Vjedhja e Thesarit, Fullani në prokurori pas pushimeve
Grupi hetimor u ka dërguar fletëthirrje shtatë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës
Anëtarët e KM kanë kërkuar të paraqiten në prokurori në fillim të shtatorit, pasi janë me pushime
Vjedhja e Thesarit do të çojë në prokurori edhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili pritet të japë deklarimet e tij në javën e parë të shtatorit. Por bashkë me Fullanin, pritet të japin deklarimet përkatëse edhe gjashtë anëtarët e tjerë të Këshillit Mbikëqyrës, të cilëve u është nisur fletëthirrja nga Task-Forcë e ngritur posaçërisht për vjedhjen e 713 milionë lekëve nga Thesari i Shtetit.
Fletëthirrjet
Burimet pranë grupit hetimor kanë shpjeguar për mediat se shtatë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, janë kontaktuar nga prokuroria për t’u thirrur që javën e ardhshme, por përgjigjja që kanë marrë nga Fullani dhe kolegët e tjerë ka qenë e njëjta: “Jemi me pushime dhe nuk mund të paraqitemi deri në fillim të shtatorit”. Për këtë arsye edhe organi hetimor është detyruar të shtyjë kohën e thirrjes së tyre duke mos iu cenuar ditët e pushimeve vjetore Guvernatorit dhe anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës. I pari në listën e atyre që do të thirren është Guvernatori që ka edhe rolin e kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës dhe më pas zëvendësguvernatorja Elisabeta Gjoni, e cila është numri dy i Këshillit Mbikëqyrës. Pas tyre do të thirren edhe anëtarët e tjerë.
Gjithmonë bazuar në burime të sigurta, mësohet se në komunikimet që ka pasur prokuroria me anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, ata kanë kërkuar informacion lidhur me arsyen e thirrjes dhe prokurorët kanë pasur gati përgjigjen: do të pyeten si persona që kanë dijeni për ngjarjen. Pra si persona që kanë dijeni për vjedhjen spektakolare të vartësit të tyre Ardian Bitraj tashmë i arrestuar së bashku edhe me nëntë persona të tjerë mes tyre dhe ish-drejtori i Thesarit, Dorian Çollaku. Pas pushimeve që u prishën vetëm për një ditë për mbledhjen e Këshillit, Banka e Shqipërisë do ta ketë shumë aktive rrugën e shkurtër nga selia në zyrat e prokurorisë dhe shtatori pritet të jetë mjaft interesant në hetimet për vjedhjen.
Pasuria
Anëtarët e KM, pavarësisht karrierave të ndryshme profesionale, bindjeve dhe prejardhjeve të ndryshme politike, ata cilësohen si personat më të paguar në sektorët publikë të shtetit shqiptar. Dhori Kule liston 9 paga nga 9 institucione të ndryshme dhe që të gjitha publike, si anëtar bordesh apo këshillash, një statistikë, që profesorit të ekonomisë do ia kishin zili edhe emrat më autoritarë të kësaj fushe në rang botëror. Sipas deklaratës në vitin 2012, këto paga i kanë siguruar zotit Kule në total rreth 55 mijë dollarë të ardhura, ose 10 herë më shumë sesa paga mesatare vjetore e një nëpunësi publik. Kolegia e tij në KM, Elisabeta Gjoni përfiton edhe më shumë. Saktësisht 68 mijë dollarë në vit, të gjitha nga sektori publik i një vendi ku të ardhurat mesatare për frymë janë vetëm 4 mijë dollarë në vit. Në radhë vjen Elivar Golemi, inspektorja e Përgjithshme e cila ka për detyrë auditin dhe kontrollin financiar të bankës, për të mos lejuar vjedhjet. Për këtë punë, Golemi paguhet nga Banka e Shqipërisë 50 mijë dollarë në vit. Anëtarja tjetër, Ermelinda Meksi përfiton 37 mijë dollarë në vit nga institucionet publike. Ardian Civici dhe Ela Golemi paguhen respektivisht me 22 mijë dhe 27 mijë dollarë nga sektori publik, ndërsa Petraq Milo në vitin 2013 po ashtu përfitoi 38 mijë dollarë nga puna në bankë dhe në Kryeministri. Guvernatori Ardian Fullani është njeriu më i mirëpaguar nga sektori publik në Shqipëri. Në vitin 2013 paga dhe shpërblimet në Bankën e Shqipërisë i kanë siguruar atij mbi 90 mijë dollarë të ardhura, përkatësisht 7500 dollarë në muaj. Për një anëtar të thjeshtë në Këshillin Mbikëqyrës paga është 20 mijë e 500 dollarë në vit, për t’u mbledhur vetëm një ose dy herë në muaj nga disa orë.
Peticioni për Fullanin
Aktivisti kërcënon kolegen: Ishte lojë
Identifikohet personi që kërcënoi nëpërmjet telefonit Ajtanga Lubonjën, përfaqësuesen e shoqërisë civile, e cila është angazhuar në mbledhjen e firmave të qytetarëve, për shkarkimin e guvernatorit Ardian Fullani. Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës, bëjnë me dije se autori i kërcënimeve është identifikuar si Aleksandër Bajram Rrema, 28 vjeç, me banim në Tiranë. I riu dyshohet se ditë më parë i ka shkruar një mesazh përfaqësueses së Shoqërisë Civile, me përmbajtje kërcënuese. “Dimë gjithçka për ty. Dimë se kush je dhe çfarë bën. Tani këto kohët e fundit po merresh me një peticion që po i shërben një politike të caktuar dhe të komanduar nga lart. Mos të duket vetja e madhe kur nuk di asgjë se çfarë bëhet me ty! Hap sytë dhe shiko mirë përreth! Jam një që të dua të mirën prandaj po të flas. Mos na detyro që të marrim masa të rrepta kundrejt teje. Hiq dorë sa je në kohë!”, është përmbajta e mesazhit, dërguar aktivistes. Këtë fakt Lubonja, e ka denoncuar në polici dhe pas kallëzimi, Komisariati Nr. 1 ka nisur hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorit. Ndaj 28-vjeçarit ka nisur procedim penal për “përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike”. Gjatë marrjes në pyetje ka rezultuar se Rrema është një ndër aktivistët e shoqërisë civile, i cili ka bashkëpunuar me Lubonjën, por ditët e fundit ka pasur një debat me të. Nisur nga kjo, ai ka shpjeguar se mesazhin ia kishte nisur më shumë për shaka, në formën e një loje. Megjithatë policia tha se do të verifikojë plotësisht këtë ngjarje.