Vrasja në Peqin, “çmontohen” burgjet e sigurisë së lartë në vend
Nisin kontrollet në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë, Korçë. Tre mjete të forcave të ndërhyrjes së shpejtë janë nisur drejt burgut të sigurisë së lartë në juglindje së vendit. Kontrollet e rrepta po bëhen për armë dhe sende të tjera paligjshme.
Kontrolle po bëhen edhe në burgje të tjera të sigurisë së lartë në vend, si ai tek “Jordan Misja” (313), në Reç, Fushe Kruje dhe Burrel.
Kontrollet vijnë si pasojë e ngjarjes së sotme në Peqin.
Më herët gjatë ditës së sotme, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dha urdhër që të gjitha burgjet e vendit të kalojnë në sigurinë më të lartë.
Teksa fliste për gazetarët, Manja sqaroi se urdhri do të jepej gjithsesi për shkak të afrimit të festave, por ngjarja që ndodhi në Peqin, bëri që të përshpejtohej.
NGJARJA
I dënuari me burgim të përjetshëm, Sokol Mjacaj, gjatë kohës që ka qenë në ambientet e ajrimit, është afruar pranë dritares së qelisë ku ndodhej i dënuari Arben Lleshi dhe ka qëlluar tre herë ndaj tij.
Për shkak të distancës së afërt, plumbat e qitur nga pistoleta e Mjacajt e kanë goditur në qafë dhe gjoks të dënuarin Lleshi, i cili edhe pse mori ndihmën e parë mjekësore nuk u mbijetoi dot plagëve, duke ndërruar jetë. Në momentin e konfliktit me armë zjarri, në rrethana ende të paqarta, ka mbetur i plagosur me armë zjarri edhe i dënuari tjetër, Indrit Shaqja.
Pas krimit, Sokol Mjacaj ka tentuar të mbajë peng punonjës të administratës së burgut të Peqinit, por ndërhyrja e forcave operacionale të Drejtorisë së Burgjeve, e pasuar edhe nga ato të forcave RENEA dhe Policisë së Elbasanit, e kanë neutralizuar dhe izoluar të dënuarin me burgim të përjetshëm Sokol Mjacaj.
Ky i fundit vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë, në tentativë për t’i grabitur. Përveç forcave të shumta policore, në vendngjarje ka mbërritur edhe prokurori i Elbasanit, i cili ka marrë në pyetje menjëherë të dënuarin Sokol Mjacaj, në lidhje me këtë ngjarje.
Përveç arsyeve të konfliktit mes të dënuarve Mjacaj dhe viktimës Lleshi, një tjetër moment i paqartë është edhe fakti se si është futur brenda ambienteve të burgut arma e zjarrit që ka rënë në dorë të të dënuarit me burgim të përjetshëm, Sokol Mjacaj.