Virion Graçi e quan të dështuar çmimin “Kadare”
Virion Graçi, një prej gjashtë finalistëve të edicionit të tretë të çmimit Kadare, I ka quajtur të dështuar dy autorët e parë fitues të këtij çmimi. “Tre vjet çmimi Kadare.
Dy librat fitues të këtij çmimi në dy vitet e mëparshme janë të dy libra të dështuar rëndësishëm, të dështuar në treg, të dështuar në opinionin kulturor- letrar në Shqipëri e në Kosovë. (I pari libër fitues u sulmua ndyrë në vetë entin e tij botues, Mapo, vetëm një javë pas ceremonisë kremtuese dhe.. botimit.) Të shohim e dëgjojmë çfarë ka gatuar i treti, mjeshtri i këtij viti për mjeshtrat e tij sponsorizues”, shkruan Virion Graçi në statusin e tij në Facebook.
Reagimi i tij, erdhi menjëherë pasi juria shpalli fituesin e edicionit të tretë të këtij çmimi, shkrimtarin nga Kosova Musa Ramadani. Vetë juria e çmimit Kadare duket se nuk e ka pasur të lehtë këtë vit për të zgjedhur fituesin.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimit, shkrimtari Ylljet Aliçka u shpreh se secili ka shijet e tij individuale, e vota është personale, duke lënë qartë të kuptohej se vota e tij nuk kishte qënë për Ramadanin. Një qëndrim joentuziast për çmimin shprehu dhe kryetari i Jurisë Bashkim Shehu, i cili evidentoi faktin që në këtë konkurim kishte pasur dhe emra autorësh të rinj, që ishin suprizues një prej të cilëve Rigel Rizaj. Dy fituesit e parë të çmimit Kadare, janë shkrimtarët Rudolf Marku dhe Shkëlqim Çela.