Vjedhja e Thesarit të Shtetit, prokuroria gjen shkeljen e parë të Guvernatorit Fullani
Hetimet
Akuza: Në kundërshtim me rregulloren, emëroi dy vite rresht një auditues
Shkelja – Me urdhër të Guvernatorit, shtetasi Ilir Dedja është emëruar në vitin 2012 dhe 2013 auditues në Bankën e Shqipërisë. Rregullorja e Këshillit Mbikëqyrës e vitit 2006 ia ndalon një gjë të tillë
Rregullorja – Sipas akuzës, në nenin 8 të këtij vendimi, ndalohet që një person të kontrollojë Bankën e Shqipërisë për dy vite me radhë. Ende nuk dihet përse është emëruar Dedja si kontrollor i Thesarit
Nga Sokol Çobo
Kur kanë kaluar mbi 40 ditë nga zbulimi i vjedhjes në Thesarin e Shtetit, prokuroria ka zbuluar shkeljen e parë të Guvernatorit Ardian Fullani. Me firmën e Guvernatorit, shtetasi Ilir Dedja, është emëruar në vitet 2012 dhe 2013 kontrollor i Bankës së Shtetit, në kundërshtim me një rregullore të miratuar në vitin 2006 nga Këshilli Mbikëqyrës. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë për gazetën Shqip se Fullani ka shkelur nenin 8 të kësaj rregullore, ku ndalohet që një person të emërohet dy vite me radhë si auditues në Bankën e Shqipërisë. Megjithatë, Dedja ka arritur të zbatojë vendimin e paligjshëm të Fullanit, duke shkuar në disa departamente të BSH-së për kontroll. Akuza thotë se audituesit emëroheshin direkt nga Guvernatori, ndërsa edhe raportet përfundimtare shkonin në tryezën e tij të punës, për mbyllje përfundimtare. Fakt është se, gjatë kontrolleve dyvjeçare, audituesit nuk kanë mundur të zbulojnë vjedhjen në Thesarin e Shtetit, ku mësohet se janë zhvatur mbi 7 milionë USD. I vetmi që ka pranuar supervjedhjen është Ardian Bitraj, ndërsa personat e tjerë vazhdojnë ta mohojnë përfshirjen e tyre.
Rregullorja e vitit 2006
Prokuroria ka sekuestruar të gjitha vendimet e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ndërsa më pas ka filluar verifikimet nëse janë zbatuar apo jo nga punonjësit e saj. Në vitin 2006, ky Këshill ka miratuar edhe një rregullore për auditet, ndërsa përcaktonte nen për nen edhe mënyrën sesi duhej të kryhej. Numri i rregullores është 82, ndërsa është miratuar më datë 15 nëntor. Në nenin 8 të tij, thotë akuza, ndalohej që një auditues të kontrollonte për dy vite rresht Bankën e Shqipërisë. Grupi hetimor shton se krerët e Bankës së Shqipërisë kanë shkelur hapur këtë rregullore, pasi në vitet 2012 dhe 2013, shtetasi Ilir Dedja ka kontrolluar Bankën e Shqipërisë, mes të cilave edhe Thesarin e Shtetit. Prokuroria shton se, në ditët në vazhdim, do të kryejë edhe verifikimet përkatëse për këtë shkelje të rregullores, ndërsa pohon se do të pyesë edhe Guvernatorin për zgjedhjen e Dedjas si auditues në dy vite rresht. “Guvernatori i Bankës së Shqipërisë do të pyetet për shkeljen e kësaj rregulloreje. Ai do të thirret në prokurori si person që ka dijeni për një vepër penale. Hetimet e deritanishme janë përqendruar te Departamenti i Emisionit, ndërsa ditët e fundit është verifikuar edhe vendimmarrja e zinxhirit komandues të Bankës së Shqipërisë, të cilët kanë firmosur disa urdhra, për kontrolle apo audite”, – pohojnë burimet nga akuza qendrore, ndërsa shtojnë se, të gjitha veprimet e këtyre zyrtarëve, nuk kanë arritur të zbardhin supergrabitjen, madje as ndalimin e saj, që ka zgjatur për katër vite.
Kontroll një më një të pakove
Dy grupet e kontrollit që kanë shkuar në Thesarin e Shtetit në Linzë nuk e kanë zbuluar vjedhjen katërvjeçare. Prokuroria thotë se këto grupe duhet të kontrollonin çdo pako dhe jo 5 për qind të tyre, siç edhe ka ndodhur. Në kreun III të rregullores së vitit 2006 të Këshillit Mbikëqyrës, përcaktohet se “verifikimi me përzgjedhje, jo më pak se 5 për qind e tyre, kryhej duke hapur kolitë dhe duke verifikuar në brendësi të gjitha pakot dhe macetat, ndërsa për kolitë, verifikimi duhej kryhej për të gjitha”. Akuza shton se për faktin që nuk është kryer një inventar dhe verifikim i tillë, nuk është arritur të konstatoheshin tetë kolitë e prekura, të cilat do të krijonin mundësinë e konstatimit të vjedhjes në kohë më të hershme dhe shmangien e vjedhjes në të ardhmen.
Neni 12 i kësaj rregullore përcakton se “në rastin e kartëmonedhave të rregullta dhe monedhave metalike të ambalazhuara standard në arka të vulosura apo në thasë të plumbosur nga prodhuesi, numërohen kolitë, përkatësisht arkat ose thasët, për çdo prerje. Në rast se konstatohen diferenca, Komisioni njofton me shkrim Guvernatorin, i cili urdhëron kontrollin e së gjithë sasisë”, – thuhet në këtë rregullore. Akuza thotë se këto grupe nuk kanë zbatuar rregulloren e Këshillit Mbikëqyrës, ndërsa edhe krerët e Bankës së Shqipërisë nuk zbuluan se këto grupe kishin shkelur pikërisht këtë rregullore.
Akuza thotë se, duke iu referuar pikërisht rregullores, kartëmonedhat e ardhura nga degët e bankave të nivelit të dytë, të cilat janë në gjendje të papërpunuar, kontrollohen për çdo dërgesë si sasi totale. Madje edhe kartëmonedhat e dëmtuara, dhe të kontrolluara, inventarizohen si koli ose si pako, duke ndjekur të njëjtat rregulla si kartëmonedhat e rregullta, vijon rregullorja, që, nëse do të zbatohej, mund të zbardhte vjedhjen që në vitin 2012 apo të paktën në vitin 2013, duke ndaluar Ardian Bitrajn, por jo vetëm atë, të zhvaste Thesarin, duke i shkaktuar shtetit një dëm mbi 7 milionë dollarë.