Video që rrënon Trumpin, miliarderi kërkon falje për komentet rreth grave
Publikimi i një videoje, ku Donald Trump dëgjohet duke bërë disa komente tepër vulgare për gratë, e ka detyar këtë të fundit të kërkojë ndjesë. Videoja e publikuar rishtazi nga “Washington Post”, është xhiruar në vitin 2005 gjatë xhirimeve për pjesëmarrjen e miliarderit në një telenovelë, pak muaj pas martesës me bashkëshorten e tij të tretë.
“Këto fjalë nuk reflektojnë atë që unë jam”, shfajësohet biznesmeni njujorkez, i cili nuk mund të qëndrojë larg polemikave. Gjatë bisedës me prezantuesin Bill Bush, Trump i flet atij me një gjuhë banale për përpjekjen e dështuar për të joshur një grua, emri i së cilës censurohet në video.
“U përpoqa shumë ta joshja kur ishte në Palm beach. Provova shumë, si me një prostitutë por nuk doli gjë, ajo ishte e martuar. Më pas e shoh, ka zmadhuar gjoksin e gjithçka tjetër. Ka ndryshuar tërësisht pamje”, dëgjohet të thotë manjati.
Në një pasazh tjetër, Trump takon aktoren Arianne Zucker dhe thotë:
“Duhet te ha karamele pasi mund ta puth. E dini që joshem automatikisht nga gjërat e bukura, filloj thjesht t’i puth është si një magnet, nuk mund të pres. Kur je një yll ato të lejojnë të bësh këtë, mund të bësh gjithçka”.
Deklaratat e manjatit të pasurive të paluajtshme ngjallën menjëherë reagimet e ashpra edhe brenda radhëve të republikanëve.
Kryetari i Dhomës së Parlamentit, Paul Ryan, tha se ajo që kishte dëgjuar i ngjallte neveri, ndërsa John McCain pohoi se nuk kishte justifikim për komentet fyese të Trumpit.
Për rivalen e tij në zgjedhjet presidenciale, Hillary Clinton, komentet janë të tmerrshme. “Nuk mund ta lejojmë këtë njeri të bëhet president”, shkruan ajo në Twitter.
Vetë Trump në një deklaratë të publikuar mëngjesin e së shtunës tha se ndjente keqardhje të thellë për ngjarjen.
“Kam thënë dhe kam bërë gjëra për të cilat jam penduar. Çdo njeri që më njeh mua e di se këto fjalë nuk reflektojnë atë që unë jam. Bëra gabim dhe kërkoj falje”, tha Trump.
Gjithesesi ai u përpoq të minimizonte impaktin duke sulmuar ish-presidentin Bill Clinton, i cili sipas tij kishte abuzuar me gratë ndërsa Hillary i kishte tallur dhe sulmuar viktimat e bashkëshortit.
Çështja sipas miliarderit do të diskutohej edhe gjatë debatit të ardhshëm mes 2 kandidatëve që zhvillohet të dielën në Saint Louis.