Bota

Vrasja e 112 palestinezëve në Gazë nxit reagime ndërkombëtare

RAFAH, Rripi i Gazës - Vdekja e të paktën 112 palestinezëve që po kërkonin ndihma humanitare në qytetin e Gazës nxiti reagime të shumta ndërkombëtare, një ditë pasi dëshmitarët dhe zyrtarët shëndetësorë në Gazë thanë se vrasjet ishin shkaktuar nga sulmi i forcave izraelite. Izraeli e kundërshton këtë version të ngjarjes.

Shtëpia e Bardhë e quajti incidentin në Gazë “jashtëzakonisht alarmues” ndërkohë që atë e dënuan edhe udhëheqës të lartë evropianë dhe botërorë, të cilët kërkuan hetime të plota të ngjarjes.

Drejtori i një spitali në Gazë ku po kurohen disa të plagosur në ngjarjen e përgjakshme pranë autokolonës së ndihmave tha të premten se mbi 80 për qind të tyre kishin plagë nga armë zjarri, që lë të kuptohet se forcat izraelite kishin hapur zjarr ndaj turmës.

Të paktën 112 palestinezë janë vrarë dhe mbi 750 u plagosën të enjten, sipas zyrtarëve shëndetësorë, kur, sipas dëshmitarëve, forcat izraelite që ishin aty pranë hapën zjarr, ndërkohë që turma të mëdha njerëzish po dyndeshin për të marrë ndihma nga kamionët humanitarë. Izraeli thotë se shumë nga të vdekurit u shtypën gjatë rrëmujës që pasoi dhe se forcat e tyre qëlluan ndaj disa individëve në turmë për të cilët besuan se ishin nisur drejt tyre në mënyrë kërcënuese.

Mjeku Mohammed Salha, drejtori në detyrë i spitalit Al-Awda, i tha agjencisë Associated Press se 176 të plagosur u dërguan në spital, prej të cilëve 142 kishin plagë nga plumbat. 34 të tjerë kishin lëndime nga rrëmuja.

Ai nuk mund të thoshte se çfarë e shkaktoi vdekjen e të vrarëve, ngaqë trupat e tyre ishin dërguar në spitale qeveritare për t’u numëruar.

Në një video të postuar në platformën sociale X, zëdhënësi i ushtrisë izraelite tha se trupat izraelite hapën zjarr paralajmërues në ajër për të shpërndarë turmën.

“Në orën 4.45 të mëngjesit, një turmë i zuri pritë një autokolone me kamionë duke e detyruar të ndalet. Siç mund të shihni në këtë xhirim, tanket që ishin aty për t’i ofruar siguri autokolonës, shohin njerëz që po shtypen nga turma dhe me kujdes provuan të shpërndanin turmën me disa të shtëna paralajmëruese. Kur qindra njerëz u shndërruan në mijëra dhe gjërat dolën jashtë kontrollit, komandanti i njësitit vendosi të tërhiqej në përpjekje për të shmangur dëmtimin e mijëra banorëve të Gazës që ishin aty,” deklaroi zëdhënësi i Ushtrisë Izraelite Daniel Hagari. “Dua të theksoj se ushtria izraelite nuk ka sulmuar autokolonën e ndihmave. Përkundrazi, ushtria izraelite po kryente një operacion humanitar. Prandaj ishim aty ngaqë lufta jonë është kundër Hamasit, jo kundër popullit të Gazës.”

Por i dërguari palestinez në OKB, Riyad Mansour e quajti incidentin një “masakër mizore”.

“Sipas informacioneve tona, dhjetra prej tyre kishin plumba në kokë,” tha ai duke iu referuar njerëzve në vendin e ngjarjes. “Nuk bëhet fjalë për të shtëna në ajër për të frenuar njerëzit për shkak të një situate konfuzioni dhe kaosi. Ishte një vrasje e qëllimshme.”

Ngjarja e përgjakshme nënvizon se si kaosi i krijuar nga ofensiva pesë muajshe e Izraelit ka vështirësuar përpjekjet për t’u dërguar ndihma 2.3 milionë palestinezëve të Gazës, një e katërta e të cilëve, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, po përballen me uri.

Kombet e Bashkuara dhe organizatat e tjera të ndihmave, po bëjnë thirrje për hapjen e korridoreve të sigurt për kalimin e autokolonave të ndihmave, duke thënë se është bërë gati e pamundur të dërgohen ndihma në pjesën më të madhe të Gazës për shkak të vështirësive për t’u koordinuar me ushtrinë izraelite, luftimeve të vazhdueshme dhe mungesës së rendit publik, me turma njerëzish të dëshpëruar që dynden drejt kamionëve të ndihmave.

