Opinion

Vendi po zhytet çdo ditë në batak me pak mundësi për të dalë prej andej…

Kastriot Islami
  1. Lidershipi i sektit të Rilindjes është shkaktari, përgjegjësi dhe zullumqari kryesor për krizën shumëplanëshe që ka mbërthyer vendin prej disa kohësh. Krizë që ka paralizuar gjithçka, që po detyron shqiptarët e varfëruar të braktisin vendin duke rrezikuar fshirjen e vendit nga harta e globit duke vënë në rrezik pavarësinë e Kosovës, stabilitetin e rajoni. Kjo krizë e thellë po e zhyt vendin më thellë në batak, ndoshta me shumë pak mundësi për të dalë prej andej.

  2. Kriza aktuale para së gjithash është morale, krizë e marrëdhënieve amorale e perverse mes kupolës së sektit me qytetarët, e ngritur me porosi mbi themelet e së KEQES, madje duke e kthyer të KEQEN në Model Suksesi… Të aftët, të rinjtë, të suksesshmit e të kualifikuarit, pra “truri” i vendit dhe klasa e mesme, shtylla vertebrale e shoqërisë, ndjehen të huaj në vendin e tyre dhe pa asnjë perspektivë; fatkeqësisht, e gjithë kjo kategori qytetarësh ndjehet emigrante në vendin e saj duke gjetur si të vetmen zgjidhje rrugën e emigrimit…

  3. Kriza shqiptare për një kohë të gjatë ishte institucionale e kushtetuese sepse vendi mbeti prej kohësh pa GjK dhe pa GjL; nga ana tjetër të gjithë institucionet kushtetuese e të drejtësisë, përfshi edhe Presidentin, gjenden aktualisht të kontrolluara nga një individ i vetëm, pra mund të thuhet pa asnjë hezitim se një individ ka kapur të gjithë shtetin… Pra, kriza shqiptare është krizë e kapjes së të gjithë pushteteve nga një individ i vetëm…

4.  Kriza shqiptare është një krizë përfaqësimi. Parlamenti është ilegjitim, me deputetë mediokër, pa asnjë profil politik, publik apo intelektual, në përbërje me shumë oligarkë e të korruptuar që kanë vënë pasuritë e tyre të dyshimta nga lejet e ndërtimit e licencat korruptive, privatizimet e paligjshme, PPP-të klienteliste; shumë individë me rekorde kriminale, trafikantë të gjitha llojeve, sharlatanë politikë që shiten e blihen, si dhe manekinë e personazhe mediokër që janë futur në parlament për të ngritur dorën sipas urdhrit e dëshirave të “sulltanit”.

  1. Kriza aktuale është gjithashtu një krizë e rëndë demokracie; ndonëse demokracia shqiptare cilësohet me “dashamirësi” nga institucionet ndërkombëtare si “demokraci hibride”, në realitet vendi gjendet nën një regjim autoritar oligarkik, pothuajse diktatorial i maskuar, ku një grusht njerëzish kanë kapur shtetin, duke grabitur pasuritë kryesore të vendit, duke kontrolluar maxhorancën politike, biznesin e madh, median, shoqërinë civile, zgjedhjet e sistemin gjyqësor, dhe së fundmi duke tentuar të krijojnë “opozitën fasadë”, përmes skenarëve makabër e parave të pista, me të vetmin funksion mbajtjen e pushtetit sa më gjatë, duke varfëruar e mbajtur popullin të nënshtruar.

  2. Kriza shqiptare është krizë e pluralizmit. Pluralizmi është rrënuar në kufijtë e monizmit sa mund të thuhet se pluralizmi s’ekziston. Maxhoranca i ka mbyllur të gjithë hapësirat opozitës duke e dhunuar atë fizikisht në sallën e parlamentin e duke i “torturuar” militantët e saj me shkop gome e gaz paralizues, duke e detyruar opozitën të kthehet në “fasadë të sektit” ose të largohet nga institucionet kushtetuese; pushteti vendor është 100 % në duart e një partie të vetme, pas zgjedhjeve vendore të dështuara ku morën pjesë vetëm 10-12 % e votuesve.

  3. Kriza shqiptare është pa dyshim krizë frike për jetën, pra krizë ekzistencializmi… Pas krizës së COVID-19 dhe menaxhimit të saj  “banal e autoritar” e tërësisht aprofesional e të dështuar, Shqipëria, vendi më i varfër në Europë, rezulton i rrënuar në aspektin ekonomik, social e të sigurisë por edhe në prag falimentimi në aspektin moral e monetar duke kërkuar mbijetesën e saj me veprime të dyshimta e të mbrapshta antishqiptare e antieuropiane, si paratë nga krimi i organizuar që i pastrojnë me kullat qiellgërvishtëse që mbijnë si kërpudhat pas shiut, amnistia fiskale apo pasaportat VIP për kriminelët  e hajdutët ndërkombëtarë.

  4. Grabitja e mandatit të tretë që pasoi ndryshimet arrogante të Kushtetutës e më pas të kodit zgjedhor e thelluan krizën shumëplanëshe, duke e futur vendin në labirintet e një diktature të sofistikuar;  duke e bërë të pamundur “rrotacionin” politik me çarjen në dysh të opozitës. Nëse ky rrotacion s’do të mund të ndodhë shpejt vendi shumë mund të gjendet i përfshirë ose në kaos e anarki, ose në vdekje klinike, ose në një konflikt mes qytetarëve dhe regjimit që po tenton të ruajë pushtetin përmes ndryshimit të rregullave të lojës e duke përçarë e kërcënuar opozitën, gjë që duket probabël meqë këtë lojë e orientojnë lobistë apo disa përfaqësues të faktorit global…

  5. Vendi realisht s’qeveriset prej më shumë se 9 vjetësh por menaxhohet nga një qeverisje e dështuar, e korruptuar dhe e lidhur ngushtë me kriminelë e trafikantë; qeverisja korruptive dhe e kriminalizuar është antipopullore e antieuropiane, duke synuar të nënshtrojë qytetarët e saj përmes varfërimit për ti detyruar pastaj të emigrojnë…

  6. Përgjegjësinë kryesore për situatën e krijuar e ka maxhoranca që përmes veprimeve të paligjshme dhe mbështetjes korruptive e të dyshimtë synon të garantojë jetëgjatësinë në pushtet ose të paktën mosndëshkimin e lidershipit të saj. Në këto rrethana një përgjegjësi e madhe e historike i bie opozitës për të grumbulluar masivisht të rinjtë, për t’i bashkuar ata në funksion të gjetjes së një zgjidhje që do të mund të nxjerrë vendin nga humnera. Përndryshe, pas 30 vjetësh të tranzicionit problematik shqiptar, me shumë gabime, defekte e përgjegjësi konkrete, atdheu ynë do të vijojë të zhytet çdo ditë me shpejtësi e më thellë në batak, me mundësi të vogla për të dalë prej andej…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button