Vuçiç: Brukseli më kërkoi të pranoja anëtarësimin e Kosovës në OKB
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka pranuar se Brukseli i ka bërë presion të pranojë bashkimin e Kosovës me Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në një intervistë për mediat serbe, Vuçiç është ndalur edhe në dialogun me Prishtinën, teksa ka ritheksuar faktin se çdo ndryshim në formatin e bisedimeve do të kërkojë pëlqimin e Serbisë.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç është shprehur se Brukseli i ka kërkuar të pranojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Në një intervistë për gazetën serbe ‘Novosti’, Vuçiç është pyetur për presionet që Serbia merr nga faktori ndërkombëtar sa i përket çështjes së Kosovës.
Presioni më i madh vjen nga Brukseli. Më kërkuan të pranoj anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe që policia rajonale të përputhet me numrin e banorëve në 7 komunat në veri, që do të thotë 68% shqiptarë dhe 32% serbë. Unë nuk i pranova këto kushte komuniste dhe propozova që forca policore rajonale në veri të Kosovës të jetë 90% serbe. Ata nuk e pranuan dhe aty filluan kërcënimet- tha Vuçiç.