Vrasja e Jong-nam, Malajzia tërheq ambasadorin
Malajzia ka tërhequr të dërguarin e saj në Penian pas një përplasjeje në përshkallëzim e sipër në lidhje me vrasjen e Kim Jong-nam, vëllait nga babai të udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un.
Ai vdiq në rrethana misterioze javën e kaluar në aeroportin e Kuala Lumpurit, teksa policia beson se ishte helmuar teksa priste avionin.
Policia malajziane tha se po kërkon tani 4 koreanoveriorë. I dërguari i Penianit në Malajzi është thirrur gjithashtu në raportim për disa komente që ka bërë.
Pavarësisht spekulimeve të shumta se Koreja e Veriut qëndron pas vrasjes, nuk ka prova përfundimtare dhe Peniani nuk ka lëshuar ende një deklaratë zyrtare. Koreja e Jugut ka akuzuar Veriun komunist për orkestrimin e incidentit, duke thënë të hënën se ka prova për një intensifikim të terrorizmit koreanoverior.
Ndërkohë, një video e marrë nga kamerat e sigurisë pas sulmit është publikuar në një televizion japonez. Malajzia është një nga të paktat vende që ka ende marrëdhënie diplomatike me Korenë e Veriut, por kjo vrasje ka trazuar lidhjet.
Malajzia ka refuzuar t’i përgjigjet kërkesës së Koresë së Veriut për t’i dorëzuar asaj trupin e Kim Jong-nam, pa bërë më parë autopsinë. Kjo bëri që ambasadori i Penianit në Malajzi të akuzonte Kuala Lumpurin se po bashkohej me forcat armike dhe se Malajzia ka diçka për të fshehur.
Kjo shkaktoi zemërim dhe reagim të ashpër të Ministrisë së Jashtme malajziane, që tha se akuza ishte e pabazë dhe shtoi se ishte përgjegjësi e Malajzisë të kryente një hetim, pasi Kim Jong-nam vdiq në territorin malajzian.
Autoritetet tani po presin për rezultatet e autopsisë, ndërsa Koreja e Veriut ka thënë se nuk do t’i pranojë këto rezultate, pasi autopsia është bërë pa praninë e saj. Malajzia ka refuzuar të dorëzojë trupin e tij duke thënë se duhet të kryejë më parë një test ADN-je, ndërsa policia po kërkon mostra gjaku të pjesëtarëve të familjes.
Ai besohet se ka familjarë që jetojnë në Pekin dhe Makau. Policia malajziane tha se, nëse nuk do të ketë asnjë pretendim nga familjarët e tij dhe nëse do të ezaurohen të gjitha mundësitë për marrjen e ADN-së së tyre, atëherë trupi do të dorëzohet në Ambasadën koreanoveriore.