Veliaj takon Thaçin: Bashkëpunim konkret mes Shqipërisë dhe Kosovës
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti sot në një takim zyrtar Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili shoqërohej nga Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi dhe Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku.
Kryebashkiaku Veliaj i uroi fillimisht Presidentit Thaçi mirëseardhjen në Tiranë, ndërsa vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve tona. Gjatë takimit, u theksua se zbatimi i marrëveshjeve dhe nismave bashkëpunuese që dy qeveritë qendrore dhe ato lokale kanë arritur mes tyre, do të rrisin edhe më tej përfitimet e shqiptarëve në të dy anët e kufirit.
Më pas, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhanë një deklaratë për mediat, ku theksuan angazhimin e tyre për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin.
“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që pritëm presidentin e Kosovës, mikun tonë Hashim Thaçin, mikun e të gjithë qytetarëve të Tiranës. Kjo është shtëpia jote e dytë dhe jemi gjithmonë të lumtur të presim në Tiranë. Më vjen mirë se kemi pasur disa rastësi shumë të bukura këtë javë: Sapo kemi përfunduar rrugën më të mirë, më të bukur dhe më të çmuar në qytet, quhet rruga e “Kosovarëve”. Mezi pres që bashkë me ambasadën t’ia kushtojmë posaçërisht miqësisë me Kosovën, për të gjitha njohjet, krushqitë, vëllazëritë dhe familjet që janë krijuar nga kjo lidhje. Rruga e vendosur në një zonë shumë të bukur të Tiranës, pranë liqenit, por një zonë që ka edhe shumë histori, sepse aty ka qenë kampi më i madh i refugjatëve nga Kosova në Tiranë dhe ndoshta ka qenë momenti ku çdo shqiptar i Shqipërisë dhe i Kosovës është ngritur në lartësinë e thirrjes së kombit dhe vëllazërisë për njëri-tjetrin”, u shpreh Veliaj.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pasi falenderoi kryetarin e bashkisë për mikpritjen, vlerësoi ndryshimin që po pëson Tirana nën drejtimin e tij. “Edhe për mua është një kënaqësi e veçantë që sot takohem me mikun, vëllain, kryetarin e Bashkisë në Tiranë, të cilin dëshiroj që ta uroj dhe përgëzoj për punën e tij të shkëlqyer, brilante dhe fantastike që po bën për të ndryshuar dhe modernizuar Tiranën, që secilin prej nesh të na bëjë të ndihemi mirë dhe shumë krenarë me Tiranën e re, me Tiranën europiane. Një Tiranë të cilën e kemi ëndërruar, shpresuar të gjithë, e këtë ëndërr të të gjithëve ne, po e bën realitet Erioni. E uroj dhe e përgëzoj, urimet më të mira!”, u shpreh Presidenti Thaçi në fjalën e tij.
Gjithashtu, kryebashkiaku Veliaj e njohu Presidentin e Kosovës edhe për një sërë nismash bashkëpunimi që Bashkia e Tiranës, së bashku me bashkitë e tjera që drejtohen nga shqiptarë përtej kufijve shtetërorë të Shqipërisë, kanë ndërmarrë në funksion të mirëqenies së shqiptarëve.
“E informova presidentin për qëllimin tonë, që në prag të festave të Nëntorit, të bëjmë një mbledhje të bashkive e komunave kryesore të shqiptarëve këtu, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Serbinë Jugore, por jo për t’u fokusuar në folklorizma, por për t’u marrë konkretisht si mund të përmirësojmë jetën e qytetarëve shqiptarë në qytetet që menaxhojmë dhe ishte privilegj që morëm edhe bekimin e presidentit dhe mbështetjen e tij për këtë nismë, sepse besoj që kur shqiptarët jetojnë mirë, janë edhe të mëdhenj”, deklaroi Veliaj.
Një tjetër nismë e përmendur nga Veliaj ishte edhe ajo për të organizuar këtë fundjavë së bashku me disa komuna dhe bashki shqipfolëse të Maratonës së Tiranës. Veliaj theksoi rolin që luajnë shqiptarët e Kosovës në zhvillimin ekonomik mes dy vendeve.
“Kemi disa sipërmarrës nga Kosova që kanë shprehur interesin të investojnë në hoteleri-turizëm në qytetin e Tiranës. Tirana ka një bum turistik dhe të nevojës për mikpritje. Kemi sot një marrëdhënie shumë më të fortë me importuesit, sidomos të fruta-perimeve, kemi disa biznese kosovare që tashmë kanë aplikuar për të hapur magazinat e tyre në Tiranë. Mezi pres që të bëjmë shumë dhe ardhja e Presidentit është një lajm i mirë dhe një garanci se ky përkushtim do të vazhdojë nga të dyja palët”, përfundoi fjalën e tij kryetari i Bashkisë së Tiranës.