Kronika

Vrasja e pesëfishtë në Suk, bilancit tragjik i shtohen edhe tre fëmijë jetimë

Masakra

Bashkëshortja e autorit: Kam tre fëmijë jetimë të kunetërve, sa të kem frymë do të kujdesem

Nga Edmond Hoxhaj
aferdita-me-tre-jetimetMasakra e pesëfishtë në fshatin Suk të Fierit, krahas bilancit tragjik, ka shkaktuar edhe probleme sociale, pasi tre fëmijë janë jetimë dhe pa asnjë ndihmë nga shteti. Një muaj pas ngjarjes makabre, situata në familjen Vrapi vazhdon të jetë e zymtë, pa pesë pjesëtarë. Bajram Vrapi, 76 vjeç, do të qëllonte me armë zjarri dy vëllezërit e tij, Besim e Xhema Vrapi, kunatën e tij Dritan Vrapi dhe mbesën Merushe Vrapi. Në fund do të vriste veten. Bashkëshortja e autorit, Afërdita, thotë për gazetën Shqipse do të kujdeset për tre fëmijët jetimë të kunetërve të vrarë deri sa të ketë frymë. Në lidhje me motivin e krimit thotë se Bajrami kishte mësuar se vajza, Merushja, kishte pasur një lidhje me një djalë tjetër, ndërsa ai kërkonte që ajo të ruante nderin. Por, shton se mes vëllezërve ka pasur debat edhe për një detaj tjetër për fejesën, pasi 76-vjeçari kishte mësuar se i fejuari i vajzës kishte qenë në burg.

Familjarët e viktimave thonë se Bajrami e ka cilësuar nderin si virtytin më të shtrenjtë dhe në këtë pikë ai s’falte. “Ai është përpjekur ta bindë mbesën për të dëshmuar të vërtetën e lidhjes së saj me një djalë tjetër, sipas tij, duke i kërkuar edhe Xhemalit, babait të vajzës, që të mos e lejonte këtë fejesë. Kundërshtimi i mbesës dhe i babait të saj, Xhemalit, si dhe kërcënimi që i ka bërë vëllai tjetër, Besimi, e kanë mbingarkuar gjendjen e Bajramit dhe e kanë shtyrë atë drejt një hapi fatal” pohojnë familjarët.

Tre jetimët

Megjithëse për organet e drejtësisë çështja konsiderohet e mbyllur, pasi autori ka vrarë veten, ngjarja ka lënë pasoja të parikuperueshme të paktën për tre jetimë, njëri prej të cilëve me probleme shëndetësore.

Mustafa dhe Denis Vrapi janë dy djemtë e mbetur jetimë. Xhaxhai i tyre, Bajrami, u vrau babanë Xhemalin, nënën dhe motrën që do të fejohej. Mustafai është vetëm 18 vjeç, ndërsa Denisi 13 vjeç. Denisi ka qenë edhe dëshmitar okular, pasi ka parë kufomat e prindërve dhe të motrës së tij. Familjarët e tyre thonë se më i madhi, Mustafai, deri para dy vjetësh është trajtuar me ndihmë ekonomike, me raport paaftësie nga KMCAP, pasi është dëmtuar rëndë në këmbë para shumë vitesh. Ai u rrëzua nga shkallët dhe zhvillimi i tij nuk është i të njëjtit stad si bashkëmoshatarët.

Jetimja tjetër është 17-vjeçarja Anxhela Vrapi, e bija e Besimit. Ajo jeton me njerkën, edhe kjo e trajtuar me raport paaftësie.

Jetesa

Denisi me të vëllain e sëmurë jetojnë tek shtëpia e autorit. Ndërkohë që Afërdita, e cila po kujdeset për ta, thotë se nga tre jetimët, ky është i vetmi i saktë dhe shteti duhet të marrë masa edhe për kujdesin ndaj tij me psikolog. Bajram Vrapi jetonte në kushte më të mira ekonomike se dy vëllezërit e tij. Duke pasur dy djem më të rritur, të cilët kishin punuar në emigracion, Bajrami kishte përfunduar katin e dytë të shtëpisë së tij. Ndërsa shtëpitë e Xhemalit dhe të Besimit, ishin të thjeshta, të vogla, të ndërtuar me blloqe. Banesa e Besimit kishte vetëm një dhomë dhe korridor, ndërsa e Xhemalit pak më e plotë. Djemtë e Bajramit i kishin ndihmuar me sa të mundeshin edhe financiarisht dy xhaxhallarët e tyre, si Xhemalin, ashtu dhe Besimin, për ndërtimin e këtyre shtëpive, pasi varfëria kishte qenë pjesë e jetës së tyre gjatë gjithë kohës.

