Kryeartikull

Vetëm spastrimi nga drejtësia sjell konsensus!

Nga Andrea Stefani

Miratimi i kuadrit kushtetues të reformës në drejtësi i ka dhënë rastin lloj-lloj sharlatanëve të klasës së vjetër politike të mburrin vetveten për këtë arritje të madhe që ja atribuojnë po vetes. Dhe thonë gënjeshtra të tilla si: votimi nga 140 deputetë i reformës tregon pjekurinë e klasës politike! Një tjetër broçkull është kjo: e miratuar pa konsensus, reforma nuk do kishte legjitimitet të plotë! Një broçkull që arrin apogjeun e vet në thënien tjetër: Konsensusi është më i rëndësishëm se reforma!

Të gjitha këto janë spekulime vulgare që kërkojnë të rikuperojnë në sytë e opinionit publik prestigjin e rrënuar të një klase politike të rrënuar. Dhe veçanërisht të opozitës që për më shumë se një vit ju bë një barrierë e pakapërcyeshme reformës. Aq sa edhe ndërkombëtarët, që i kemi parë me vite tepër luajalë me mbrapshtitë e politikës shqiptare, e humbën durimin dhe filluan presionin mbi opozitën e në radhë të parë, PD. Qe pikërisht ky presion i ndërkombëtarëve dhe sigurimi i 94 votave nga reformistët, dhe jo ndonjë ndërrim mendjeje nga lidershipi i PD, që solli votimin unanim me 140 vota të reformës. Një votim 100 për qind e megjithatë… pa konsensus.

Sepse konsensus ka kur liderët bien në një mendje, për shembull: Të themelojnë një drejtësi të pavarur në shtet dhe për këtë, të përfshijnë sa më shumë ndërkombëtarët në procesin e vetingut, sepse janë më pak të prekshëm nga konfliktet e interesit apo klientelizmi i mjedisit shqiptar. Ky konsensus parimor nuk u arrit (dhe nuk ka konsensus të vërtetë pa bashkëndarje parimesh) dhe PD votoi jo për hir të reformës por duke llogaritur kostot e një mos votimi pra, duke patur shqetësim jo vetë reformën, por të ardhmen e saj politike. Ajo votoi e frikësuar por jo e dakordësuar. Pse? Sepse lidershipi i saj nuk është i dakordësuar, nuk e ka qëllim, drejtësinë e pavarur në Shqipëri. Gjë që nuk jep shpresë se procesi i afërt për miratimin e 7 ligjeve implementuese të reformës, do të jetë i lehtë dhe pa barriera.

Tani disa fjalë për konsensusin. Ai është një dukuri e mirëpritur sepse tregon që forcat politike kanë rënë dakord për sistemin politik në radhë të parë. P.sh. që duhet të kemi demokraci liberale me pushtete të ndara e të balancuara, me liri fjale etj. Por kjo nuk do të thotë se demokracia nuk mund të funksionojë edhe pa konsensus. Madje demokracia prandaj ka në themel parimin kryesor qeverisës që është ai mazhoritar. Ndryshe qeverisja do të qe e pamundur. Natyrisht, kur ekziston dakordësia për sistemin politik (dhe jo bëjmë sikur e duam demokracinë dhe fshehtas e rrënojmë) edhe maxhoritari është i butë dhe nuk rrezikon të kalojë në tirani shumice. Por si rregull, në demokraci biem dakord të mos biem dakord, por edhe që të kemi edhe vendimmarrje me shumicë. Pra, edhe nëse Reforma do qe votuar vetëm nga 94 deputetë, kjo nuk do e bënte atë më pak legjitime. Dhe varet edhe si e kupton legjitimitetin, si sasi apo si cilësi. Sepse mund të votosh një reformë edhe me 100 për qind të deputeteve dhe ajo të mos jetë legjitime, d.m.th., në përputhje me interesin e sovranit, sikundër qenë ndryshimet e Kushtetutës në prill 2008! Legjitimiteti i një reforme qëndron mbi të gjitha në përmbajtje dhe kjo është veçoria e reformës së sotme në drejtësi. Një legjitimitet që asaj nuk i humbet edhe pse realisht me dëshirë atë e kanë votuar vetëm nja 94 deputetë. Ndoshta edhe më pak.

Një klasë politike 26 vjet në konfliktualitet, nuk mund të piqet si me magji brenda natës dhe të arrijë konsensus për një gjë madhore. Edhe kur u bënë ndryshimet e Kushtetutës në 2008, u fol sikur klasa politike shqiptare u maturua. Por ja kanë kaluar 8 vjet të tjerë që atëherë dhe politikanët janë konfliktuar për çdo konflikt. Konsensusi nuk mund të vijë nga maturimi, por nga spastrimi i kësaj klase politike nga të korruptuarit që e bazojnë mbijetesën e tyre te konflikti dhe pandëshkueshmëria. Prandaj nuk është racionale të fshihemi prapa gishtit. Shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Mund t’u shërbejë thjesht për të kaluar më ëmbël muajin e pushimeve. Por për asgjë më shumë. Ndryshe në shtator do zhgënjeheni përsëri nga klasa politike “e pjekur” që do i rikthehet zakonit të sherrit.

Më në fund për broçkullën e fundit: Konsensusi më i rëndësishëm se reforma! Si të të thuash mjeti është më i rëndësishëm se qëllimi. Konsensusi si dakordësi duhet për të miratuar ligje dhe bërë reforma. Pa një qëllim të tillë, ai është i pakuptimtë, garnituresk. Madje konsensusi mund të shfaqet, materializohet apo realizojë vetveten, vetëm me anë të miratimit të ligjeve apo reformave.

Related Articles

Nje koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button