Veliaj: Ujësjellësi, premtim i mbajtur, qytetarët të mos shpërdorojnë ujin e pijshëm
Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë ka përfunduar shtrirjen e rrjetit të ri të ujësjellësit në Kodër-Sharrë, duke i dhënë fund problemit me ujin e pijshëm të mbartur prej vitesh në këtë zonë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet, ku theksoi se edhe ky investim është një tjetër dëshmi e faktit se kur qytetarët janë të rregullt me pagesat e detyrimeve, ato u kthehen në investime.
“Besoj se kjo është mënyra e drejtë për të ecur përpara, që qytetarët të jenë korrekt, dhe bashkia ua kthen në investime. Nuk presim të kalojnë 4 vjet, sa të vijë fushata e radhës që të bëjmë të njëjtat premtime, por ende pa u mbushur viti i parë, në të gjithë zonën e Kodër-Sharrës kemi sistemuar të dyja anët e kodrës. Uji i pijshëm ka qenë gjithmonë problem në këtë zonë, edhe pse ndodhen kaq afër depos së ujit. Është një nga ato çudirat shqiptare ku e ke burimin pranë, por nuk ke akses në të mirat materiale që sjell ai burim”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Nisur nga fakti se sapo kemi hyrë në stinën e verës, Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm me ujin që përdorin, në mënyrë që UKT të ketë mundësi për një furnizim normal me ujë të të gjitha zonave të Tiranës.
“U kërkoj qytetarëve që të jenë të kujdesshëm me ujin e pijshëm, është një mall që kushton dhe është një mall që ka fund. Do të thotë se nuk e kemi ujin pafund, sidomos me afrimin e stinës së ngrohtë. Kësisoj, kursejnë edhe pagesat që i japin ujësjellësit për ujin e pijshëm dhe mbi të gjitha, të raportojnë e denoncojnë të gjithë ata që përdorin ujin e pijshëm për aktivitet komerciale, siç mund të jenë lavazhe apo ujitje jashtë çdo kriteri me ujë të pijshëm të tokave bujqësore”, u shpreh Veliaj.