Vllaznia, Memelli: Besimi nuk mungon, duam të vazhdojmë më tej
Pas humbjes 1-3 në ndeshjen e parë, Vllaznia bëhet gati për ndeshjen e kthimit me Linfield në Ligën e Konferencës, të enjten në “Loro Boriçi”, ora 20:45. Një ditë para ndeshjes, trajneri i kuqebluve, Migen Memelli ka dalë në një konferencë për shtyp duke theksuar se skuadra gëzon një formë të mirë dhe se do japë maksimumin para tifozërisë shkodrane.
“Ishte një javë reflektimi, se si duhet të përmirësohemi përballë këtij kundërshtari. Besimi nuk mungon, skuadra është stërvitur mirë dhe kam besim se do të bëjë një ndeshje shumë të mirë. Nuk kemi ndryshuar shumë, por mendoj dhe besoj se atmosfera e tifozëve do na ndihmojë. Motivimi do jetë shumë herë më i lartë”.
“Kualifikimi? Gjithmonë ka optimizëm. Unë besoj te lojtarët e mi, e shikoj çdo ditë te mënyra se si stërviten. Në futboll është gjithçka e paparashikueshme, gjithçka mund të ndodhë, por besoj te skuadra dhe futbollistët. Është shumë i rëndësishëm 30-minutëshi i parë, djemtë duhet të luajnë pa presion. Kjo është një ndeshje që ka vlerë për klubin si nga ana monetare ashtu dhe nga ajo psikologjike. Patjetër që besojmë te kualifikimi, do të bëjmë maksimumin për të vazhduar më tej”.