Veseli: Kosova lehtësira për investimet nga Diaspora
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim një delegacion të Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani, me të cilët diskutoi për zhvillimet aktuale në fushën e ekonomisë në Kosovë.
Duke përgëzuar drejtuesit e këtij Unioni për punën që janë duke bërë në krijimin e urave të bashkëpunimit ekonomik mes Gjermanisë dhe Kosovës, Veseli theksoi se diaspora jonë në botën perëndimore përbën një faktor shumë të rëndësishëm për ekonominë kosovare.
“Ka ardhur koha që diaspora jonë në botën perëndimore të marrë një rol të ri në raport me vendlindjen, e ky është roli i investimit të kapitalit të saj në veprimtari prodhuese në Kosovë. Shumë sipërmarrës tanë që veprojnë në vendet perëndimore kanë përparësinë e përvojës së shkëlqyeshme të këtyre vendeve në fushën e investimeve dhe rritjes ekonomike”, tha Veseli.
Kosova, shtoi ai, do të krijojë lehtësirat e nevojshme ligjore për të gjithë ata sipërmarrës që duan të ngrisin biznesin e tyre në Kosovë, sepse kështu potenciali i madh human dhe burimet natyrore që ka Kosova mund të shndërrohen në zhvillim ekonomik për vendin.
“Ligjet që nuk stimulojnë iniciativën e lirë ekonomike, e që nxjerrin pengesa burokratike për zhvillimin ekonomik, do të ndryshohen sa më shpejt që është e mundur. Kemi humbur shumë kohë duke mbajtur vëmendjen institucionale në agjenda shterpe e vetshkatërruese. Është koha për fokusim të të gjithëve në agjendën ekonomike”, potencoi Veseli.