Virologu i Merkelit: Për shumë njerëz, jam “çuni i keq” që po e shkatërron ekonominë gjermane
Gjermania ka nisur të heqë gradualisht këtë javë masat e ashpra kufizuese. Çfarë ndodh më pas?
Ne po shohim që pavionet e kujdesit shëndetësor intensiv në Gjermani janë gjysmë të zbrazëta. Dhe kjo për shkak se ne e filluam herët diagnostikimin e virusit, dhe në një shkallë të gjerë. Ne kemi arritur ta frenojmë epideminë, duke e ulur me poshtë se 1 normën e infektimit, që është njësia kryesore matëse e përhapjes së virusit. Tani, po ndodh ajo që unë e quaj paradoksi i parandalimit.
Njerëzit janë duke pretenduar, që ne kemi e tepruar me masat kufizuese. Plani federal ishte lehtësimi paksa i tyre. Por për shkak se landet gjermane i vendosnin vetë rregullat e tyre, kam frikë se do të shohim shumë abuzime në interpretimin e këtij sugjerimi. Druhem se norma e infektimit do të fillojë të rritet prapë, dhe do kemi një valë të dytë të Covid-19.
Nëse do të ruhej karantina klasike, a mund të zhdukej sëmundja?
Në Gjermani ka një grup ekspertësh që merren me modelet e epidemive, të cilët sugjerojnë se me zgjatjen e izolimit edhe për disa javë të tjera, ne mund të ulnim nën 0.2 normën e infektimit. Unë prirem t’i mbështes ata, por vetë nuk jam shumë i bindur për këtë. Norma e infektimit, është në thelb një mesatare. Ajo nuk na tregon se cilat janë zonat me rrezik më të madh, siç janë për shembull azilet e të moshuarve, ku kjo pandemi do të kërkojë më shumë kohë për t’u zhdukur, dhe ku mund të shohim një ringjallje të shpejtë të koronavirusit.
Nëse do të kishte një ringjallje të tillë, a mund të mbahet ajo nën kontroll?
Po, por kjo gjë nuk mund të bëhet vetëm pëmes gjurmimit të kontakteve njerëzore. Tashmë ne kemi prova se gati gjysma e rasteve me Covid-19, ndodhin përpara se një person të nisë të shfaqë simptoma. Dhe njerëzit janë infektues 2 dy ditë para këtij momenti.
Kjo do të thotë që gjurmuesit e kontakteve, që punojnë me pacientët e sëmurë për të identifikuar ata që janë ekspozuar ndaj koronavirusit, janë realisht në një garë me kohën. Ata kanë nevojë të ndihmohen që të kontaktojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, me të gjithë ata që janë potencialisht të ekspozuar. Dhe kjo do të kërkojë gjurmimin elektronik të kontaktit.
Sa afër jemi arritjes së imunitetit të tufës?
Për të arritur imunitetin e tufës, duhet që 60-70 për qind e popullatës të prodhojë antitrupa kundër Covid-19. Rezultatet e testeve të antitrupave, sugjerojnë se në Evropë dhe SHBA kjo normë është në nivele të ulëta. Por testet nuk janë të besueshme, dhe imuniteti i tufës nuk është gjithçka. Ai supozon një infektim të plotë të popullatës. Por ka arsye pse e gjithë popullata mund të mos jetë e prirur të infektohet në çdo kohë të caktuar. Rrjetet ndryshojnë, dhe njerëz të rinj ekspozohen. Efekte të tilla, mund të shkaktojnë valë të reja infektimesh. Një faktor tjetër që mund të ndikojë në imunitetin e tufës, është nëse koronaviruse të tjera na ofrojnë mbrojtje ndaj Covid-19.
A duhet që të gjitha vendet të testojnë të gjithë qytetarët e tyre?
Nuk jam i sigurt për këtë. Edhe në Gjermani, pavarësisht kapacitetit tonë të madh të testimit, shumica e testeve ndodh tek njerëzit që raportojnë simptoma. Dhe ne nuk kemi pasur një normë pozitiviteti mbi 8 për qind. Prandaj mendoj se testimi me synim grupime të caktuara, mund të jetë praktika më e mirë, kryesisht për njerëzit që janë më të rrezikuar. Në fakt kjo nuk po ndodh plotësisht në Gjermani, edhe pse jemi duke shkuar drejt saj. Fokusi tjetër duhet të jenë tek pacientët në javën e parë të simptomave, sidomos të moshuarit që priren të vijnë në spital shumë vonë. Dhe ne kemi nevojë për një lloj sistemi mbikëqyrjes, për të skanuar popullsinë, dhe për të ndjekur ecurinë e normës së infeksionit.
