Kosova

Viets: Gjermania, BE-ja dhe vendet e tjera të përkushtuara ta mbështesin Kosovën

Rënia e murit dhe ribashkimi i dy shteteve gjermane ishin momente historike, tha mbrëmë Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, gjatë pritjes me rastin e 25 vjetorit të bashkimit.

Në pritjen e organizuar nga Amabasada Gjermane në Prishtinë, mori pjesë presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri Isa Mustafa, deputetët e ministra dhe kryetarë të partive politike.

“Ashtu si edhe Gjermania, Kosova gjithashtu ka pasur një moment vendimtar në të kalaurën e afërt. Në vitin 2008 ky vend u bë i pavarur. Por shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte vetëm fillimi i një projekti sfidues: projekti i ndërtimit të një kombi multietnik ku njerëzit mund të jetojnë në paqe dhe prosperitet. Për më tej, një projekt për ta bërë atë ekonomikisht të qëndrueshme”, theksoi Ambasadorja gjermane Viets.

Ajo vlerësoi se është arritur shumë në vitet e fundit dhe se sot Kosova është një vend i sigurtë, i njohur nga mbi 100 shtete.

“Vetëm në muajt e fundit janë bërë hapa të rendësishëm përpara. Së pari, parlamenti mori vendimin për të krijuar Gjykatën Speciale, e cila do të hetojë krimet e supozuara gjatë kohës së konfliktit. Kjo është një arritje e rendësishme në procesin e ballafaqimit me të kaluarën. Gjithashtu, marrëveshjet aktuale të Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë shënuar një hap thelbësor drejt një normalizimi të raporteve mes dy vendeve. Projekti evropian ka treguar se është e mundur për armiqtë e dikurshëm që të krijojnë raporte të mira fqinjësore – edhepse kjo kërkon kohë dhe guxim politik”, u shpreh ambasadorja gjermane në Prishtinë.

Gjithsesi, vijoi Viets, demonstratat në fillim të këtij viti dhe vala e migrimit dimrin e kaluar tregojnë që Kosova akoma përballet me shumë sfida në të ofruarit e paqes dhe prosperitetit për qytetarët e saj.5 tetor 2015_2

“Progresi i rendësishëm i bërë në fushat e Gjykatës Speciale dhe procesit të normalizimit, lejon tani koncentrimin në zhvillimin ekonomik në masë më të theksuar se deri më parë. Është thelbësore për qeverinë që të luftoj papunësinë e lartë, të tërheq investime të huaja dhe të investoj në arsim. Popullata e re e Kosovës mund të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për vendin, por për këtë rinia gjithashtu ka nevojë për mundësi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Pa prespektiva dhe garë të drejtë, edhe më shumë të rinj do të kërkojnë mundësi përtej kufijve të Kosovës”, u shpreh Ambasadorja Viets.

Ajo siguroi se, Gjermania, BE-ja dhe vendet e tjera janë të përkushtuara ta mbështesin Kosovën.

“Procesi i Berlinit e dëshmon pikërisht këtë. Procesi është nisur vitin e kaluar nga kancelarja Merkel me një konferencë në Berlin dhe është vazhduar këtë vit me Konferencën e Ballkanit Përendimor në Vjenë. Megjithatë, e gjitha që ne mund të bëjmë është të mbështesim. Pronësia duhet të jetë në rajon dhe në vendet e saj veç e veç. Duke parë që janë marrë vendime të vështira si krijimi i Gjykatës Speciale dhe Marrëveshjet e Brukselit, jam e bindur që liderët e Kosovës do të tregojnë gjithashtu guxim politik kur është në pyetje ekonomia”, tha Viets.

Ashtu si edhe sfidat ekonomike të ribashkimit gjerman, vijoi ajo, sfidat ekonomike të një Kosove të pavarur kërkojnë përpjekje kombëtare.

“Si qeveria ashtu edhe bizneset, shoqëria civile dhe qytetarët duhet të përfshihen në mënyrë aktive në proces. Gjermania do të vazhdojë të përkrah Kosovën dhe projektin e saj kombëtar. Duke punuar së bashku, ne mund të sigurojmë një të ardhme paqësore dhe prosperuese si një anëtare në një rajon të integruar të Ballkanit Përendimor dhe në një Evropë të integruar”, theksoi Ambasadorja gjermane Viets.

5 tetor 2015_1Në pritje, Presidentja kosovare Atifete Jahjaga, në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe emrin personal uroi 25 vjetorin e Ditës së Unitetit Gjerman.

“Që nga 3 tetori i vitit 1990, Gjermania shembi muret, theu kufijtë ideologjikë dhe fizikë. E bashkoi Evropën rreth vlerave dhe aspiratave të lirisë, të demokracisë dhe prosperitetit. Frymëzoi breze të tëra për t’i dhënë fund represionit dhe për t’u rimëkëmbur për të jetësuar idealet e lirisë”, u shpreh Presidentja e Kosovës.

“Ne jemi shumë krenarë për një lidhje të fortë partneriteti dhe miqësie që populli i Kosovës e gëzon me Gjermaninë. Jemi falënderues për roli që ju luajtët në ndalimin e gjenocidit në Kosovë, në stabilizimin e Kosovës përmes pranisë së ushtrisë tuaj paqeruajtëse. Atëherë kur hapët dyert për refugjatët që po iknin nga lufta dhe skamja, dhe tash kur po i përkrahni institucionet e Kosovës në vënien e themeleve për një ekonomi stabile të Kosovës”, u shpreh ajo.

“I kemi vënë shpresat tona në këmbënguljen tuaj që Ballkani Perëndimor të ecë drejt integrimit evropian dhe në vizionin tuaj që ky integrim do t’i sjellë BE-së vlerë të shtuar, ndërsa për rajonin paqe afatgjate”, tha Jahjaga.

“E kam parasysh që ne na presin shumë detyrime të pa përmbushura ende. Por, ne jemi të përkushtuar që së bashku me partnerët tanë, me ju, ta jetësojmë vizionin për Kosovën e sundimit të ligjit, fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal, dhe më së shumti vendit me perspektivë të qartë, ku qytetarët e tij shohin të ardhme. Ju faleminderit për praninë tuaj të fuqishme në Kosovë, për partneritetin dhe miqësinë!”, përfundoi Presidentja e Kosovës gjatë pritjes me rastin e 25 vjetorit të bashkimit gjerman.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button