Vetëm Bibla dhe Kur’ani shiten më shumë se libri i rekordeve
60 vjet nga “Guinness”
Thonjtë më të gjatë në botë, ushtria më e madhe e xhuxhëve, hedhjet në cekëtinë etj. Qëkurse në vitin 1955 doli në dritë libri i parë i rekordeve në botë, njerëzit synojnë të hynë një herë në të. Këtu janë disa nga ato që të lënë pa frymë, më të famshmet e atyre që kanë zënë faqet e tij në gjashtë dekada.
Fërshëllima, duartrokitje, gëzim. I pandikuar nga ngazëllimi i spektatorëve, atleti u ngjit me nxitim deri në platformën prej njëmbëdhjetë metrash. Pasi arriti atje lart, Darren Taylor fërkoi duart. Një gjest prej fitimtari apo mos ndoshta vetëm prej të ftohtit?
Në fund të fundit, në atë ditë shkurti të vitit 2011, në qytetin norvegjez të Trondheim-it mbizotëronin temperatura të akullta. Nën brohoritje, Taylor hoqi xhaketën dhe pantallonat, e nxori në pah një kostum banjoje bardhezi.
Pastaj mori frymë thellë, shtriu krahun përpara, në prehër – dhe u katapultua në ajër. Në një qëndrim perfekt, duke shtrirë krahët në maksimum, me këmbët e mbledhura bashkë, sportisti u hodh në thellësi.
Përballë një govate ku fëmijët llapashiten në ujë. Në një ngjyrë të kaltër, me delfinë të vegjël. Thellësia e ujit shkonte në 30 centimetra.
Menjëherë Taylor kërceu, duke mbledhur në mënyrë triumfuese grushtet, me një thirrje të zjarrtë që shfaqte ngazëllimin e tij të madh dhe çlirimin e tij. “Professor Splash”, kështu iu vu emri artistik, kishte bërë sërish “furore”! Dhe me këtë kërcim kishte thyer sërish rekordin e tij në librin “Guinness”. Spektatorët shpërthyen në thirrje frenetike gëzimi.
Bletë në trup dhe banjë me nepërkat
“Professor Splash” është mbajtësi rekordmen në disiplinën e “hedhjes me thellësinë më të vogël”. Në vitin 2014, Taylor madje doli i paplagosur nga një hedhje nga një lartësi prej 11 metrash e 56 centimetrash. “Po, të dhemb”, tha sportisti i hedhjeve ekstreme, i cili më parë e kishte fituar bukën e gojës duke punuar si DJ në një klub striptize, në vitin 2011. “Por dhimbja zgjat vetëm një minutë, ndërsa fama mbetet për tërë jetën”.
I çmendur? – sigurisht se po. E megjithatë, Taylor nuk është i vetmi rekordmbajtës në librin “Guinness”. Teksanit Jackie Bibby i është dashur treçerek ore në 2007 që të lahej në një vaskë së bashku me 87 nepërka. Disa qindra mijë bletë në vitin 2012 iu vunë mbi lëkurë baristit She Ping: rreth 33 kilogramë mbajti kinezi mbi trup. Amerikania Chris Walton mban një rekord në dukje jo të rrezikshëm, por gjithsesi më pak absurd: me një gjatësi prej rreth gjashtë metrash, në vitin 2011, ajo u vlerësua si njeriu me thonjtë më të gjatë në botë. I kishte lënë të rriteshin pa i prerë asnjëherë që prej 18 vjetësh.
Si lindi ideja?
Këto lloj rekordesh të çuditshme, Sir Hugh Beaver nuk i kishte pasur ndër mend, kur ai në vitin 1951 pati idenë të krijonte një libër rekordesh. Gjatë një ekskursioni në gjueti, kryemenaxheri i birrarisë irlandeze “Guinness” kishte në shënjestër një thëllëzë të artë – dhe i kishte shpëtuar pa vrarë një zog. Një shok i tij gjuetar, u përpoq ta ngushëllonte Beaver-in, dhe i tha se thëllëza e artë ishte zogu më i shpejtë i Europës. Por si për inat të gjahtarit, ky justifikim nuk e bindi dot Beaver-in. Asnjë fjalor nuk e përmban këtë informacion.
Pas Biblës dhe Kur’anit
Kryemenaxheri, sidoqoftë, e harroi shpejt këtë pyetje. Beaver po bluante në kokë ndërkohë një projekt shumë të madh. Dhe në fakt një libër, që do të mund të zgjidhte çështjet e ndryshme të debatueshme, të cilat shtroheshin çdo mbrëmje në pub-et britanike. Ku ndodhet ndërtesa më e lartë? Ku është liqeni më i thellë? Kush e ka mbajtur fjalimin më të gjatë?
Sidoqoftë, në vitin 1955, lindi edhe numri i parë i “Guinness World Records” me 198 faqe me rekorde – me një kapak ngjyrë të gjelbër, i zbukuruar me një harpë irlandeze. Qysh prej asaj kohe, libri “Guinness” ka thyer rekorde edhe në shitje me shpejtësi. Më shumë se 130 milionë ekzemplarë janë shitur – në më shumë se 25 gjuhë. Me këtë raport, ky libër renditet në vendin e tretë të librave më të shitur në botë, pas Biblës dhe Kur’anit.
Në 60-vjetorin e krijimit të librit të madh të rekordeve, “Guinness” përshëndet vetë. Libri “Happy Birthday Guinness World Records” shfaq disa nga rekordet më të famshme të gjashtë dekadave, të marra së bashku. Natyrisht,edhe “Professor Splash” do të jetë aty domosdo.