Çfarë dihet mbi sezonalitetin e virusit?
Jo shumë. Grupi i modelimit në Universitetin e Harvardit i udhëhequr nga Mark Lipsit, ka sugjeruar që transmetimi i koronavirusit mund të ngadalësohet gjatë stinës së verës, por kjo do të ketë një efekt të vogël. Nuk kam të dhëna më të mira.
A mund ta themi me siguri se pandemia nisi në Kinë?
Mendoj se po. Por nga ana tjetër, nuk supozoj se ajo filloi në tregun ushqimor në Vuhan. Ka më shumë të ngjarë që të ketë nisur aty kafsha është mbarështuar.
Çfarë dimë për bartësin e ndërmjetëm, a është ai pangolina?
Nuk shoh ndonjë arsye për të supozuar se virusi ka kaluar tek njeriu përmes pangolinës. Nga njohuritë aktuale mbi SARS-in, na vjen një informacion interesant. Ai virus u gjet tek macet Civet, por edhe tek qentë rakunë. Këta të fundit, janë pjesë e një industrie të madhe në Kinë. Nëse dikush do të më jepte disa qindra mijëra dollarë dhe qasje të lirë në Kinë, unë do të shkoja të shihja se ku mbarështohen qentë rakunë.
A do të jetë e dobishme të identifikohet “pacienti zero”, pra njeriu i pari i infektuar me Covid-19?
Jo. Është gati e sigurtë se ‘pacienti zero’ është prekur nga një virus shumë i ngjashëm, me disa nga viruset e sekuencave të para, kështu që nuk kjo do të na ndihmonte. Nuk besoj se do të na ndihmonte të parandalojmë pandemitë e ardhshme të koronavirusit. Pasi njerëzimi do të jetë imun ndaj koronavirusit tjetër të lidhur me SARS-in. Koronavirusët e tjerë, mund të përbëjnë një kërcënim. Kryesori është virusi i Sindromës i Frymëmarrjes së Rënduar i Lindjes së Mesme (MERS).Por për ta kuptuar këtë kërcënim, ne duhet të studiojmë se si viruset MERS po evoluojnë tek devetë në atë rajon.
A janë aktivitetet njerëzore, përgjegjëse për kalimin koronaviruseve nga kafshët tek njerëzit?
Kur kanë mundësi, koronavirusët janë të prirur që të ndryshojnë bartës. Dhe ne njerëzit e krijojmë këtë mundësi përmes përdorimit jo natyral të kafshëve, sidomos atyre shtëpiake. Këto të fundit janë të ekspozuara ndaj jetës së egër. Ato mbahen në grupe të mëdha, që mund të forcojnë virusin, dhe njerëzit kanë kontakte të afërta me to. Prandaj ato përfaqësojnë një trajektore të mundshme të shfaqjes së koronaviruseve.
Deri tani mendohej se gripi paraqiste rrezikun më të madh për një pandemi. A është ende kështu?
Sigurisht, por ne nuk mund të përjashtojmë një pandemi tjetër të koronavirusit. Pas shpërthimit të parë të epidemisë së Ebolës në vitin 1976, njerëzit menduan se kjo sëmundje nuk do të kthehej më kurrë. Por pas më pak se 20 vjetësh, ky virus u shfaq sërish.
Angela Merkel, është vlerësuar për udhëheqjen e saj gjatë kësaj krize. Çfarë e bën atë një udhëheqëse të mirë?
Ajo është shumë e mirë-informuar mbi situatën. E ndihmon edhe fakti që është vetë shkencëtare në profesion. Por unë mendoj se kjo ndodh për shkak të aftësisë së saj për të reflektuar thellë, dhe për t’i transmetuar siguri opinionit publik. Një nga tiparet dalluese të një lideri të mirë, është të mos e përdorë situatën aktuale si një mundësi politike.
Çfarë ju mban natën zgjuar?
Në Gjermani, njerëzit shohin që spitalet nuk janë të mbingarkuara, dhe nuk e kuptojnë se përse dyqanet e tyre duhet të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura. Ata shohin vetëm atë që po ndodh këtu, dhe jo në Nju Jork apo Spanjë. Ky është paradoksi i parandalimit, dhe për shumë gjermanë unë jam ‘djali i keq’, që po e shkatërron ekonominë. Kam vazhdimisht kërcënime me vdekje, të cilat i denoncoj në polici. Më shqetësuese janë e-mailet e tjera, nga njerëzit që thonë se kanë 3 fëmijë, dhe janë shumë të brengosur për të ardhmen e tyre. Nuk është faji im për këtë, por janë këta të fundit që më mbajnë natën zgjuar. / Times /