Kronika

Vettingu po ecën shpejt. Komisioni përfundon verifikimet

Përzgjedhja e kandidatëve të vettingut, që kualifikohen për në fazën e votimit në dy komisionet e tjera, u bë pa transparencë dhe me dyer të mbyllura. Rezultati ishte se, vetëm një emër më shumë i është shtuar listës së certifikuar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

“Komisioni ad hoc i verifikimit i përcjell për votim dy komisioneve të tjera përzgjedhëse një listë të kandidatëve prej 68 kandidatësh, të cilët plotësojnë kriteret formale dhe nuk kanë marrë rekomandim negativ nga ONM”, tha Ulsi Manja.

Me dyer të mbyllura, deputetët kanë pasur debat për standardet e ndryshme, që Avokati i Popullit dhe ONM-ja kanë ndjekur për të përjashtuar ose përfshirë kandidatë në listë. Demokratët dhe LSI-ja ishin në një linjë.

“Kjo është shprehje flagrante e aplikimit të dy standardeve, e subjektivizmit dhe e papërgjegjshmërisë në përzgjedhje. Procesi i përzgjedhjes rezultoi të ketë defekte dhe mangësi”, tha Luan Rama.

“Kishte dy persona, të cilët ishin në konflikt të pastër interesi, e që ONM-ja i kishte kualifikuar. Kishte edhe disa persona të tjerë, që ishin identikë me këta dhe i kishte skualifikuar. Pra ajo listë ishte e gjitha politike”, tha Flamur Noka.

Opozita shkoi edhe më larg, kur bëri vlerësim negativ për nivelin e kandidatëve që do t’i paraqiten më vonë për votim Parlamentit.

“Ju e patë dje, juristë që kishin punuar në ndërmarrje rrobaqepësie, në fabrika këpucësh. Patë dje individë që e quajnë veten juristë dhe vinin nga nderonin në komision si të ishin kapterë ushtrie. Këta do të bëjnë vettingun, së bashku me 4-5 profesionistë politikë të Partisë Socialiste”, tha më tej Flamur Noka.

Nga 68 kandidatët, dy komisionet e përzgjedhjes duhet të nxjerrin një listë me 25 emra, që do të votohet në bllok në Parlament, me shumicë prej 84 votash.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button