Zyrtarët e OKB-së thonë se uria është edhe më e rëndë në pjesën veriore, ku disa qindra mijëra palestinezë vazhdojnë të qëndrojnë ende, ndonëse ajo pjesë e Gazës është izoluar dhe shumica e saj është shkatërruar, që kur filloi sulmi tokësor izraelit në fund të tetorit. Agjencitë e OKB-së nuk kanë dërguar ndihma në pjesën veriore prej një muaji, për shkak të kufizimeve të vendosura nga ushtria dhe mungesa e sigurisë, ndonëse disa dërgesa janë bërë nga organizata të tjera që janë futur në atë zonë gjatë kësaj jave.

Autokolona e të enjtes nuk ishte organizuar nga OKB-ja. Megjithatë, duket se kamionët po vëzhgoheshin nga ushtria izraelite, që thotë se forcat e saj po ofronin siguri që kamionët të futeshin në Gazën veriore. Të shtënat dhe gjakderdhja që u shkaktua më pas shtruan dilema nëse Izraeli do të jetë në gjendje të mbajë rendin po të synojë të zbatojë planin e vet për Gazën e pasluftës.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka propozuar një plan sipas të cilit Izraeli do të ishte përgjegjës për kontrollin politik dhe sigurinë ndaj Rripit të Gazës për një periudhë të pacaktuar – që në realitet është një ripushtim i territorit – pas shkatërrimit të Hamasit. Sipas planit, palestinezët e zgjedhur nga Izraeli do të qeverisnin territorin, por është e paqartë nëse ndonjëri prej tyre do të pranonte të bashkëpunonte.

Kjo nënkupton që forcat izraelite, të cilat përgjatë luftës janë kundërpërgjigjur me zjarr intensiv ndaj çdo gjëje që e kanë parë si kërcënim të mundshëm, të mbikëqyrin një popullatë gjatë periudhës kur bashkësia ndërkombëtare thotë se duhet të ndërmerret një operacion i madh rindërtimi dhe humanitar i pasluftës.

Arabia Saudite, Egjipti dhe Jordania akuzuan Izraelin se ka qëlluar ndaj civilëve dje. Ata kërkuan të shtohen kalimet e sigurta për dërgimin e ndihmës humanitare. Ata gjithashtu nxitën bashkësinë ndërkombëtare të marr veprime të vendosura për t’i bërë trysni Izraelit që të sillet në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe të arrijë një marrëveshje për një armëpushim të menjëhershëm.

Një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë e quajti ngjarjen “jashtëzakonisht alarmuese dhe tejet shqetësuese” dhe kërkoi një hetim të plotë të saj.

Presidenti Joe Biden bisedoi të enjten me presidentin e Egjiptit dhe emirin e Katarit dhe tha se ngjarjet në Gazë do të ndikojnë në përpjekjet ndërkombëtare për të arritur një marrëveshje për ndërprerjen e përkohshme të luftimeve dhe lirimin e pengjeve të rrëmbyera nga Hamasi.

Në Pentagon, zëdhënësi Pat Ryder tha se dhuna vdekjeprurëse në Gazë gjatë shpërndarjes së ndihmave ishte alarmuese.

“Raportet janë alarmuese. Kjo situatë tregon natyrën tragjike të këtij konflikti. Jemi shumë të pikëlluar për humbjen e jetëve të pafajshme. Një numër shumë i lartë civilësh janë vrarë në operacionet ushtarake të Izraelit dhe ne vazhdojmë të përsërisim se civilët duhet mbrojtur,” deklaroi zoti Ryder.

Numri i të vrarëve gjatë luftës ndërmjet Izraelit dhe Gazës, sipas zyrtarëve shëndetësorë në Gazën e qeverisur nga Hamasi, tashmë ka shkuar mbi 30 mijë.

Presidenti i Francës Emmanuel Macron shprehu zemërimin për sulmin në një postim në X, duke bërë thirrje për të vërtetën, drejtësinë dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar.

Drejtuesja e Bashkimit Evropian Ursula von der Leyen tha se ishte “shqetësuar tej mase nga pamjet nga Gaza” dhe kërkoi hetim të plotë të ngjarjes.

Në Nju Jork, Këshilli i Sigurimit të OKB-së u takua me dyer të mbyllura të enjten në mbrëmje me kërkesë të Algjerisë.

“Sekretari i Përgjithshëm është i tmerruar nga numri tragjik i të vdekurve në konfliktin e Gazës… Ai dënon incidentin në Gazë gjatë të cilit besohet se janë vrarë ose lënduar mbi njëqind njerëz ndërkohë që po mundoheshin të siguronin ndihmat për t’iu shpëtuar jetën. Civilëve të dëshpëruar në Gazë ju duhet ndihmë urgjente, përfshirë atyre në Gazën veriore, ku Kombet e Bashkuara nuk kanë arritur të dërgojnë ndihma për më shumë se një javë,” deklaroi zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric.

Irani, Kina dhe Liga e Shteteve Arabe po ashtu dënuan dhunën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button