Gruaja e autorit

Afërdita Vrapi zotohet se do të kujdeset për jetimët, duke e dënuar ashpër krimin e Bajramit. Mes lotësh, ajo shpreh dashurinë prindërore dhe dhimbjen e madhe. “Bajrami e kishte marrë vesh fejesën të hënën, një ditë pas dhënies së fjalës dhe nuk ishte ndier mirë pse nuk e kishin pyetur. Kishte shkuar te Kadriu dhe i kishte kërkuar të dhëna për djalin që do të fejohej me Merushen dhe familjen e tij, por ky i kishte thënë që nuk ish punë e tij” thotë Afërdita. Më tej, ajo shton se ai kishte pasur debate të vogla me vëllezërit e tij të hënën për këtë fejesë, por vetëm kaq. “Atë ditë, mua më thanë se Bajramin e kishin parë dhe me çifte në krahë. Që të isha e sigurt për çdo të papritur, ia dhashë armën e tij Anxhelës, vajzës së Besimit për ta fshehur. Të martën po përgatiteshim me Merushen për ardhjen e njerëzve nga Driza. Unë po merresha me gatime dhe vajza po më ndihmonte mua. I shoh Merushes në dorë një telefon të thyer dhe e pyes se ku e kish gjetur. Ajo më thotë se ia kishte dhënë i fejuari. ‘Po s’kishte një telefon tjetër? Pse të thyer?’- e pyes sërish. ‘I është thyer në burg’, – më thotë vajza me naivitetin e saj. Pra, djali paska qenë në burg në Itali dhe kjo doli përmes fjalëve të vajzës”, – pohon Afërdita. Ajo shton se më vonë ndodhi debati i madh. “Kur ishte grindur me Xhemalin, Dritën, Besimin dhe Merushen, unë nuk isha aty. Ndoshta Bajramit dikush mund t’i ketë thënë ndonjë fjalë edhe për këtë gjë, pra që djali, i fejuari i ri, ka qenë në burg, por më shumë ai ka këmbëngulur për lidhjen që vajza, sipas tij, ka pasur me një djalë tjetër dhe ka kërkuar që ajo të respektonte atë lidhje, në emër të nderit. Tani kam tre fëmijë jetimë të kunetërve. Sa të kem frymë, unë nuk i lë të tre fëmijët. Si Mustafain, Denisin, ashtu dhe Anxhelën, do t’i dua, do t’i mbaj pranë dhe do të kujdesem për ta deri në frymën e fundit. Pastaj, djemtë e mi të bëjnë ç’të duan. Nuk e bëj këtë gjë se i la jetim Bajrami im shoq, edhe sikur të mos e kish bërë ai, por janë të mitë dhe nuk mund t’i lë kurrë në mes të rrugës. I lutem dhe shtetit që të vërë dorën në zemër, për të ndihmuar këta fëmijë të pafajshëm, për t’u krijuar atyre një mundësi më shumë për të jetuar normalisht”, – ka bërë apel gruaja..

 

Motivi i vrasjes mund të ketë qenë që Bajrami kishte mësuar se i fejuari i Merushes kishte qenë në burg në Itali dhe i ka kërkuar llogari vëllait

Bajrami ka këmbëngulur për lidhjen që vajza ka pasur me një djalë tjetër dhe ka kërkuar që ajo të respektonte atë lidhje, në emër të nderit

Intervist

Denisi pa trupat e babait, nënës dhe motrës: Po të ishte gjallë xhaxhai, do të hakmerresha

I mbijetuari 12-vjeçar: Pashë masakrën me sytë e mi

Ai që është viktimë e gjithë ngjarjes është Denisi, nipi i autorit, vetëm 12 vjeç. Minoreni ka parë të gjithë skenën e krimit, madje edhe trupat e pajetë të babait, nënës dhe motrës, të cilët ishin vrarë nga Bajram Vrapi. Denisi tashmë është jetim, por edhe i traumatizuar dhe rënduar psikologjikisht. Madje, ai thotë se “po të ishte gjallë xhaxha, do të hakmerrej”. Më tej shton se e ka marrë malli për mamin, babin dhe motrën.

“Isha duke kullotur delet, jo shumë larg shtëpisë. Dëgjova krisma dhe erdha drejt shtëpisë. Pyeta vëllanë, Mustafanë, se çfarë kishte ndodhur, por ai nuk m’u përgjigj. Pashë xhaxha Bajramin që ishte me armë në dorë, ulur te shega afër shtëpisë dhe më tha të mos futesha në shtëpi. Por unë ngjita shkallët dhe u futa brenda. Aty pashë motrën me fytyrë të mbuluar me gjak dhe të ndarë në dy pjesë dhe të mamit. Pastaj dola jashtë, kërkova babanë dhe e gjeta dhe atë të shtrirë në mes të rrugës. I hodha në fytyrë një bluzë që kisha lidhur për mesi dhe pastaj më ka marrë teta Afërdita” tregon Denisi. Ai thotë se “në ato çaste ndjeva dhimbje, qava dhe nuk mbushesha dot me frymë”.

Një muaj pas masakrës, sërish 12-vjeçari mendjen e ka tek vrasja e babait. “Mendoj sikur xhaxhai të ishte gjallë, do t’ia bëja edhe unë ashtu siç ia bëri ai familjes time, por ai nuk është. Kjo po më bën të qaj. Më ka marrë malli për mamin, babin, motrën. Kam frikë” përfundon rrëfimin monoreni.

Deklarata

Djali i autorit: Veprimi i babait është i turpshëm

“Unë nuk e di sesi im atë arriti deri në atë gjendje. Gjithë kohës kishte shkuar mirë me dy vëllezërit e tij. Unë e dënoj aktin e babait tim. Është një akt i turpshëm dhe një tragjedi që na ka lënë një dhimbje dhe tronditje të thellë në shpirt. Ende më duket sikur do t’i shoh të tre, babanë me dy vëllezërit e tij, duke biseduar, sa te shtëpia e njërit, tek tjetra. Nuk duhej të kishte ndodhur, për asnjë arsye, nuk ka justifikim. Bajrami ishte tip që nderin e shihte si gjënë më të shenjtë dhe, duke pasur parasysh dhe moshën e tij, konservatorizmin, shtuar këtu dhe reagimin e dy vëllezërve ndaj tij, e kanë mbingarkuar deri në atë pikë sa shkaktoi gjithë masakrën e rëndë”, ka thënë ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button