Veliaj: Sheshi “Skënderbej”, dhuratë për qytetarët e Tiranës
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, fton të gjithë qytetarët e Tiranës që t’i bashkohen ceremonisë festive të hapjes së Sheshit “Skënderbej”, i cili nga sot në mbrëmje do të jetë i hapur për fëmijët, prindërit, gjyshet e gjyshërit.
Por, që gjithçka të jetë gati për koncertin e madh, pak orë përpara fillimit të tij, kryebashkiaku Veliaj kreu edhe një inspektim të fundit në shesh, ku gjeti rastin të ftojë qytetarët që të bëhen pjesë e ceremonisë së veçantë, e cila do të kurorëzojë me sukses një punë 10 mujore dhe një shesh spektakolar për kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve.
“Pasi i kemi dhënë dorën e fundit, pasi kemi kryer testimet e ndriçimit, pasi kemi bërë pastrimin, pasi kemi kryer provat nga artistët që mjeshtri ynë i madh Pali Kuke ka sjellë nga të gjitha trevat shqiptare, jemi gati që sot në darkë, në orën 19:30, të mirëpresim mijëra qytetarë të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, turistë, që të hapim sheshin historik, sheshit amë të shqiptarëve, Sheshin ‘Skënderbej’”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku garantoi se janë marrë të gjitha masat për të pasur një prezantim të denjë në përputhje me madhështinë që ka sheshi “Skënderbej”. “Ashtu siç kemi bimësi dhe pllaka nga e gjithë Shqipëria, ashtu edhe në skenë do të ngjiten kostume nga e gjithë Shqipëria, këngë edhe valle nga e gjithë Shqipëria, që çdo qytetar, e çdo shqiptar, të ndihet i përfaqësuar në skenën e hapjes së Sheshit “Skënderbej”, u shpreh ai.
Por, sheshi do të shërbejë edhe si një hapësirë kulturore, ku artistë të ndryshëm do të performojnë veprat e tyre më të mira për publikun shqiptarët. Kryebashkiaku Veliaj zbuloi edhe grupin e parë muzikor që do të zbresë në skenën e sheshit “Skënderbej”, një ditë pas hapjes së tij. “Kjo është vetëm nata e parë, por festa do të vazhdojë çdo ditë. Të dielën në mbrëmje do të kemi “Tre Musketierët”, me muzikë rok, kurse gjatë ditëve në vijim me muzikë moderne, për t’u siguruar që të gjithë të kenë mundësi ta shijojnë Sheshin “Skënderbej”, jo vetëm si një hapësirë fizike, por edhe si hapësirë kulturore”, theksoi Veliaj.
Ai deklaroi se për ndërtimin e këtij sheshi kanë punuar mbi një mijë vetë, ndërsa i falenderoi ata për punën e kryer dhe standardin e lartë të punës. “Ky është një shesh i cili, në 1 vit punësoi mbi një mijë persona. Ky është momenti për t’i falenderuar 1 mijë herë për punën fantastike dhe me shumë cilësi që kanë bërë. Mirëpresim të gjithë qytetarët të vijnë si familje, ftesa është e hapur për të gjithë, gjyshër, gjyshe, të rinj, të reja, prindër, fëmijët që jam i sigurtë që do ta shijojnë ashtu si shumë projekte të tjera të Bashkisë Tiranë, sepse kanë qenë të parët që dhanë opinionin e tyre”, u shpreh Veliaj.