Vranë policin, pranohet gjykimi i shkurtuar për grupin “Lazarati 2”
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar për 11 anëtarët e grupit “Lazarati 2” të cilët akuzohen për vrasjen e efektivit të të Policisë së Shtetit, Ibrahim Basha.
Pesë të pandehur akuzohen për “vrasjen e punonjësit të policisë”, ndërsa 6 persona të tjerë akuzohen për armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim i forcave të policisë.
Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda ka rezultuar se një grup të rinjsh, nën drejtimin e shtetasve Arbjon dhe Alban Aliko, kanë planifikuar, organizuar dhe goditur forcat e policisë, të cilat gjendeshin në patrullim në zonën e Lazaratit, në datat 23-24 qershor 2015.
Nga hetimi ka rezultuar se të pandehurit, së bashku edhe me persona të tjerë, kanë qenë të armatosur me armë të ndryshme dhe kanë tentuar që të largojnë me forcë policisë, me qëllim që, në zonën e tyre, të rikthehej kultivimi i lëndës narkotike cannabis sattiva, një paligjshmëri që ishte goditur në një operacion të gjerë një vit më parë (në vitin 2014).
Ngjarja
Mesnatën, duke u gdhirë data 24 qershor 2015, forcat e policisë kanë nisur operacion në zonën e Lazaratit, pasi kishin informacione se disa të rinj po përgatiteshin për veprime kriminale.
Gjatë kontrolleve, pranë qendrës së fshatit, forcat speciale të Policisë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Xhulio Malo, i cili po drejtonte një mjet, ku gjendeshin armë të ndryshme dhe lëndë narkotike kokainë. Pas arrestimit, forcat speciale kanë njoftuar kolegët e tyre, të cilët gjendeshin në një furgon, për të realizuar shoqërimin e Malos.
Në momentin që furgoni po afrohej, ndaj tij është qëlluar me armë zjarri, nga një largësi rreth 200 metra. Nga goditjet me armë ka mbetur i vdekur efektivi i policisë, Ibrahim Basha, si edhe janë plagosur efektivët Jetmir Isai dhe Perlat Hamitaj.
Në vijim të operacionit policor dhe, më tej, nga hetimet e drejtuara nga Prokuroria për Krime të Rënda, u arrit të identifikoheshin dhe të arrestoheshin 11 pjesëtarë të grupit të strukturuar kriminal.
Të akuzuarit
Arbjon Aliko
Alban Aliko
Bajram Bocia
Elvis Bocia
Elson Kazma
Xhulio Malo
Klodian Selimi
Oltian Proko
Dervish Gaba
Ruhan Hiraj
Iljaz Xhaferaj