejtim. Për mua nuk është shumë e rëndësishme nëse LSI do të marr disa mandate më shumë apo më pak për shkak të angazhimit tim dhe kjo nuk ka të bëjë me faktin që unë po e lë në baltë LSI, absolutisht. Besoj se është shumë e rëndësishme për LSI dhe gjithë forcat pjesëmarrëse në këto zgjedhje që të jenë pjesë e një procesi model, demokratik, legjitim, gjithëpërfshirës dhe ti shërbejë të ardhmes së vendit. Dokumentin e LSI do e dorëzoj vetëm 24 orë para betimit si president i Republikës dhe do ju kërkoj drejtuesve të LSI që ta ruajnë atë dokument pavarësisht se në 5 vitet e ardhshme nuk do të ndikohem asnjëherë nga kjo lidhje e jashtëzakonshem që kam me LSI që nuk është thjesht një lidhje politike po dhe shpirtërore e njerëzore”, tha z. Meta.
Ndërkaq, ai bëri të ditur se do të vijojë të jetë kryetar i Kuvendit të Shqipërisë deri në ditën e betimit si President. “Dhe pse detyrimet e mia si president i ardhshëm fillojnë pas betimit si president i Shqipërisë më 24 korrik dhe deri atëherë mund të vijojë me të gjitha angazhimet e mia politike dhe institucionale, mund të bëj të ditur se do të vijoj të jem kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, deri në ditën e betimit si president i vendit. Pra, do të japë dorëheqjen përpara këtij betimi, për arsye të vetë lidhjes midis këtyre dy institucioneve dhe në planin kushtetues dhe në planin institucional, por dhe për faktin se të enjten e ardhshme do të jetë seanca e fundit plenare. Kështu që për të gjitha këto arsye do të vijojë të jem në këtë detyrë deri para betimit”, tha më tej Meta.