Ekonomia

Vendimi, si do të legalizohen shtesat pa leje

Përcaktohen kriteret për legalizimin e ndërtimeve pa leje. Këshilli i Ministrave ka vendosur kushtet e reja për legalizimin dhe urbanizimin e tyre. Nga ky vendim preken të gjithë ato objekte, në të cilat është ndërhyrë në lartësi apo në shtesa anësore. Në mënyrë të specifikuar, janë ato “ndërtime informale që kanë minimalisht, të ndërtuar një kat (mbi ose nën tokë), si dhe ato që janë të ndërtuara me materiale të qëndrueshme, të ngritura, të paktën në strukturë dhe janë të lidhura pazgjidhshmërisht me tokën”.qeveria

Kriteret në zonat informale

Vendimi parashikon që të përjashtohen nga legalizimi të gjitha ato ndërtime informale, të cilat shkelin distancat e lejuara të rrugëve ekzistuese, të kategorive A e B, ose trupin e rrugëve ekzistuese, të kategorive C, D e E. Gjithashtu, parashikohen për t’u shembur ato shtesa që janë ngritur brenda vijës kufizuese të parcelës ndërtimore të ndërte save publike (institucione shtetërore, shkolla e kopshte publike, spitale, qendra shëndetësore publike, kampuse studentore).

Po ashtu, nuk do të legalizohen ato objekte që cenojnë sistemin ose shkelin brezin mbrojtës të vijës hekurudhore ekzistuese funksionale të nivelit kombëtar dhe ato që janë ngritur në zonën e sigurisë së centraleve prodhuese të energjisë elektrike, nënstacioneve elektrike ose shkelin brezin mbrojtës të sistemit të linjave ekzistuese të interkonjeksionit. Një shtesë ngritur brenda zonës mbrojtëse të objekteve të trashëgimisë kulturore, si monument kulture i kategorisë I; zonë-muze, ansambël-muze, qendër historike dhe park arkeologjik dhe zonë arkeologjike “A”.

Një objekt do të shembet edhe në rastin kur cenon vëllimin ose pamjen e jashtme të monumentit të kulturës, të kategorisë II; është ngritur brenda zonave të mbrojtura, apo zonave të ruajtjes së veçantë, shkalla e mbrojtjes të së cilave nuk lejon ndërtime me funksion banimi apo socialekonomik; është ngritur brenda territorit të parcelës ndërtimore të ndërtesave objekt kulti, përveç rasteve kur posedues ndërtues është vetë institucioni fetar; është ngritur mbi ose shkel brezin mbrojtës të tubacionit të gazsjellësit, naftësjellësit, aeroportit, portit apo cenon sigurinë e digave të mëdha, të mbrojtura sipas legjislacionit në fuqi; preket nga projektet e infrastrukturës rrugore dhe të sistemeve të linjave energjetike të interkonjeksionit, të miratuara nga autoritetet qendrore të planifikimit të territorit; është ngritur brenda distancës në të cilën nuk lejohen ndërtime, nga brigjet e deteve dhe liqeneve, të përcaktuara në dokumentet e planifikimit të territorit, të miratuara sipas legjislacionit në fuqi.

Kriteret jashtë zonave informale

Objektet informale, që janë pjesë e këtij kushti, do të përjashtohen nga legalizimi në rast se shkelin distancat e lejuara në rrugët ekzistuese, të kategorive C, D e E; janë ngritur në zonat me rrezik përmbytjeje ose çarje-rrëshqitjeje, sipas evidentimit të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar si dhe Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit. Sa i përket kësaj të fundit, Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë ka detyrimin për t’u shprehur mbi miratimin ose jo të legalizimit, brenda 30 ditëve nga data e kërkesës së drejtorisë së ALUIZNI-t.

Në ndërtimet, që ndodhen jashtë zonave informale, do të përjashtohen nga legalizimi edhe ato që janë ngritur në shtretërit e lumenjve ose brenda sipërfaqeve të baseneve dhe rezervuarëve dhe ato që janë ngritur brenda brezit mbrojtës të sistemeve kryesore të kullimit. Ndërtimet informale, të ngritura brenda kufirit të vijës turistike, nëse cenojnë infrastrukturën rrugore, të parashikuar në dokumentet e planifikimit të territorit, të miratuara sipas legjislacionit në fuqi, nuk legalizohen.

Kushtet

Ndërtimi informal nuk është në kushtet e nenit 35, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar, në dy raste. Së pari, kur më shumë se 50 për qind e sipërfaqes së truallit, mbi të cilin ai ngrihet, disponohet nga poseduesi i këtij ndërtimi informal, me dokumentacion pronësie, ose rezulton në pronësi shtetërore. Së dyti, nuk është kusht kur pronari i ligjshëm i truallit të zënë shpreh, paraprakisht, vullnetin për heqjen dorë nga e drejta për të zhvilluar parcelën dhe për trajtimin e tij nëpërmjet kompensimit financiar.

Ja procedurat për kualifikimin e ndërtimeve informate

Ndërtimet që nuk përfshihen, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, nuk do t’u nënshtrohen procedurave kualifikuese. Për këto ndërtime konstatohet mospërfshirja në procesin e legalizimit, me urdhër të drejtorit të varësisë së ALUIZNI- t, duke argumentuar shkakun ligjor. Drejtoritë e ALUIZNI-t, bazuar në gjendjen faktike në terren, kryejnë procedurat kualifikuese për ndërtimin informal, brenda 60 ditëve nga data e evidentimit faktik në terren.

Në rast mosplotësimi, nga subjekti posedues i ndërtimit informal, të dokumentacionit që duhet të dorëzohet prej tij, brenda 6 muajsh nga njoftimi zyrtar i ALUIZNI-t, ky i fundit informon Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për të vepruar, sipas legjislacionit përkatës. Për ndërtimet informale të ngritura brenda zonave dhe nënzonave të mbrojtura si dhe zonave të ruajtjes së veçantë, ku shkalla e mbrojtjes nuk ndalon ndërtimet me funksion banimi, procedurat e kualifikimit kryhen pas depozitimit, nga poseduesi i ndërtimit, të aktit për vlerësimin e ndikimit në mjedis, nga një ent apo subjekti i licencuar.

Për shtesat anësore apo në lartësi, kur ndërtimi kryesor është tjetërsuar, apo nuk rezulton të jetë në pronësi të aplikuesit për legalizim, procedurat e kualifikimit kryhen në emër të pronarit të ndërtimit kryesor, nëse plotësohen të dy kushte. Së pari, kur subjekti pronar i ndërtimit kryesor dorëzon pranë drejtorisë përkatëse të ALUIZNI-t dokumentacionin që provon veprimin juridik të fitimit të pronësisë mbi të ose të kalimit të të drejtave mbi shtesën dhe së dyti, nga evidentimi i gjendjes faktike të shtesës pa leje rezulton se ajo është e lidhur, në mënyrë të pandarë, me ndërtimin kryesor dhe posedohet prej pronarit të këtij të fundit. Në të kundërt, kualifikimi vijon në emër të poseduesit të shtesës, aplikues për legalizim.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button